MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Skuqja e lëkurës (rozacea), shenjat dhe ç’të kemi kujdes?

29.05.2021 - 09:43

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Skuqja e lëkurës (rozacea), shenjat dhe ç’të kemi kujdes

Mjeku: Rozacea është një sëmundje kronike, relativisht e shpeshtë e lëkurës që karakterizohet nga skuqje të fytyrës me ose pa puçra të vogla të kuqe ose me pus (qelb) të mbivendosura. Shkaqet e sëmundjes janë ende të panjohura.

Shenjat kryesore të sëmundjes janë:

Skuqje e fytyrës e lokalizuar kryesisht në pjesën qendrore të saj. Enët e vogla të gjakut në hundë e faqe zgjerohen dhe bëhen të dukshme.
Papula ose puçra të kuqe dhe me qelb që ngjasojnë me elementët e aknes. Lëkura është e nxehtë dhe e ndjeshme.
Probleme të syve: tharje, konjuktivit, blefarit (kapakët e syve mund të jenë të skuqur, të enjtur e të irrituar). Rreth 58 % e pacientëve të diagnostikuar me rozacea kanë prekje të syve. Në disa raste shenjat e prekjes të syve mund të paraprijnë ato në lëkurë.
Ndryshime në hundë: trashje e lëkurës së hundës (rhinophyma) si pasojë e hipertrofisë së gjendrave të yndyrës. Shfaqet në raste të ralla e më të rënda, zhvillohet me kalimin e viteve dhe prek më shpesh pacientët meshkuj.
Çfarë duhet të kemi parasysh:

Evitimi i faktorëve që agravojnë sëmundjen
Aplikimi i kremit mbrojtës nga dielli me filtër më të madh se 30
Gjatë stinës të dimrit: mbrojtje e fytyrës me një shall në rast ekspozimi ndaj temperaturave të ulta dhe vendosja e temperaturave jo shumë të larta në ambjentet e brendshme.
Përdorimi i larësve delikat
Evitimi i produkteve të përkujdesjes së përditshme që përmbajnë alkool apo substanca irrituese.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.