MENU
klinika

Rreziku nga mutacionet

Mjeku Dasho: Të testohet çdo person që hyn në Shqipëri. Po arrihet…

11.05.2021 - 08:00

Eksperti i Shëndetit Publik Erion Dasho e ka konsideruar domosdoshmëri testimin e çdo shtetasi që hyn në territorin shqiptar për të parandaluar depërtimin e varianteve të reja të COVID-19.

Përmes një statusi në rrjetet sociale, doktori ngre shqetësimin se hyrja në vend e mutacioneve të rrezikshme mund ta rikthejë sërish epideminë në një kërcënim.

“Duke u përpjekur të provojnë teorinë e tyre të dështuar mbi “rritjen e kurbës” në mes të majit, të paaftët e Komitetit dhe Ministrisë po bëjnë çdo përpjekje, madje edhe po rritin numrin e testeve deri në pikën ku përqindja e pozitivitetit midis të testuarve për herë të parë shkoi 2%!

Nëse do të kishin sadopak profesionalizëm dhe humanizëm, kjo përqindje duhej të ishte synuar në periudhën nëntor-mars, atëherë kur pozitiviteti i afrohej 40%-it dhe nevoja ishte për 10 deri 20 mijë teste në ditë, nga 3-4 mijë që arriti maksimumi. Shqipëria po arrin imunitetin e grupit. Ju, “teoricienët” dhe “kompetentët” që nuk njihni as teorinë dhe as praktikën e shëndetit publik, bëni mirë të fokusoheni te parandalimi i hyrjes në vend të mutacioneve të rrezikshme, të cilët mund ta rikthejnë sërish epideminë në një kërcënim. Testimi i çdo personi para se të hyjë në Shqipëri është domosdoshmëri”, ka vënë në dukje Dasho.