MENU
klinika

Moto 3

Pësoi aksident në pistë, ndërron jetë piloti

30.05.2021 - 14:16

Piloti 19-vjeçar zviceran Jason Dupasquier, që garon në kategorinë Moto 3 me motorin KTM, nuk ka mundur të mbijetojë pas aksidentit të 24 orëve më parë gjatë provave zyrtare të garës së Çmimit të Madh të Italisë (pista e Mugello).

Në momentin e rrëzimit, mbi trupin e tij kaluan edhe dy pilotë të tjerë, që nuk patën mundësi të evitonin kontaktin. Ky rrëzim dhe këto dy kontakte (njëri mbi kokë e tjetri mbi këmbë) ishin fatale për Dupasquier, që nuk ka mundur të mbijetojë.

Në orët e para të mëngjesit ai kreu edhe një operacion në kokë, por dëmtimet që kishte marrë ishin të shumta e të mëdha. DORNA bëri me dije sot, se pak pas mesdite, piloti i ri ndërroi jetë në spital. Piloti mbërriti në spital në gjendje kritike, pas rrëzimit në kthesën e nëntë.

Në pistë atij iu dha ndihma e shpejtë dhe më pas u transportua në spital me helikopter. 19-vjeçari ishte në sezonin e tij të dytë në kategorinë Moto 3, djali i një ish-piloti të garave të motokros.