MENU
klinika

Çfarë po ndodh me arsimin në Shqipëri?

Ulja më e madhe e shpenzimeve buxhetore në dy dekada

05.05.2021 - 11:46

Shpenzimet për arsimin ishin vetëm 2.3 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) gjatë vitit 2020, duke shënuar kësisoj nivelin më të ulët të dy dekadave të fundit.

Në analizën e shpenzimeve publike për arsimin në raportin e tyre me PBB shihet se gjatë periudhës 2001 -2020 shpenzimet për arsimin ishin më të ulëtat gjatë vitit të kaluar, pasi përgjithësisht ato kanë qëndruar në nivelin 3%.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Arsimit gjatë vitit të kaluar shpenzimet për arsimin arritën në shumën prej 40 miliardë e 748 milionë lekë. Kjo shumë ishte sa 7.6% e totalit të shpenzimeve buxhetore të vitit 2020 dhe në nivelin 2.27% të PBB, së bashku me shtesat e fondeve të rimarra/trashëguara nga viti 2018 nga arkëtimi i tarifave të universiteteve.

Fondet për arsimin u pakësuan në aktin normativ të marsit 2020 me 1.23 miliard lekë, nga të cilat 1.1 miliard ishin në grupin e shpenzimeve kapitale dhe rreth 131 milion lekë në grupin e shpenzimeve korente.

Shqipëria sipas UNESCO renditet si një nga vendet me financimet më të ulëta buxhetore për arsimin, e për rrjedhoje shkollat tona nuk kanë ofrojnë logjistikën e mjaftueshme për të përçuar njohuritë tek nxënësit. Tani kur pandemia ka kushtëzuar mësimin në distancë, shkollat shqiptare në arsimin bazë dhe atë të përgjithshëm nuk kanë lidhje me internetin dhe kompjuterët.

Fondet për shpenzime kapitale për arsimin më 2020 ishin në masën 3 miliardë e 921 milionë lekë ose rreth 10.3% e totalit të fondeve të planifikuara për sektorin e arsimit më 2020. Por me rishikimin e buxhetit fondet e rishikuara për investimet kapitale u ulën me 1.1 miliard lekë (mbi 9 mln euro), duke e çuar fondin total në vetëm 2 miliardë e 751.4 milionë lekë ose rreth 6.6% e fondeve të planifikuara për arsimin në 2020. Por edhe fondet e rishikuara me ulje nuk u realizuan.

Realizimi i shpenzimeve kapitale për 12-mujorin 2020, ndaj fondeve të rishikuara për 12-mujorin 2020 është në masën 2 miliardë 673.3 milionë lekë ose në masën 97.2% e fondeve të planifikuara për 12-mujorin 2020.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Dëmi ekonomik kryesisht në dogana, tatime dhe…

KLSH: Mbi 700 milionë euro humbje në buxhet!