MENU
klinika

Frika për bojkot, prapaskenat e zgjedhjeve për kreun e PD!

Udhëzimi nuk u dha të drejtë për anëtarë në komisionin zgjedhor

25.05.2021 - 12:47

Kandidatët e miratuar dy ditë më parë nga kryesia e PD për kryetar të Partisë Demokratike nisën dje zyrtarisht fushatën për të bindur demokratët për t’i votuar më 13 qershor e për t’i drejtuar në 4 vitet e ardhshme.

Kryedemokrati aktual, Lulzim Basha, rinisi dje takimet me strukturat e PDsë, por këtë herë për dy qëllime. Për t’i falënderuar për punën që bënë në zgjedhjet e 25 prillit dhe njëkohësisht për t’u kërkuar që ta besojnë në krye të partisë që atë që s’e arritën më 25 prill, ta bëjnë realitet në zgjedhjet e ardhshme.

Basha e nisi fushatën e tij brenda Partisë Demokratike nga Berati. Për Bashën, zgjedhjet e 25 prillit ishin masakër elektorale nga ana e kundërshtarit politik, ndërkohë, sipas tij, demokratët zhvilluan një fushatë model, me program, me ide dhe ndershmërisht, ndaj edhe ka zgjedhur që në turin e takimeve t’i falënderojë për bashkëpunimin për 25 prillin. Por teksa Lulzim Basha nisi takimet e fushatës edhe si kryedemokrati aktual, kandidatët e tjerë janë një hap pas.

Në mesin e tyre ka një druajtje se anëtarësia në degët e PD-së nuk do të mblidhet që t’i dëgjojë. Ndaj, teksa kryedemokrati Basha zbriti në terren, kandidatët e tjerë, Agron Shehaj, Edit Harxhi dhe Fatbardh Kadilli, u morën me detajet teknike. Shtabet e tyre elektorale janë marrë me koordinimin e axhendës së takimeve, duke koordinuar edhe takimet me strukturat e PD në mënyrë që të shmangin rastet që anëtarësia të mos u shkojë në takime.

Ndërkohë, hapi i radhës së kandidatëve Shehaj, Harxhi dhe Kadilli ishte caktimi i vëzhguesve në komisionin zgjedhor të ngritur në Partinë Demokratike. Duke qenë që në këto zgjedhje udhëzimi nuk u jepte mundësi kandidatëve që të kishin anëtarin e tyre në komisionin qendror të zgjedhjeve të ngritur në PD dhe në komisionet e votimit dhe numërimit sipas udhëzimit të miratuar nga kryesia ata caktuan të besuarit e tyre për të vëzhguar procesin.

Gazeta “Panorama.al” mësoi se kandidatja Edit Harxhi ka depozituar në sekretarinë e komisionit zgjedhor në PD emrin e Bislim Ahmetajt, një nga themeluesit e Lëvizjes së Dhjetorit si vëzhgues të procesit. Po ashtu, mësohet edhe slogani i fushatës së Edit harxhit, “Të ringremë PD-në me vizion të ri dhe mbi idealet e ‘90-ës”, ndërsa Agron Shehaj ka caktuar të besuarin e tij, Erald Kaprin. Këta do të monitorojnë çdo veprim të procesit zgjedhor. Ndërkohë, nuk dihet nëse Lulzim Basha ka caktuar një vëzhgues

PËRBËRJA E KOMISIONEVE

Udhëzimi që iu vendos përpara anëtarëve të kryesisë së Partisë Demokratike për të votuar të dielën në mbrëmje cakton që përbërja e anëtarëve të komisioneve të votimit dhe numërimit të përbëhet nga nivelet drejtuese të degëve të PD.

Ndërkohë, kandidatët kanë të drejtë të kenë edhe vëzhgues të përhershëm, si në procesin e votimit, ashtu edhe në procesin e numërimit, “Komisioni i votimit dhe numërimit përbëhet nga 3 anëtarë titullarë, të caktuar nga Komisioni Zgjedhor i Partisë, me propozim të kryesisë së degës dhe anëtarë vëzhgues si përfaqësues nga secili kandidat.

Komisioni i votimit dhe numërimit ka në përbërje 3 anëtarë, si më poshtë: një nga nënkryetarët e degës – Kryetar; sekretarin për çështjet zgjedhore dhe aksionin elektoral në degë – Sekretar; sekretarin organizativ të degës – Anëtar. Secili kandidat ka të drejtë të caktojë një anëtar vëzhgues, që duhet të jetë anëtar partie i degës përkatëse”, përcaktoi dje Kryesia e PD-së. Për të votuar, një anëtari të PD-së i duhet një mjet identifikimi (ID, pasaportë ose patentë) dhe nëse nuk ka emrin në listë, duhet të nxjerrë edhe kartën e anëtarësisë.

Kujtojmë që nga praktikat e mëparshme për kryetar të PD, në zgjedhjet e 2017 kandidatët nuk kishin të drejtë të caktonin një anëtar në komisione, ndërsa po të marrim rastet e mëhershme kandidatët kanë pasur anëtarët e tyre në komisione.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN