Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, tha se ai pret që të dalë në pension vitin e ardhshëm, duke prishur potencialisht ekuilibrin delikat politik që mban të qëndrueshëm koalicionin e Kryeministrit Mario Draghi.
“Mandati im si president përfundon për tetë muaj,” tha Mattarella, 79, ndërsa vizitoi një shkollë në Romë të Mërkurën, sipas agjencisë së lajmeve Ansa. “Unë jam plakur dhe pas disa muajsh do të jem në gjendje të pushoj.”
Matteo Salvini, udhëheqësi i Lidhjes së krahut të djathtë i cili ka qenë në krye të votimeve për vite me radhë, përdori fjalët e Mattarelës për të riafirmuar mbështetjen e tij për Draghi si president i ardhshëm i Italisë.
Kjo do ta detyrojë ish-bankierin qendror të heqë dorë nga kryeministria dhe ka shumë të ngjarë të shkaktojë zgjedhje të parakohshme me Salvinin favorit për të marrë detyrën.
Draghi, 73, u zgjodh të drejtojë një qeveri të unitetit kombëtar në fillim të këtij viti për të nxjerrë vendin nga kriza e koronavirusit dhe, me zgjedhjet e ardhshme në 2023, ai vetë shpesh ka thënë se ka “pak kohë” për të gjitha reformat.
Megjithatë, shumë analistë kishin pritur që Mattarella të zgjidhet vitin e ardhshëm, duke siguruar stabilitet për Draghi për të parë mandatin e plotë parlamentar.
Edhe nëse Draghi nuk pranon kandidaturën për t’u bërë kreu i shtetit, rreziqet për qeverinë e tij do të rriteshin me Mattarella “jashtë skenës”.
Presidenti ka qenë një ndërmjetës dhe garantues për koalicionin kompleks dhe të ndryshëm të Draghi-t, i cili përfshin partitë e së majtës dhe të djathtës, si dhe Lidhjen e Salvini-t dhe Lëvizjen Pesë Yje.
Çdo ndryshim mund ta prishë lehtë atë ekuilibër.
Zgjedhjet e parakohshme do të destabilizojnë vendin ndërsa kërkon të rindërtohet nga kriza më e madhe ekonomike që nga Lufta e Dytë Botërore duke siguruar që paratë e ndihmës së Bashkimit Evropian të shpenzohen në mënyrë efektive.
Përkthyer dhe përshtatur nga Bloomberg/ konica.al