MENU
klinika

Në Këshillin e Sigurimit

SHBA, Kina e Rusia shkëmbejnë “thumba”

08.05.2021 - 06:48

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken përsëri kritikat e Shteteve të Bashkuara ndaj Kinës dhe Rusisë, megjithëse pa përmendur me emër dy vendet.

Të premten, gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, zoti Blinken paralajmëroi se veprimet e disa vendeve po shërbejnë si shembull i papërgjegjshmërisë për vende të tjera.

Takimi mbi larminë kulturore, i organizuar nga Kina e cila kryeson gjatë muajit maj Këshillin e Sigurimit, zhvillohet në një moment të intensifikimit të tensioneve mes dy fuqive më të mëdha ekonomike të botës, Amerikës dhe Kinës.

Sekretari Blinken theksoi se është e domosdoshme që vendet individuale të përmbushin angazhimet ndërkombëtare, të përqendrohen tek të drejtat e njeriut dhe të respektojnë parimin e sovranitetit të barabartë.

“Kur vende anëtare të OKB-së, sidomos anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit nuk përfillin rregullat dhe bllokojnë përpjekjet për të mbajtur përgjegjës ata që shkelin ligjin ndërkombëtar, u dërgohet mesazh të tjerëve të thyejnë rregullat pa pasur frikë se do të mbahen përgjegjës,” tha kryediplomati amerikan.

Rusia, Kina dhe Shtetet e Bashkuara, së bashku me Francën dhe Britaninë janë pesë anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar Kinën për gjenocid kundër popullatës në rajonin Xinjiang. Kina i hedh poshtë akuzat për keqtrajtim dhe thotë se masat e saj janë luftë kundër terrorizmit.

Ndërkaq, Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov kritikoi haptazi planin amerikan për të zhvilluar një takim të nivelit të lartë për demokracinë globale. Uashingtoni “po krijon një klub të interesave speciale me bazë të qartë ideologjike” që do të “thellojë më tej tensionet ndërkombëtare dhe do të shënojë vija ndarëse në një botë që ka nevojë për një agjendë bashkimi më shumë se kurrë më parë,” tha zoti Lavrov./VOA/