MENU
klinika

"Mësouani historinë fëmijëve"

Porosi për shqiptarët, nga Luçia Nadin

30.05.2021 - 14:55

       E pyetur nga gazetarët, më herët, se çfarë përcakton si tiparin kryesor të punës, për një studiues, Lucia Nadin, kishte vetëm një fjalë: Përulësia! 

Fragment interviste: “Porosi për shqiptarët”

“Nuk kam kërkuar kurrë asnjë lekë. Më jepni një krevat për të fjetur e kaq. Askush nuk është shqetësuar për të përdorur gjithë punën që unë kam bërë, vetëm për të njohur të shkuarën tuaj”. Mohon madje, të ketë marrë “qoftë edhe dy lekë” për botimet e bëra në Shqipëri, mbi Arbërinë dhe arbrit në shekuj.

“Librin e parë e botova falë një grupi të Universitetit të Firences që punonte me Shqipërinë. U dhashë tekstin dhe e botuan. Tani, nëse unë e dua prapë tekstin, për t’ua shpërndarë miqve, duhet ta blej”. Edhe për librin e dytë mohon të jetë paguar.

“Nuk kam marrë para, por as nuk kam para të paguaj botimin, unë bëj punën shkencore. Nuk kam pasur kurrë shumën e parave që kanë akademikët e diplomatët. Nuk kam bërë punë për arsye financiare. Kam 20 vite që i them kujtdo që takoj: kujtohuni që fëmijëve, mbase do t’ua lini xhepat plot, por… kokat bosh. Pa kulturë, nuk mund ta bësh historinë e një vendi, një vend duhet të ketë historinë e tij. Nuk mjafton të lësh vetëm plazhin e bukur, sepse pas atij plazhi duhet të jetë Butrinti e pas Butrintit, duhet të jetë një histori. Mësouani fëmijëve! Nëse e çoni fëmijën në Shkodër, duhet ta dini çfarë është Shkodra”, e sipas saj, Shkodra dihet më mirë ç’është, përmes Statuteve.

Për Nadinin, një qytet nuk mund të jetë i tillë, pa historinë që i paraprin.

Vetë ajo, ka botuar “Shqipëria e rigjetur”, “Shqiptarët në Venedik. Mërgim e integrim 1479-1552”, apo esenë “Gjergj Kastriot Skënderbeu në Venecia”, ku për herë të parë njihet prania e një statuje që përfaqëson Skënderbeun në mjetin lundrues mitik venecian.

***

Për më se 20 vjet, Nadin e njeh nga afër Shqipërinë, në mënyrë të veçantë Shkodrën, ka punuar dhe jetuar në këtë vend, ka zbuluar mjaft dokumente e prova të një qytetërimi të lashtë, dëshmi të rrënjëve mesdhetare dhe europiane të artit, kulturës, fesë, traditave shqiptare në jetën kulturore dhe materiale, etike dhe shpirtërore -të mbetura në harresën e shekujve, por për fat, jo krejtësisht të humbura – nga njëra anë dhe nga ana tjetër, të lidhjeve të shumta që kanë ekzistuar që në kohë të hershme midis dy brigjeve të Adriatikut. E gjithë kjo botë e jashtëzakonshme zbulimesh e gjetjesh të provuara e të konfirmuara nga historia është pasqyruar në botimet e shumta të Nadinit në Venecie, në Itali e gjetkë dhe në Shqipëri, në formë artikujsh studimorë, librash e analizash të specializuara, në botime, revista prestigjioze me emër dhe reputacion ndërkombëtar.

Për t’i bërë të gjitha këto -pa pohuar asnjëherë, se tashmë i ka shterur burimet studimore, se e ka kryer misionin e saj, se i ka gjetur disa gjëra të mëdha, se ka shkruar mjaft për to, do të mençura, të vërteta dhe, se shumica e zbulimeve të saj janë rreth temës shqiptare – duhej një pasion e përkushtim i pazakontë kundrejt trashëgimisë me vlera kolosale të kulturës italiane dhe veneciane dhe – pa asnjë interes, apo motiv të posaçëm – edhe kundrejt kulturës shqiptare.

Tashmë edhe në qarqet studimore të Universitetit të Venecias dhe të publicistikës, kritikës së artit e kulturës, Nadin njihet dhe si specialiste e historisë së Shqipërisë mesjetare dhe e një pranie shumplanëshe veneciane në jetën shoqërore, kulturore, artistike dhe shpirtërore shqiptare, kryesisht të Shkodrës.

Në mënyrë të veçantë, Nadin ka meritën e zbulimit të disa fakteve madhore që i takojnë historisë dhe kulturës shqiptare, të ruajtura me rreptësinë dhe saktësinë e certifikuar tashmë, në arkivat venedikase, apo dhe në veprat monumentale të artit, të famshme në të gjithë botën, siç janë pikturat nga Veronese. Nadin u vlerësua nga Shkodra e saj, si “Qytetare Nderi” më 2011, me botimin në Tiranë, në një edicion të dytë, dygjuhësh: shqip dhe italisht (edicioni i parë “Viella” 2000, ishte italian, vetëm në italisht) të librit “Statutet e Shkodrës” të shekullit XV, një dokument i cilësuar si monument i Shqipërisë mesjetare…

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit