MENU
klinika

La Liga, Java 37

Përmbys Atletico, Real mbetet i dyti, zhgënjen Barça

16.05.2021 - 19:33

La Liga luajti të gjitha ndeshjet e javës 37 në një orë. Emocione të shumta, pasi në një moment rezultatet favorizonin Real Madrid, që fitoi 1-0 në fushën e Bilbaos. Ndërsa Atletico Madrid, që po humbte 0-1, përmbysi 2-1 dhe mban kreun.

Dy ekipet madrilène i mbyllën pa gola pjesët e para. Nacho shënoi golin e vetëm për Real në 68’ dhe njëri vesh për Los Blancos ishte në Madrid, ku Atletico pësoi gol nga Osasuna. Budimir kaloi në avantazh miqtë në 76’.

Por Atletico nuk stepet, arrin të barazojë në 82’ me Roan Lodi. Edhe barazimi ishte në favor të Real Madrid, por Suarez në 88’ shënon golin e avantazhit dhe mërzit tifozët e Los Blancos. Ka edhe një javë, Atletico do të luajë në fushën e Valladolidit, ndërsa Real pret  Villarrealin.

Surpriza e madhe ka ardhur në “Camp Nou”, ku Barcelona i ka thënë lamtumirë titullit pas humbjes shokuese 1-2 ndaj Celta Vigos. Messi shënoi në minutën e 28’, i 30-i këtë sezon. por Santi Mina përmbysi gjithçka. Fillimisht, Mina barazoi në pjesën e parë dhe në minutën e 89’ shënoi golin e surprizës së madhe, që nxjerr jashtë gare përfundimisht Barcelonën.