MENU
klinika

Analiza

Mustafa Nano: Pse duhet ti vëmë fre protagonizmit fetar para se të na sjellë vetëm…

15.05.2021 - 16:09

Një gjë është e sigurt: feja sot për sot nuk ka ndonjë rol, ndikim apo pushtet kushedi se çfarë në jetën shqiptare. “Vetëm 10% e besimtarëve janë praktikantë,” tha Dom Gjergji mbrëmë në televizionin “Klan”, në programin “Opinion”. Unë kam përshtypjen që Dom Gjergji e tepron pak. Kam përshtypjen se numri i besimtarëve praktikantë në bashkësinë e besimtarëve nuk e kap dot pesë-përqindëshin. Dhe nëse është kjo që them unë, por edhe nëse është ajo që thotë Dom Gjergji, është një lajm i bukur, një lajm i mirë për shoqëri si kjo e jona, për shoqëri që janë me natyrë e strukturë shumëfetare. Marrëdhënia e shtendosur, e relaksuar dhe sportive që shqiptarët kanë me besimin e tyre në përgjithësi ka qenë prore sipas meje një “deus ex machina”, apo një trill a dëshirë e Zotit që e ka shpëtuar Shqipërinë dhe e ka mbajtur gjallë kombin shqiptar. Nëse një ditë do të ndodhë e kundërta, nëse një ditë shqiptarët do të gdhihen besimtarë fanatikë, nëse do të përqafojnë besimin e thellë, të fortë, të egër, rezultati është lehtësisht i parashikueshëm: shoqëria ose do t’i nënshtrohet fesë më të fortë duke u bërë njëfetare (dhe  në rastin tonë, islamike), ose do të rrezikojë të zhbëhet për fare.

Dëshiroj të përsëris edhe një herë pohimin që bëra në krye të herës: feja sot për sot nuk ka ndikim dhe pushtet në jetën e shqiptarëve. Por prania e fesë është e shpërpjestimuar, arrogante, madje edhe provokative. Dua të them se prania e fesë e tejkalon shumëfish ndikimin që feja ka praktikisht në territor. Dhe në këtë pikë kemi faj që të gjithë. Kanë faj edhe ata që janë jo besimtarë. Kanë faj edhe agjencitë apo institucionet publike, qeveritare, shtetërore, shkollat, media. Kjo e fundit ka një faj të veçantë. Media harbon në rrethana të tilla. Sa herë që ka festa dhe aktivitete fetare. Ajo raporton me një zell të çmendur çdo hollësi dhe detaj të ngjarjeve të tilla. Ajo raporton banalitete. Madje, ajo raporton edhe vizita që bëjnë politikanë të niveleve të ndryshme në selitë e komuniteteve fetare. Ajo raporton edhe urimet që këta politikanë postojnë në rrjetet sociale. Dhe tashmë  e dini, ato janë urime monotone, të mërzitshme dhe të shpëlara. Për të mos folur për deklarata që bëhen po nga këta politikanë herë pas here me referencë te Zoti, të cilat e ulin diskutimin që unë bëj në nivele budallaqe dhe idiotike. “Unë betohem përpara kishës së Laçit, unë betohem për kishën e Laçit,” (dhe kjo është e vërtetë, nuk po bëj shaka) janë fjalët e Lulzim Bashës në maj të vitit 2019, “se Edi Ramën, Damian Gjiknurin dhe Belinda Ballukun do t’i rras në burg.” Dhe njerëzit pyesin se pse Lulzim Basha nuk fiton dot një palë zgjedhje!!! Nuk ka se si t’i fitojë. Nuk ka se si të ndodhë. Një njeri që këput broçkulla, dhe mufka, dhe gjepura të tilla kolosale nuk ka se si t’i fitojë zgjedhjet.

Por prania e frikshme e fesë në hapësirën dhe në jetën publike të Shqipërisë vjen më së pari, dhe mbi të gjitha, prej besimtarëve, të cilëve nuk u mjafton që janë besimtarë. Ata duan ta demonstrojnë atë. Ata duan që të gjithë ta marrin vesh se ata janë besimtarë. Tifozët e Tironës janë tifozët më interesantë e të lezetshëm në botën futbollistike shqiptare. Ata janë të pasionuar. Ata e ndjekin skuadrën e tyre edhe jashtë Tiranës. Në një rast para dy vitesh, ata e ndoqën në Laç. Atje, në shkallët e stadiumit modest të Laçit, në grup (ashtu siç janë gjithmonë), në një moment të caktuar gjatë ndeshjes, ata zunë të thërrisnin në kor: “Allahu Akbar!”, “Allahu Akbar!”. (Me sa mbaj mend unë, Tirana e humbi atë ndeshje.) Për fat të mirë, ky gjest i shëmtuar dhe i pakuptimtë nuk është përsëritur më.

Një anekdotë tjetër nga jeta ime: Kur punoja në televizionin ABC News, kur bëja programin “Provokacija”, përpara se të filloja “Arnautistanin”, të premteve në mesditë, më qëllonte ndonjëherë të dëgjoja zërin e dikujt që përforcohej edhe nga një altoparlant, që ishte vendosur diku aty jashtë, dhe përhapej në të gjithë territorin rreth Kinostudios. Fillimisht, unë u shushata dhe u keqkuptova. Mendova se ishte një tubim politik. Por m’u deshën vetëm pas sekonda për të kuptuar se zëri i atij personi, në të vërtetë, ishte zëri i imamit të një xhamie aty pranë, që po mbante hutbenë e zakonshme të së premtes. Ai kishte vendosur që ta mbante atë hutbe edhe për mua edhe për njerëz të tjerë që ishin në punën e tyre, për qejfin e tyre, e që me shumë gjasa, as që donin t’ia dinin për atë hutbe.

Unë nuk e di nëse ky avaz vazhdon akoma rreth Kinostudios, por di që ky avaz vazhdon në Kavajë. Këto kohë, kam qenë tre të premte radhazi në Kavajë, dhe këtë të premte bëra një zbulim empirik (pasi isha personalisht atje), që m’u duk shumë interesant. Një mendje brilante në atë qytet, prej komunitetit të myslimanëve i kishte vendosur altoparlantët në mënyrë të tillë, që zëri i imamit të Kavajës të shkonte deri në skajin më të largët të qytetit. Dhe kështu të premteve në mesditë, jeta në Kavajë, njësoj si jeta e çdo qyteti afgan nën hyqmin e talebanëve, ka për kolonë zanore pohime, porosi, vargje kuranike të recituara nga imami i Kavajës, tek-tuk edhe në arabisht. Nëse ndonjë banor i Kavajës, në atë moment të së premtes, do të dojë t’i fshihet atij zëri, ai ka vetëm një rrugë: të marrë makinën e t’ia mbathi diku. Të shkojë të paktën deri te Mali i Robit, ose deri te lokali i Pilo Lalës, në drejtimin tjetër. Nuk ka zgjidhje tjetër!

Është e pabesueshme se si asnjë banor i Kavajës, qoftë edhe një i vetëm, nuk është bërë i gjallë për ta denoncuar këtë situatë absurde, në të cilën, një qytet i tërë detyrohet të heqë vallen e një imami, të rrethuar nga dhjetëra, apo ndoshta qindra, besimtarë praktikantë të Kavajës. Nuk është bërë i gjallë as edhe një kryetar bashkie, atje në Kavajë (në morinë e kryetarëve të bashkisë që kanë qenë aty, të majtë e të djathtë), që ta denoncojë apo ndalojë këtë praktikë, të heqë altoparlantët, dhe t’ua bëjë të qartë besimtarëve praktikantë të qytetit të Kavajës, se ata janë të lirë të ushtrojnë besimin e tyre, por në të njëjtën kohë, po kaq të lirë (dhe ata duhet ta dinë këtë gjë) janë edhe njerëzit e tjerë të krishterë, apo ateistë qofshin, për të mos u dhunuar në jetën e tyre. Nuk janë bërë të gjallë as autoritetet publike, qendrore në Tiranë, as institucionet e Tiranës e as krerët e tyre, për ta marrë në mbrojtje këtë qytet prej uzurpimit të pashembullt, që i është bërë hapësirës publike në Kavajë, apo edhe këtu rreth Kinostudios, apo edhe në ndonjë vend tjetër që unë nuk e di. Të gjithë bëjnë sehir atë që ndodh, dhe e shohin si një zhvillim normal, si një gjë normale. Pra, e shikojnë si të tillë shprehjen e besimit fetar.

Mund të ketë disa njerëz që po më ndjekin (ndoshta, mund të jenë edhe shumë), dhe në këtë rast mund të thonë: “Ja, doli ky bandilli! E shfaqi veten përsëri si islamofob! Filloi me të vetat!” Por të dashur miq, nuk është çështje islamofobie, është çështje kombi, është çështje patriotizmi. Nëse nuk i vëmë fre këtij protagonizmi fetar të shpërpjestimuar e të shëmtuar në hapësirën publike shqiptare, në fund përfundimi do të jetë një dhe vetëm një: “përçarja kombëtare”.