MENU
klinika

“Proces i iniciuar me urdhër politik”

Meta i kthen përgjigje Komisionit të Ligjeve: Gati të shprehem në 10 maj.

06.05.2021 - 10:12

Ndërkohë që Komisioni i Ligjeve do të zhvillojë sot mbledhjen e radhës për ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Ilir Metës, presidenti i është përgjigjur përmes një shkrese ku shprehet se nuk mund të anulojë axhendën e datës 6 maj.

Kreu i shtetit thekson edhe njëherë se është i gatshëm për t`u shprehur në Komisionin e Ligjeve në datën 10 maj.

“Procese apo nisma të kësaj natyre, megjithëse janë iniciuar përmes urdhrave politikë që synojnë të shmangin vëmendjen nga parregullsitë që partia në pushtet ka shkaktuar në këtë proces zgjedhor, ju si Komisioni i Ligjeve, keni detyrimin që të qëndroni në lartësinë e detyrës që mbani, e që të kujdeseni që asnjë garanci dhe kërkesë e Kushtetutës dhe e ligjit të mos shkelet, por të respektohet”, shprehet Presidenti në përgjigjen për Komisionin e Ligjeve.

Njoftimi

Presidenti i Republikës, siç ju është bërë me dije edhe në shkresën tonë nr. prot. 1520/2, datë 5.5.2021, edhe para se ju të shprehnit kërkesën në mënyrë eksplicite, ka shprehur gadishmërinë e tij për t`u takuar, diskutuar e për t`u shprehur me dhe në Komisionin e Ligjeve.

Sigurisht që agjenda e Presidentit të Republikës, është e paracaktuar, dhe i mundëson zhvillimin e këtij takimi apo mbajtjen e bashkëbisedimit e bashkëdëgjimit me anëtarët e këtij Komisioni, në datën 10 maj 2021.

Kjo datë, 10 maj 2021, përveçse përkon me një ditë të lirë në agjendën e tij, përkon edhe me Ditën Kombëtare të Drejtësisë Shqiptare. Nuk do të kishte një moment më të përshtashëm që një aktivitet i tillë i përbashkët, të zhvillohej në një ditë kaq të rëndësishme për Shqipërinë, që evokon përpjekjet e parreshtura të shtetit shqiptar për shtetin e së drejtës!

Duke ju garantuar se kjo datë e lirë në agjendën e Presidentit nuk përmban asnjë qëllim për t`ju penguar në ushtrimin e misionit të paligjshëm që ju është ngarkuar, ju bëjmë me dije se, Presidenti i Republikës nuk mund të anulojë apo të shmangë agjendën e Tij, të datës 6 maj 2021, ditë kjo në të cilën tashmë janë të planifikuara prej kohësh, realizimi i takimeve me rëndësi edhe për proceset e integrimit të vonuar europian të vendit.

Në funksion të transparencës, dhe nëse dëshironi ta ndiqni, pasi do të bëhet publike, Presidenti i Republikës, pikërisht sot ditë e enjte, datë 6 maj 2021, do të presë në takime, për bisedime e takime zyrtare, protokollare, personalitete të larta të huaja, si:

Ministren Federale për Çështjet Europiane dhe të Kushtetutës së Republikës së Austrisë znj. Karoline Edtstadler;

dhe Presidentin e Republikës së Sllovenisë, Sh.T.Z. Borut Pahor.

Pikërisht nisur nga axhenda zyrtare dhe e ngjeshur e Presidentit të Republikës, si dhe duke marrë në konsideratë volumin e informacionit që mund dhe duhet diskutuar me Komisionin e Ligjeve, çështje këto që përfshijnë pyetjet, rastet, verifikimet dhe të dhënat, të cilat i kemi evidentuar në shkresën tonë nr. 1520/2 prot., datë 5.5.2021, dhe për të cilat kemi pritur reflektimin tuaj, kemi shprehur gadishmërinë e Presidentit për t`u takuar, diskutuar e për t`u shprehur me Komisionin e Ligjeve, qoftë dhe virtualisht nëpërmjet platformës CISCO-WEBEX, në datën 10 maj 2021

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN