MENU
klinika

Ndryshojnë masat anti-Covid

Pas zgjedhjeve, Komiteti i Ekspertëve ndërron mendim për pandeminë!

06.05.2021 - 07:19

Në 19 prill, kur Komiteti i Ekspertëve vendosi karantinë 2-javore për emigrantët nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut, në vend u identifikuan vetëm 100 të infektuar.

Ndërsa të mërkurën, kur komiteti i ekspertëve komunikoi heqjen e këtij kufizimi, të cilit në fakt, i kishte skaduar afati (20 prill-3 maj) në vend nuk munëroheshin më pak se 92 raste të reja. Shifra të përafërta, këndvështrim katërcipërisht i kundërt. Ndonëse shifrat prej javësh vijonin të ishin stabël, pavarësisht grumbullimeve e lëvizjeve të shtuara në prag fushate, në sytë e vendimmarrësve, të ardhurit nga Greqia e Maqedonia e Veriut përbënin rrezik në prishjen e kësaj balance.

Tani, nuk shikohen më si kërcënim. Ndaj edhe nuk do t’i nënshtrohen më karantinës dyjavore në rast se shkelin tokën shqiptare. Nuk kanë munguar akuzat e një vendimi me prapavijë politike, por që ministrja Ogerta Manastirliu i hedh poshtë duke e lidhur vendimin me pashkët ortodokse dhe jo zgjedhjet e 25 prillit. “E kemi vlerësuar situatën me shumë kujdes. Periudha e festimeve të pashkës ortodokse u vlerësua se do të kishte një hyrje të atyre qytetarëve që do të vinin për të festuar, duke qenë se në Greqi e Maqedoni ka pasur rritje të madhe të infektimeve. Në vendin tonë do të kishte numër të lartë qytetarësh që do të vinin për të festuar këtu, pasi dy vendet fqinje ishin të mbyllura.

KUFIZIMET E REJA

Përveç karantinës së detyrueshme me vendet fqinje, edhe të rinjtë do të mund të prekin auditorët pas më shumë se një viti. Por vetëm për konsultime dhe provime. “Shqipëria ndodhet në një situatë të qëndrueshme dhe të kontrolluar të epidemisë. Kemi një rënie të ndjeshme të shifrave të infektimeve dhe fataliteteve, sikurse dhe një numër të ulët të shtruarish në spitalet COVID dhe tre spitalet rajonale. Nisur nga kjo situatë, Komiteti i Ekspertëve ka rivlerësuar masat.

Ka vendosur heqjen e masës së karantinës 14-ditore me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në vijim të vlerësimit të situatës epidemiologjike, me kërkesë të Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve do të lejohet hapja e auditorëve të universiteteve vetëm për procesin e konsultimeve dhe sezonin e provimeve”, deklaroi ministrja në deklaratën për masat e reja, të cilat zgjodhi t’i lexojë vetë. Përpos tyre, mbeten në fuqi vetëm dy kufizime. Ai për ndalimin e grumbullimeve dhe orën policore që do të vijojë të mbetet 22:00-06:00.

Situatën stabël, Manastirliu ia atribuon edhe procesit të vaksinimit që ka kapur shifrat e mbi 538 mijë injektimeve, 1/ 5 e të cilëve i kanë marrë të dyja dozat. Lidhur me rezervat mbi cilësinë e vaksinës që po përdoret për vaksinim në masë, nr.1 i shëndetësisë u bazua në aplikimin pranë EMA-s, e cila pritet të japë vlerësimin e saj këtë javë. “Janë duke u marrë në konsideratë ‘Coronavac’ dhe ‘Sputnik’ nga EMA për autorizimin emergjent të tregtimit. Besoj që do ketë një lajm të shpejtë. Por deri tani, nuk ka asnjë kufizim të vendosur mbi llojet e vaksinave për të hyrë në vendet e BE-së”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Shqipëria është në ngjyrë të verdhë..."

Shqipëria del nga harta e kuqe e Covid në botë