MENU
klinika

Sa potencial ka arti...?

Të shesësh art, a është një profesion fitimprurës në Shqipëri?

15.05.2021 - 11:38

Ndërsa pak sipërmarrës mund të kenë lidhje me artin, të gjithë artistët mund të jenë sipërmarrës. Sa potencial ka arti shqiptar që të shitet dhe të shndërrohet në një profesion fitimprurës?

Nga Deada Hyka

Nuk është e pazakontë për vizitorët në një galeri arti të pyesin veten: “Çfarë thotë autori?” në një pikturë a skulpturë të ekspozuar. Por, në një ekspozitë në një galeri në qendër të Tiranës, çmimet e varura në secilën pikturë nuk lënë shumë vend për interpretim.

Pra, a është kjo një shfaqje arti apo një dyqan ‘pop up’?

Ndërthurja e artit me tregtinë po bëhet një trend. E lidhur detyrimisht nga nevoja e artistëve freelance për të qenë në treg dhe për ta shndërruar profesionin në fitimprurës, sidomos nëse nuk janë pjesë e ndonjë projekti apo pune tjetër.

Por, a mund të shitet arti dhe çfarë vlere ka për shqiptarët? Arti përcaktohet si “shprehja ose zbatimi i aftësive dhe imagjinatës krijuese njerëzore”. Duke qenë i tillë, shitësit, që mund të jetë vetë artisti ose një menaxher arti, duhet të bëjnë shumë më tepër në drejtim të shfaqjes, marketingut, dizenjimit të produktit e kështu me radhë. Kështu që po, ka një shkrirje më të madhe midis artit dhe shitjes me pakicë vitet e fundit dhe ky është vetëm një shembull i tij.

Sa prej nesh do të ëndërronim të bënim punën e ëndrrave, të cilën e duam, e kemi pasion, që nuk lodhemi kurrë dhe nuk na sjell rutinë? Artistët e kanë tashmë. Ajo që artistët pohojnë njëzëri është që arti ka pak vlerë në Shqipëri. Kjo ka sjellë dy problematika, e para lëngimin e artistëve në një treg të vogël kaotik dhe të pavlerësuar dhe, nga ana tjetër, eksodin e artistëve. Artistët që vijojnë të mbeten në Shqipëri tentojnë të hapin galeri private apo të përfshihen në projekte të ndryshme në këtë fushë, me qëllim monetizimin e punës së tyre. Artistët që janë jashtë, i ekspozojnë punimet në vendet përkatëse, detyrimisht me çmime më të larta se sa tregu shqiptar do t’u ofronte dhe kjo nuk i tundon më të rikthehen.

Ndërkohë ka një pjesë të artistëve që kanë gjetur mënyrën për të mbijetuar në treg, në mediumet përkatëse të artit, si freelance. Kanë krijuar një studio të tyre, duke marrë porosi, sidomos në artet vizive.
Genc Përmeti, kineast dhe producent, thotë se njëkohësisht, këta artistë janë përshtatur me kërkesat e tregut. “Fatkeqësisht po shohim një tendencë për të shkuar drejt imazheve që ofron pinterest për piktura e ambiente, të cilat në vetvete janë imazhe referenciale se ku mund të vendoset një vepër, jo ajo që vepra e vërtetë do të jetë”, – thotë z. Përmeti, i cili shton që shqiptarët, kryesisht bëjnë porosi pikturash me imazhe, pak vlerësojnë piktorët autentikë shqiptarë.

“Duhet të pranojmë që është një treg jo i lehtë, vijon z. Përmeti, tendenca po shkon edhe drejt vlerësimit të veprave pas vdekjes së artistëve të arteve vizive, kryesisht të viteve 1930, të cilat duke qenë të pakta në numër, i shndërron ato në objekte të rralla dhe të shtrenjta.

Sipas tij, ajo që dëmton procesin e vlerësimit të veprave të artit në vend, është ndërtimi i hierarkisë së sistemit të vlerave në çmim, e cila ende s’ka gjetur një terren, të bazuar, në një format vepre të caktuar. “Ka një kapriço që çmimi vendoset nga çmimi, pa ndërtuar një vlerë minimale dhe që ka unitet në këtë fushë. Në këtë proces, vjen ankandi në ndihmë, por organizime të tilla ka pak në vend”, – thotë z. Përmeti, i cili shton se në Shqipëri, vlera e një produkti arti mbahet në termat e legjendës. Një artist, sipas tij, nëpërmjet veprës shet edhe emrin dhe ndërtimi i emrit në vendin tonë, në një komponent kulturor e social, do ta shndërronte më vonë veprën në një produkt investimi.

Shitja e punimeve artistike, kryesisht pikturave, është kthyer në një biznes pak fitimprurës në tregun shqiptar. Sipas një vëzhgimi, në kryeqytet ekzistojnë rreth 10 galeri arti të mirëfillta, ku më të njohurat janë Galeria 43, Galeria e Arteve E Rira, Galeria Kalo, Galeria FAB, Galeri Zeta, Galeria 70, etj.
Ndërkohë, në zona të ndryshme të kryeqytetit, syri të zë mjaft dyqane ku gjen të ekspozuara piktura me tematikë dhe çmime të ndryshme.

Piktura dhe arti nuk vlerësohen mjaftueshëm, pohon Lauresha Basha, drejtuese e “Galeria 70”. “Për këtë, pa dyshim, ka ndikuar mungesa e theksuar e infrastrukturës së artit, edukimi minimal me artin, mungesa dramatike e kritikës apo vlerësimeve mbi artin në shtyp.

Arti dhe kultura në botë janë pjesë e rëndësishme e titujve kryesorë të gazetave të njohura: Financial Times, The Guardian, New York Times, Le Monde, Le Figaro, Neue Zurcher Zeitung të gjithë kanë jo vetëm gazetarë të specializuar për kulturën të cilët i ndjekin personalisht eventet e kulturës, por i kushtojnë hapësirë të rëndësishme analizave e intervistave me artistë, kuratorë, drejtorë muzesh. Shtypi në fundjave ka rubrika të zgjeruara kushtuar artit e shijeve estetike”, – thotë ajo. Arti pamor shihet thjesht si element dekorativ, pohon znj. Basha, Por, sipas saj, një vepër e mirë arti shkon shumë përtej funksionit dekorativ.

“Është një vlerë estetike, me të cilën bashkëjetojmë çdo ditë; është një vlerë emocionale që lidhet me momentin, apo artistin nga i cili e kemi blerë veprën; një element krenarie kur ua prezantojmë miqve e shokëve që na vijnë në shtëpi a në zyrë; një element edukimi, trashëgimie e pasurie për fëmijët tanë; një element nostalgjie dhe kujtese kur e kemi trashëguar nga prindërit; një element interesi dhe kurioziteti kur ndjekim lajme mbi artistin që e ka krijuar apo një rryme arti; një element investimi, që një ditë mund të na shërbejë si kolateral për të marrë një kredi, apo burim të ardhurash nëse e rishesim; është një element reputacioni; pjesë e pasurisë sonë si individë që mund ta dhurojmë në një muze e të përjetësoje emrin tonë e të familjes për shumë breza; një element filantropie kur kemi investuar në një artist të ri e i kemi dhënë shanse për të ecur përpara”, – pohon ajo.

 

Problematika

Arsyet ekonomike kryesojnë listën e problematikave të fushës së artit në vendin tonë dhe të potencialit që do të mund të kishte, në rast se do të kishte politika të mirëfillta mbështetëse për artistët.
Z. Përmeti thotë se komuniteti i artistëve has vështirësi duke qenë se mungon bashkëpunimi me kompani të ndryshme që do t’i mundësonin financiarisht hedhjen në treg të tyre, kjo pasi kompanitë stepen nga mosnjohja e shpenzimeve në këtë fushë si pjesë e incentivave nga shteti.

“Kudo në botë, bankat apo shoqëritë e siguracioneve apo kompani të mëdha kanë një fond të caktuar për artin, për të cilin janë të përjashtuar nga sistemi i tatimeve. Edhe rajoni e ofron një incentivë të tillë, që duket se mungon vetëm në Shqipëri. Kjo, jo vetëm do të përkrahte artin, por do t’i jepte frymë të re fondit kulturor. Përveç kësaj, dhe shteti vetë do të duhej të ishte më tepër përkrahës, kujtojmë ‘tax shelter’ që nxit pjesëmarrjen e kompanive të mëdha hollivudiane në vendin tonë dhe do të nxiste së tepërmi investimet e huaja në industrinë kombëtare të kinemasë”.

Piktori Rakip Shabani shprehet se mungojnë aktivitetet për artin pamor nga institucionet, gjë që e bën të vështirë ekspozimin e veprave të autorëve të ndryshëm.
“Çfarë bëhet në fushën e artit pamor nga Ministria e Kulturës dhe Galeria Kombëtare e Arteve për ekspozita kombëtare apo konkurse? Asgjë nuk është bërë. Janë vetë artistët, të cilët mes shumë vështirëve hapin ekspozitat e tyre dhe mundohen të jenë pjesë e jetës artistike, sepse nga këto institucione, nuk ka ndihmë. Sot, Galeria Kombëtare e Arteve nuk blen më as vepra nga artistët e ndryshëm, për të pasuruar fondin e saj.

GKA nuk blen më vepra si dikur, por shumë vepra tona po vijnë dhe po i marrin të huajt. Po të vini re te pedonalja në Tiranë ka disa artistë modestë, por dhe ata shesin disa punë në rrugë. Forma e artit është e patjetërsueshme. Ajo do të ekzistojë përderisa do të ekzistojë njeriu”, – pohon z. Shabani. Sa i përket ndikimit të pandemisë, ai shprehet se “arti nuk mbyllet për arsye se fjala art do të thotë ndjenjë”. Por padyshim, pandemia ka pasur ndikimin e saj në mungesën e aktiviteteve.

 

Menaxhimi i artit

Menaxhimi i artit shërben si një zgjidhje për problemet sociale të shoqërisë. Është i nevojshëm një vizion alternativ dhe plotësues që lejon, vlerëson dhe promovon perspektiva të tjera të vlerave krijuese në menaxhimin e artit. Sipas prof. të menaxhimit të artit, Pandi Madhi, në Shqipëri, ka ardhur koha që menaxhimi i tyre të ngrihet në një nivel më të lartë profesional.

“Përvoja e shumë shteteve vërteton se komunitete të tëra mund të mbështeten vetëm mbi identitetin kulturor të tyre, si një burim të vlerave krijuese. Sidoqoftë, në shumicën e këtyre përvojave, kontributet sociale që janë krijuar nëpërmjet proceseve menaxhuese spontane dhe intuitive, janë të një rëndësie të madhe dhe me ndikim në komunitetet përkatëse. Këto procese, në të cilat është krijuar një vlerë sociale, çojnë në shumë raste në një parakusht për krijimin e një vlere ekonomike. Fusha e menaxhimit të artit është shumë e gjerë, e larmishme, ndryshon vazhdimisht dhe kërkon efikasitet dhe natyrisht të japë rezultate konkrete produktive. Sot, në Shqipëri, ka ardhur koha që menaxhimi i tyre të ngrihet në një nivel më të lartë profesional, pasi janë shtuar vështirësitë me mënyrën autodidakte në fushën e menaxhimit të arteve dhe për rrjedhojë, të artistëve”, -thotë z. Madhi.

Sipas një pyetësori të kryer me disa artistë të fushës së arteve pamore, prof. Madhi thekson disa nevoja:

-Artistët figurativë kanë vështirësi në gjetjen e tregut. Ky treg, në shumicën e qyteteve kryesore mungon, por dhe në Tiranë është treg shumë i vogël. Ai funksionon më së shumti në disa galeri të vogla private, ku çmimet e veprave të artit janë përgjithësisht të ulëta.

– Në Shqipëri mungojnë institucionet e vlerësimit financiar të veprave të artit skenik, artit muzikor, artit pamor. Mekanizmi kërkesë-ofertë-vlerë pothuaj mungon tërësisht. Kjo ka vështirësuar dhe vështirëson vendosjen e çmimeve reale të veprave mbi bazën e cilësisë artistike.

– Në veçanti, për artin pamor, mungon organizimi profesional i ankandeve të specializuara (nëpërmjet të cilave evidentohet çmimi i veprave të artit), në bashkëpunim me shtëpi të huaja ankandesh dhe me pjesëmarrje të koleksionistëve të huaj.

– Shteti bën pak, ose aspak për promovimin e veprave të artit, si nëpërmjet organizimit të ekspozitave apo panaireve të artit, por edhe nëpërmjet blerjes së një pjese të veprave të artit për institucionet shtetërore dhe publike, muret e të cilave pothuaj janë bosh.

– Cilësia e materialeve artistike lë për të dëshiruar, sepse i tillë është tregu, që kërkon materiale me çmime të ulëta, rrjedhimisht cilësi e ulët.

Z. Madhi këshillon edhe promovimin e shfaqjeve të reja teatrale, nëpërmjet ndërgjegjësimit të bizneseve që mund të ofronin bashkëpunim, sponsorizime, etj.

“Prania e menaxherit të artit pranë artistit, apo institucionit artistik është një kosto për ta, që mund të shkojë në shumë raste 10, 20, apo 35% të të ardhurave të realizuara, por përfitimet financiare nga prania e një menaxheri profesionist në shumë raste e tejkalojnë këtë ‘pengesë’, apo tarifë, si shpenzim i arsyeshëm i artistit ndaj menaxherit. Për këtë arsye, mendoj se ka ardhur koha e përgatitjes së menaxherëve të arteve të bukura, të cilët do të ndikojnë dhe në rritjen e cilësisë artistike. Pra ‘Po’ këtij profesioni të rëndësishëm, që ka ndikimin e vet në jetën shpirtërore të publikut në tërësi”, – përfundon z. Madhi.

 

Sa artdashës janë shqiptarët?

Situata e krijuar nga COVID-19 ka ndikuar, përveç të tjerave, dhe në art e kulturë, në jetën kulturore të shoqërisë, si dhe në promovimin e diversitetit kulturor. Si rrjedhojë, për shkak të kufizimeve për parandalimin e përhapjes së pandemisë, INSTAT raporton se, aktiviteti kulturor në institucionet e artit dhe kulturës pati një pezullim thuajse 3-mujor vitin e shkuar, me disa vizita sporadike në sitet e trashëgimisë kulturore me kufizime.

Në një vështrim të përgjithshëm të vitit të shkoi, janë organizuar gjithsej 328 shfaqje dhe premiera në institucionet qendrore të artit. Krahasuar me vitin e kaluar, pra 2019, ky numër është shumë i ulët për shkak të situatës së krijuar nga pandemia. Megjithatë, institucionet e artit kanë vijuar veprimtarinë me shfaqje dhe premiera online, të publikuara në rrjete sociale, të cilat kanë qenë risi.

Në tremujorin e parë 2020, Teatri Kombëtar Eksperimental është institucioni që ka realizuar numrin më të lartë të shfaqjeve dhe premierave, me 96 të tilla, përkatësisht 92 shfaqje dhe 4 premiera. Në totalin e shfaqjeve të organizuara,

Teatri Kombëtar Eksperimental ka organizuar 50,5% të shfaqjeve. Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë është institucioni i dytë, me numrin më të lartë të shfaqjeve gjithsej, me 45 të tilla, 23,7% të shfaqjeve gjithsej.

Në tremujorin e dytë 2020, janë organizuar 45 shfaqje dhe premiera online, 31 shfaqje në Teatrin Kombëtar Popullor dhe 6 shfaqje në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Premiera online janë organizuar 8, të gjitha në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.

Në tremujorin e tretë 2020, janë organizuar 13 shfaqje dhe premiera të hapura, 7 shfaqje në Teatrin Kombëtar Eksperimental, 4 shfaqje në Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë dhe 2 shfaqje në Cirkun Kombëtar. Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë gjatë këtij tremujori ka shfaqur një premierë online.
Në tremujorin e katërt 2020, janë organizuar gjithsej 80 shfaqje dhe premiera të hapura, 7 shfaqje në Teatrin Kombëtar Popullor, 32 shfaqje në Teatrin Kombëtar Eksperimental, 20 shfaqje në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, 16 shfaqje në Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë dhe 5 shfaqje në Cirkun Kombëtar.

 

Regjimi fiskal për artistët

Në rastin e një artisti, i cili krijon vepra arti dhe zotëron të drejtën e autorit, për çdo aktivitet apo ekspozim të veprave të artit, apo shitje rast pas rasti të tyre (jo i vazhdueshëm) konsiderohet si një veprimtari pasive ekonomike, nuk i plotëson kriteret sipas ligjit të procedurave tatimore dhe atij të TVSH (ligjet ku përmendet regjistrimi i aktiviteteve në Tatime). Në këto kushte, një artist detyrohet të bëjë deklarim dhe pagesë për shitjet e kryera sipas pikës më poshtë për deklarimin dhe pagesën.

 

1. Tatimi mbi të ardhurat

E ardhura e tatueshme

Neni 4, pika gj. Të ardhurat nga e drejta e autorit dhe pronësia intelektuale. Këto janë të ardhura që lindin nga përdorimi apo e drejta për të përdorur të drejtat e autorit në letërsi, art, muzikë apo shkencë, që përfshijnë përdorimin apo të drejtën për të përdorur filmat kinematografikë, filmat dhe regjistrime të ndryshme për radio apo TV, çdo patentë, markë tregtare, skicë apo model, projekt, formulë sekrete, informacion apo proces teknologjik, lidhur me aktivitete industriale, tregtare apo shkencore.

Detyrimi për llogaritjen e tatimit në burim

Të gjithë personat, përfshirë personat juridikë, ortakëritë, personat fizikë tregtarë, rezidentë tatimorë në Shqipëri, organet e qeverisjes qendrore apo vendore, organizatat jofitimprurëse, dhe çdo ent apo person juridik i krijuar si i tillë në Shqipëri, që bën pagesë të çdonjërës nga llojet e pagesave që përfshihen nenin 33. Është i detyruar të mbajë tatim në burim.

Shkalla tatimore dhe llogaritja e tatimit

Tatimi në burim mbahet në masën 15% të pagesës bruto për të gjitha pagesat.
P.sh. Çmimi i kompozimit të një kënge është 100 lekë. Tatimi në burim llogaritet në nivelin 15 lekë, që korrespondon me tatimin që mbahet mbi të ardhurat bruto (çmimin e shitjes).

Deklarimi dhe pagesa

Personi rezident i regjistruar për qëllime të deklarimit të këtij tatimi, i cili kryen pagesat e parashikuara në nenin 33 të ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, deklaron dhe paguan tatimin e mbajtur në burim, në masën 15% të shumave bruto të pagesave, deri në datën 20 të muajit që pason muajin e pagesës. Për këtë qëllim bëhet regjistrim vetëm për të kryer deklarimin dhe pagesën e tatimit, por nuk konsiderohet një regjistrim i përhershëm, por vetëm për këtë rast.

2. TVSH

Trajtimi me TVSH i një piktori ndodh në rastin kur qarkullimi i vlerës gjithsej prej shitjes së veprave artistike kalon 5 milionë lekë për një vit kalendarik. Nëse vlera e qarkulluar që nuk përkon me një vit kalendarik është nën këtë shumë, atëherë mbetet në vendimmarrjen e individit për të kërkuar të regjistrohet, nëse mendon se mundet ta arrijë këtë shumë qarkullimi ose jo. Në rast tejkalimi të pragut të xhiros për regjistrimin në TVSH, ligji në përcaktimet e aktiviteteve dhe furnizimeve të përjashtuara prej TVSH nuk e ka të përcaktuar aktivitetin artistik në përgjithësi (ka të përmendur vetëm kulturën).

 

Arti në botë

Shitjet globale të artit dhe veprave antike arritën rreth 50.1 miliardë dollarë në vitin 2020. Shifra ishte nën 22% në 2019, por përsëri mbi recesionin e ulët të 2009-s, kur shitjet ranë me 36% në 39.5 miliardë dollarë. Tregu amerikan mbajti pozicionin e tij si udhëheqës, me 42% të vlerave të shitjes globale.

 

Arti fitimprurës i falsifikimeve

Arti është objekt i pëlqyer investimi kudo në botë. Kjo favorizon krijimin e një tregu për falsifikuesit, pre e të cilëve bien edhe ekspertët. Sa më shumë të interesuar për artin, aq më shumë falsifikime. Skandale falsifikimi ka vazhdimisht.

Një nga më të mëdhenjtë e kohëve të fundit në Gjermani ishte rasti i Wolfgang Beltracchi-t. Ai dhe bashkëpunëtorët e tij duhet të kenë fituar të paktën 16 milionë euro me tregtinë e pikturave të falsifikuara të stilit klasik modern. Një nga falsifikimet e tij, “Piktura e kuqe me kuaj” u shit në ankand për 2,9 milionë euro, si gjoja punim i ekspresionistit Heinrich Campendonk. Me falsifikimin e një vepre të Max Ernst, Beltracchi arriti të mashtronte madje edhe një historian arti, Werner Spies, i cili njihet si ekspert i Max Ernst. Pas një procesi që pati vëmendje të madhe mediatike, Beltracchi u dënua në 2011 me gjashtë vjet burg, nga një gjykatë në Këln.

Tregu për falsifikuesit e veprave të artit është rritur po aq sa interesi i popullsisë për artin, thotë historiania e artit Susanna Partsch në bisedë me Deutsche Welle. Ajo është autore e librit “Vendi i krimit – art”, dhe merret prej vitesh me historinë e falsifikimeve. “Ajo shkon prapa në kohë deri në periudhën e barokut, por asokohe tregu ishte ende shumë i vogël. Ai u rrit në shekullin e XIX, me themelimin e muzeve, ndër të tjera në SHBA, dhe amerikanët që nuk kishin një histori aq të gjatë sa europianët, blinin art në Europë.” Para së gjithash, në Itali u krijua, sipas Partsch, asokohe një treg i madh për art të falsifikuar.

Dhe interesi është në rritje. Qoftë Documenta apo Bienale, panairet e artit po bëhen gjithnjë e më popullore. Zv.drejtorja e Muzeut Ludwig në Köln, Katia Baudin, e konsideron të mundshme që kriza financiare ta ketë shtuar interesin për artin si objekt investimi. Dikujt mund t’i duket më e sigurt të investojë në një pikturë se sa në imobilje apo letra me vlerë.

Edhe pse shumë raste zbulohen në Europë, falsifikime arti ka në të gjithë botën: “Në Kinë është një fshat i tërë në të cilin prodhohen zyrtarisht kopje, të cilat madje mund t’i porosisësh. Një Mona Lisa për 30 euro? Pa problem. Është diçka e njohur që atje shkojnë edhe tregtarë dhe mashtrues, japin porosi dhe pikturat shiten në Europë apo Amerikë si origjinalë”, thotë Partsch.

Pa një ekspertizë shkencore, falsifikimet shpesh dallohen me vështirësi si të tilla, shpjegon historiania e artit. Punishtet e pakta të restaurimit që ekzistojnë, si p.sh. Instituti Doerner në Mynih, janë për këtë arsye “të mbingarkuar dhe duhet shumë kohë për të kryer ekspertizën e një vepre arti”. Edhe Katia Baudin thekson rëndësinë e kontrolleve teknike të veprave të artit. Raste si ai i Beltracchi-t kanë treguar se ekspertiza e një historiani arti, që e sheh veprën vetëm nga jashtë, shpesh nuk është më e mjaftueshme.

Me ndihmën e rrezeve ultraviolet mund të shihet për shembull, nëse punimi është restauruar, me rrezet infra të kuqe mund të bëhet e dukshme skica fillestare e artistit nën pikturë. Kontrolle të tilla janë të shtrenjta dhe duan shumë kohë, por të domosdoshme.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN