MENU
klinika

Detaje nga krimi në 2018-ën

Tre vite më parë vëllanë ia vranë, sot i djegin makinën

10.05.2021 - 11:18

Nuk ka qetësi për familjen Hysa në Krujë. Tre vite pas lajmit të rëndë për vrasjen e djalit të tyre, Eljon Hysa, mbrëmjen e djeshme, persona ende të paidentifikuar i kanë vënë zjarrin makinës së djalit tjetër, dyshohet qëllimisht.

Panorama mëson se autorët kanë djegur makinën e vëllait të Eljon Hysës, e cila ishte parkuar në oborrin e banesës së motrës së tij.

Për ngjarjen, policia ka nisur hetimet duke u bazuar në pamjet filmike që janë ndodhur në zonë si dhe janë shoqëruar deri më tani 6 persona të dyshuar.

Eljon Hysa u gjet i vrarë e i groposur në Nikël më 14 korrik të vitit 2018.

NGJARJA (ne korrik 2018)

Gjendet i vrarë me armë zjarri dhe i groposur i riu që ishte në kërkim për një vrasje në Sarandë, për të cilin familjarët e tij në Laç dhanë alarmin në Polici për zhdukjen e tij, duke dyshuar për një hakmarrje të mundshme.

Eljon Hysa, i njohur edhe me emrat Kejsi dhe Sahit Hysa, u gjet 10 ditë pas denoncimit për zhdukjen e tij. Ai ishte ekzekutuar me një plumb në kokë dhe më pas është groposur pranë varrezave të Niklës në Fushë-Krujë. Policia bëri të ditur se 34-vjeçari nga Laçi, me precedent penal dhe i shpallur në kërkim, është vrarë nga dy persona nga Nikla, njëri prej të cilëve i arrestuar dhe tjetri është shpallur në kërkim.

BORXHI

Policia ka nisur menjëherë kërkimet, pasi familjarët e të riut kanë kryer denoncim. Ata i kanë pohuar grupit të hetimit se 34- vjeçari Eljon Hysa po merrte një dyqan me qira në Nikël dhe në datën 5 korrik kishte lënë një takim me telefon me një person nga kjo zonë, që kishte në pronësi një mobilieri. Por që prej asaj date, ai nuk ishte kthyer më në shtëpi dhe telefoni i tij iu dilte i mbyllur.

Për shkak se ai ishte në kërkim si autor i një vrasjeje të ndodhur me 10 korrik të vitit 2015 në Sarandë, familjarët kanë dyshuar fillimisht për një hakmarrje të mundshme, çka i ka detyruar ata që t’i drejtohen Policisë për ndihmë. Menjëherë pas denoncimit, Policia ka marrë të dhëna për personin e fundit me të cilin kishte komunikuar i zhdukuri.

Ai ishte shtetasi Hysni Ramaj. Nga verifikimi i kryer me tabulatet telefonike rezultoi se ai ishte telefonuar me viktimën më datë 5 korrik dhe kishin lënë takim. Gjithashtu janë zbuluar mesazhe mes tyre, nga ku dilte në pah fakti se viktima i kishte marrë një shumë parash në formë borxhi Ramajt. Ky i fundit kishte këmbëngulur së fundmi në kthimin e parave të tij, madje duke e kërcënuar 34-vjeçarin. Policia ka shpallur në kërkim edhe shtetasin me inicialet A.T., i cili dyshohet se ka lidhje me krimin.

ZBULIMI

Pas zbulimit të mesazheve, Policia ka mbajtur në survejim të dyshuarin, ndërkaq ka marrë në pyetje edhe banorë rreth zonës. Këta të fundit, sipas të dhënave, kanë deponuar për një varr të dyshimtë të hapur te varrezat e Niklës, ndërkohë që në zonë nuk kishte asnjë person të vdekur në këto ditë. Kjo ka bërë që Prokuroria e Krujës të firmoste urdhrin dhe të hapej varri.

Aty Policia ka gjetur trupin e të zhdukurit 10 ditë më parë. Ndërsa disa metra më tej, u gjetën edhe dy armë zjarri; një pistoletë dhe një pushkë automatike, të cilat dyshohet të jenë përdorur për ekzekutimin e të riut. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se 34-vjeçari i zhdukur ishte ekzekutuar me plumb në kokë. Dyshohet se krimi ka ndodhur gjatë natës së datës 5 korrik dhe po atë natë dy autorët e dyshuar kanë hapur varrin dhe e kanë groposur atë me qëllim që të humbnin gjurmët.

Në fakt, banorët që kanë shkruar te varret e të afërmve të tyre janë habitur kur kanë parë një varr të sapohapur, pasi askush në fshat nuk kishte ndërruar jetë. Kjo ka qenë një orientim për hetimorët, të cilët e kanë marrë si sinjal dyshues që në momentin që kanë pyetur banorë të zonës nëse kishin parë diçka të dyshimtë në ditët e fundit.