Ambasadori i Izraelit në Beograd, Jahel Vilan ka thënë se Serbia e ka njohur praktikisht Kosovën me nënshkrimin e marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë në Washington në shtator të vitit të kaluar, transmeton Gazeta Express.
Vilan tha se njohja e Kosovës nga Izraeli u bë brenda kornizës së Marrëveshjes së Washingtonit.
“Përndryshe mos të harrojmë se u bë brenda kornizës së marrëveshjes midis Serbisë dhe Kosovës me Amerikën, jo me ne”, tha ai.
Për t’iu përgjigjur deklaratave të ambasadorit izraelit, televizioni serb TV Prva e kontaktoi edhe ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikolla Selakoviq, i cili tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nënshkroi një letër krejtësisht të ndryshme nga ajo që iu dha palës së Kosovës për nënshkrim, shkruan B92.
“Deklarata e ambasadorit të Izraelit është një lloj vrazhdësie dhe nuk është absolutisht e vërtetë,” tha Selakoviq.
“Është e qartë se Serbia ka nënshkruar një marrëveshje me Washingtonin, si dhe të ashtuquajturën Kosovë, veç e veç. Pjesa e nënshkruar nga Vuçiq thekson se Serbia bie dakord të hapë një zyrë përfaqësimi në Jerusalem deri në shtator dhe ta zhvendosë ambasadën e saj në Izrael në atë qytet”, tha Selakoviq, duke shtuar se Vuçiq i kishte thënë kryeministrit të Izraelit Benjamin Netanyahu se kushti që Serbia ta lëvizë ambasadën dhe hapjen e një zyre përfaqësuese në Jerusalem është që Izraeli ta tërhiqte njohjen e Kosovës.
Selakoviq tha se atëherë presidenti i Serbisë “arriti t’i mbijetojë presionit në Washington”, i cili, siç thotë ai, ishte i ashpër.