MENU
klinika

Kryenegaciatori shqiptar Zef Mazi flet nga Shkupi

“Shtyrjet e Konferencës së Parë Ndërqeveritare shtojnë lodhjen”

14.05.2021 - 18:11

Kryenegociatori për integrim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Zef Mazi ka vizituar sot Shkupin për të takuar zyrtarë të lartë të shtetit fqinj, të cilëve, u dha mesazhe mbështetëse në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Pas takimit me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani, Mazi tha se do ishte një gabim nëse Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të ndaheshin në rrugën e integrimit dhe Maqedonia Veriut do të ngecte për shkak të pretendimeve të Bullgarinë.

Ai shprehu mbështetjen për Maqedoninë e Veriut që thotë se sikurse Shqipëria, ka plotësuar kushtet për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare.

“Sot jemi përballë një fakti, duhet të evitohet patjetër mërzia dhe humbja e besimit ose ajo që quhet lodhje duke pritur. Në fakt duhen përputhur fjalët e mira me veprat. Shtyrjet në një kohe të pacaktuar për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare nga marsi i vitit 2020 në Qershor, nga Qershori në dhjetor, nga dhjetori në Qershor në vitin 2021 shton lodhjen dhe në fakt prek sadopak besimin”, tha Mazi.

Ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani tha se nuk dëshiron që Maqedonia e Veriut të jetë pengesë për Shqipërinë në rrugëtimin euro-atlantik, por kujtoi se qytetarët e vendit sikurse edhe ato të rajonit do ta shohin me sy ndryshe BE-në nëse nuk e plotëson premtimin për nisjen e negociatave me një shtet si Maqedonia e Veriut që ka plotësuar kushtet e kërkuara për reforma.

“Ne nuk jemi kundër që Shqipëria t’i fillojë bisedimet, e nuk mendoj se duhet as të kemi pasur dhe as të kemi ndonjëherë pozicion të tillë. Për shkak se rrugëtimi i Shqipërisë drejtë BE-së e ndihmon rajonin, na ndihmon ne. Ajo që themi ne është që Maqedonia e Veriut nuk guxon të mos i fillojë bisedimet sepse ka plotësuar të gjitha kushtet”, tha ai.

Kryenegociatori i Shqipërisë Mazi pati takime edhe me presidentin e shtetit Stevo Pendarovski por edhe me kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi prej ku çoi mesazhin se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ndajnë interesa të përbashkëta, thuajse në të gjitha fushat, prandaj është i domosdoshëm bashkëpunimi i ngushtë mes dy shteteve.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN