30.05.2021 - 20:17
Nga Spartak Ngjela
Çfarë po shohim me Bashën? Dhe, ku është Saliu, në cilin pozicion politik?
Në thelb, përpara nesh, ne kemi një komedi, e cila vjen nga një mbrojtje fëminore që po i bëhet Bashës dhe po bën vetë Basha, në funksion të humbjes së zgjedhjeve, që ky të mos japë dorëheqjen. Këta thonë: na kanë manipuluar zgjedhjet, por nuk kanë prova.
Por, cila është situata politike e krijuar?
l.
Basha ka humbur zgjedhjet dhe thotë: “kam fituar, se më kanë manipuluar procesin zgjedhor’. Ndërkohë i ka humbur dhe të gjitha gjyqet, dhe sërish po na thotë: po më vjedhin.
Por, Basha po arsyeton jashtë fakteve reale, dhe e ka mërzitur opinionin publik.
Ai thotë në përsëritje: “ne nuk kishim asnjë pushtet në zgjedhjet e 25 prillit”, në një kohë që pushtetet e opozitës i kishte dorëzuar vetë, me rrugën dhe motivin e tij të kryengritjes; kurse kryengritjen nuk e bëri dot në vitin 2019, se i thehu hundët ushtria.
Nga ana tjetër, ka prova që Moska ka qenë në pritje të kësaj kryengritjeje. Po Basha dhe Saliu, e dinin. Sigurisht që e kanë ditur.
Edhe sot jemi në të njëjtën situatë: është i njëjti motiv që përdori Berisha për të dorëzuar mandatet e deputetëve të Partisë Demokratike në vitin 2019. Motivi ishte duke theksuar: “Ne Partinë Socialiste nuk e rrëzojmë dot me vota, se manipulon zgjedhjet me forcën e pushtetit”.
Basha ndërkaq ka dalë në fushatë për t’u rizgjedhur kryetar i PD, dhe të njëjtën gjë përmend në fushatën e tij.
ll.
Ajo që bie në sy, është se Basha sërish, nuk ka asnjë ide, dhe po na thotë: do bëjmë ndryshimin e madh në Shqipëri. Por, si mund të bëhet ndryshimi pa ide!!
Këtë e di vetëm Basha.
Në fakt, mënyra se si fliste ai dhe Saliu për zgjedhjet e prillit, kuptohej se të gjithë stisjen e tyre e kishin ndërmarrë për të krijuar motivin e kryengritjes.
Po kryengritjen, pse nuk e bënë, se atë mezi po e priste edhe presidenti Ilir Meta?
Kryengritjen nuk e bënë dot, sepse në datën 26-27 prill, një ditë pas zgjedhjeve, në Durrës filluan të zbarkonin trupat e ushtrisë amerikane.
Këtu u duk se mori fund edhe oreksi i politikës ruse, që kuptohet nga shenjat që po jep, se e ka pritur kryengritjen Basha-Sali.
Megjithatë, Basha nuk po resht së bërtituri për manipulimin e zgjedhjeve të 25 prillit.
Po, ky Basha, budallenj i di shqiptarët? Jo, ai gënjeshtrën kuptohet që nuk e ka për të gjithë shqiptarët, se, në fakt, e ka vetëm për përkrahësit e tij të dehur, që i do për kryengritje. Dhe ka dalë përpara opinionit publik duke i thënë: vetëm unë mund ta rrëzoj nga pushteti Partinë Socialiste.
lll.
Por, ndërkohë, pikërisht brenda arsyes së liderit unik, Basha na thotë: “jam shumë i fortë”, kur të gjithë shqiptarët e dinë që ai vetë është skllav i Saliut. Por, vetë Saliu ndërkohë është nongrata në Amerikë… Domethënë, padroni i Bashës nuk pranohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kurse Basha nuk e përmend fare këtë fakt…dhe Basha është një burrë i ndershëm, dhe i ndershëm është edhe Saliu me arradhën e tij. Por…
lV.
Megjithatë, është fakt që Saliu është nongrata në Amerikë, me akt administrativ të Departamentit të Shtetit dhe sekretarit Blinken, por ky tani ka kaluar në “heroikë politike”, se po na thotë: mua më luftojnë antiamerikanët – domethënë, presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden, që ka marrë 82 milionë vota në zgjedhjet presidenciale, është antiamerikan, dhe Saliu po na del “luftëtar i çështjes amerikane”, edhe pse në vitin 1996-1997 ky ishte i bashkuar me islamizmin radikal antiamerikan. Megjithatë, Saliu është një burrë i ndershëm. Dhe të ndershëm janë të gjithë ata që kërkojnë kryengritje në Shqipëri.
Por, nuk kanë forcë për kryengritje, me gjithë ndershmërinë e tyre, se në Shqipëri janë 8000 trupa të ushtrisë amerikane.
Halli dhe frika të bëjnë të nxjerrësh nga goja mbrojtjen me logjikë fëminore.
Por, a nuk i shihni të dy, Sali e Bashë, që janë mbështjellë bashkë me të njejtin mendjelehtësi në funksion të zgjedhjeve dhe kryengritjes për votën e lirë?
V.
Kurse Saliu e ka më të rëndë çështjen: se ka akuzë amerikane. Por edhe këtu, i gënjyer nga mendjengushtësia e njeriut të trembur, po na deklaron se ka hedhur në gjyq për shpifje kundër tij sekretarin e shtetit të Amerikës. Dhe na thotë se e ka akuzuar në Francë.
Nuk kupton derëziu, se ka të bëjë me lidershipin e lartë politik të Shteteve të Bashkuara, të cilin e ka hedhur në gjyq për shpifje në një gjykatë të Francës. Kurse avokatët po pyesin: pse, Shtetet e Bashkuar të Amerikës, janë një koloni franceze?
Po ku pyet Saliu! Pse, pyet një tetëvjeçar se e kujt është prona dhe ç’është pronësia? Megjithatë, Saliu është një burrë i ndershëm…
Kurse jurisprudenca na thotë se, për të çelur një gjyq në Francë, duhet të jesh nënshtetas francez. Po çfarë i duhet Saliut kjo, ai përsëri është një burrë i ndershëm.
Kurse Basha nuk e përmend fare dëbimin e Saliut nga Shtetet e Bashkuara; sigurisht që prapë, edhe ky është një burrë i ndershëm, se po mbron Partinë Demokratike.
Po Partisë Demokratike, i duhet një ndershmëri e tillë për të fituar ndonjëherë.
Jo, nuk fiton dot, por PD është pronë e Saliut, dhe vetë partia e di që ka një pronar të ndershëm.