Gjykata e zgjedhjeve gjykon sot ankimimin e parë të bërë nga Partia Demokratike për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në qarkun e Gjirokastrës.
Trupa prej 5 anëtarësh në Kolegjin Zgjedhor do të shqyrtojnë çështjen mbi faktet e depozituara nga Partia Demokratike. Ndërkohë, si material shtesë togat e zeza do të kenë edhe kryqëzimin e të dhënave të bëra nga pajisjet e identifikimit elektronik, që treguan se me shenjën e gishtit të një personi kanë votuar disa persona. Po kështu, veç fakteve të depozituara nga vetë selia blu, Kolegjit Zgjedhor i është kërkuar që të marrin informacion edhe nga institucionet shtetërore për pretendimet e PD-së për numrin e punësimeve, lejet e legalizimeve etj. Kërkesa e PD-së për të marrë më shumë fakte u refuzua nga Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Sakaq, ditën e sotme Partia Demokratike pritet që të depozitojë ankimimin edhe për qarkun e Durrësit dhe të Shkodrës, ku do të kërkojë paligjshmërinë e zgjedhjeve.
REAGIMI
Një ditë para nisjes së betejës gjyqësore në Kolegjin Zgjedhor, përfaqësuesi ligjor i PD-së, Marash Logu, renditi disa të dhëna të cilat kanë shërbyer, sipas tij, për të realizuar atë që opozita e quan “masakër elektorale”.
“Prej tri javësh qytetarët shqiptarë kanë dëshmuar me zë e figurë nga salla e Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve faktet e pakundërshtueshme të masakrës zgjedhore të 25 prillit: Blerje masive e votës nëpërmjet individëve me rekorde të tmerrshme kriminale, mbi 10.003 leje legalizimi, mbi 13.000 punonjës të rinj në administratën qendrore, 63 milionë euro paga shtesë, 2.5 milionë euro ndihma ekonomike, 1.9 milionë euro ‘paga lufte’, 125 milionë euro pagesa për tërmetin, 500% më shumë tenderë publikë se mesatarja e 5 viteve të fundit, 83 mijë fletë votimi të pavlefshme, 523 mijë qytetarë pa të drejtë vote, 910 mijë vjedhje të të dhënave personale”, shkroi Logu në “Facebook”. Ndërkohë, ai akuzoi tre anëtarët e zgjedhur nga PS në Komisionin e Ankesave se refuzuan të bënin transparencë për zgjedhjet e 25 prillit, duke rrëzuar kërkesat e PD-së për të marrë më shumë informacion.
“Për vërtetimin e secilit prej këtyre fakteve, Partia Demokratike vendosi në dispozicion të KAS mbi 600 faqe shpjegime dhe 450 prova shkresore, foto dhe video. Por fatkeqësisht tre noterët e masakrës zgjedhore vendosën të sillen si shërbëtorë të Edi Ramës, në vend të zbatimit të ligjit. Ata mbyllën sytë para qindra fakteve e provave dhe refuzuan paligjshmërisht 171 kërkesa për transparencë të plotë mbi masakrën elektorale të 25 prillit. Megjithatë, pas dorëzimit të 5 padive të para, nga nesër (sot) vazhdojmë betejën në Kolegjin Zgjedhor. Nesër i takon Kolegjit të vendosë nëse do të jetë në anën e ligjit, duke pranuar provat tona dhe marrë çdo provë të kërkuar për të vërtetuar plotësisht masakrën zgjedhore të 25 prillit, apo do të vazhdojë historinë e vendimeve si ai i fletëve të votimit që bëri nulë vullnetin e 83 mijë shqiptarëve. Në çdo rast, ne i qëndrojmë besnik angazhimit tonë solemn para të gjithë shqiptarëve: beteja do të vazhdojë në çdo front, me të gjitha mjetet dhe mundësitë që ekzistojnë”, vijoi Logu.