MENU
klinika

PËRGJIGJET MJEKU

Si mund të trajtohet diabeti në shtatzëni?

02.05.2021 - 10:17

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Si mund të trajtohet diabeti në shtatzëni?

Mjeku: Diabeti ndikon në çrregullimin e glukozës në gjak, që është burimi kryesor i energjisë së trupit. Ushqimet që konsumoni zbërthehen në glukozë, e cila ruhet në mëlçi dhe çlirohet në sistemin e qarkullimit të gjakut. Insulina, një hormon që çlirohet nga pankreasi, e ndihmon glukozën të futet në qelizat tuaja, veçanërisht në qelizat e muskujve. Ky sistem nuk funksionon normalisht te njerëzit e sëmurë me diabet. Kjo sëmundje ndahet në diabet i Tipit 1 dhe Tipit 2.

– Tipi 1. Për sa i përket këtij tip diabeti, qelizat që prodhojnë insulinën në pankreas, shkatërrohen. Personat që vuajnë nga ky tip, duhet të injektojnë insulinë çdo ditë, që të mbijetojnë.

– Tipi 2. Për sa i përket Tipit 2, aktiviteti i insulinës është i kufizuar, kryesisht për faktin që trupi ka krijuar një lloj rezistence ndaj saj. Kur qelizat bëhen rezistente, ato nuk marrin sasinë e mjaftueshme të insulinës nga sistemi i qarkullimit të gjakut. Për pasojë, glukoza qëndron dhe grumbullohet në këtë sistem. Gjatë shtatzënisë, te disa gra shfaqet një gjendje e përkohshme, e cila njihet si diabeti i shtatzënisë. Ai ngjan me diabetin e Tipit 2, por zakonisht zhduket pas lindjes. Gratë te të cilat shfaqet ky lloj diabeti, rrezikohen të preken edhe në të ardhmen.

Trajtimi i diabetit. Nuk ekziston asnjë kurë për diabetin, por niveli i glukozës në gjak mund të kontrollohet me mjekimin e duhur dhe një stil të caktuar jetese, ku përfshihet ushqyerja e duhur, ruajtja e një peshe të shëndetshme dhe ushtrimet gjimnastikore. Po të keni diabet dhe niveli i glukozës të mbahet nën kontroll, si para ashtu edhe gjatë shtatzënisë, ka gjasa që të sillni në jetë një fëmijë të shëndetshëm. Po të mos e mbani diabetin nën kontroll, rritet rreziku që të lindni një fëmijë me defekte në tru, shtyllë kurrizore, zemër ose veshka. Gjithashtu, rritet ndjeshëm edhe rreziku i një aborti apo lindja e një fetusi të vdekur. Nëse nuk e mbani nën kontroll këtë sëmundje, rrezikoheni edhe ju, pasi nuk është e lehtë të lindni një foshnjë që peshon 4.5 kilogramë ose më shumë. Kur niveli i glukozës në gjak rritet shumë, fetusi tejngopet me këtë lëndë. Për pasojë, prodhon insulinë ekstra dhe e përdor glukozën edhe për të krijuar shtresa dhjami. Kështu, fetusi shton peshë më shumë se normalisht dhe kjo gjendje mjekësore njihet si makrosomia.

Falë monitorimit të zhvillimit të fetusit, mund të paralajmëroheni që më përpara, nëse diabeti ka ndikim negativ tek ai. Te gratë shtatzëna me diabet, kërkesat për insulinë janë më të mëdha, sepse hormonet e placentës dëmtojnë reagimin normal ndaj insulinës. Në fakt, disa gra mund të kenë nevojë për dyfishin ose trefishin e dozës së zakonshme të insulinës, për të kontrolluar sheqerin në gjak. Pjesa më e madhe e grave që kanë përdorur insulinë para shtatzënisë, do të kenë nevojë ose ta shtojnë dozën ose për një pompë insuline. Gjatë shtatzënisë dozat e insulinës mund t’i përshtatni herë pas here. Një nga pikat kyçe për ta mbajtur nën kontroll diabetin, është një dietë e duhur ushqimore. Është e rëndësishme që të bashkëpunoni ngushtë me mjekun, për të mbrojtur si shëndetin tuaj, ashtu edhe atë të fetusit.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN