MENU
klinika

Onufri

“Zbritja në ferr”

02.05.2021 - 12:36

        Ikona “Zbritja në ferr” është një ikonë mjaft interesante e pikturuar nga mjeshtri i ikonografisë Onufri, e cila u pikturua për të zbukuruar ikonostasin e kishës së Ungjillëzimit në Berat.

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar bën të ditur se ikona paraqet momentin e kalimit nga errësira në dritë. Figura brilante e Krishtit të veshur në ar shoqërohet nga pas prej korit të engjëjve, të cilët janë pikturuar brenda një rrethi.

Grupet e figurave rrethohen nga shkëmbinj, lart dhe poshtë. Shpëtimtari ngre Evën e veshur në të kuqe dhe Adamin, tip ikonografik ky, mjaft familjar, që nga shek XIV.

Këta të dy, shoqërohen nga grupe profetësh dhe shenjtorësh. Poshtë këmbëve të Krishtit, shihen portat e Ferrit, që ai i ka thyer dhe Satani që Krishti e ka mposhtur.

Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë, falë ndërtimit bashkohor, është një ndër destinacionet më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore. I pozicionuar përgjatë bulevardit “Fan Noli” në Korçë, ky muze është jo vetëm një ekspozitë vizive vlerash, por edhe një institucion unikal në rajon.

Në godinën e re të muzeut janë ekspozuar rreth 400 ikona nga të cilat, 250 ikona i prezantohen publikut për herë të parë

Onufri

Njihet si piktori me i madh ikonograf i Shqiperise.Onufri ka lindur ne shekullin e XVI, në Shqipërine e Mesme. Ka hamëndësime për në Berat, sipas asaj që ai ka thënë, por edhe në Shpat, ku në kishën e vogël të Valshit, që ai e ka pikturuar vetë – është ende një varr i paidentifikuar. Mendohet se ka lindur më 12 qershor, pasi kjo datë është Dita e Shën Onufrit. Ky i fundit ka qenë një shenjtor asket, në fillimet e krishtërimit.

Në fakt, ka lindur në një periudhe shumë aktive. Skënderbeu, heroi ynë kombëtar, kishte vdekur para gjysmë shekulli, ndërsa osmanët kishin pushtuar Shqipërinë. Duhet thënë se, bashkë me të – tashmë rezistenca e famshme shqiptare kishte rënë dhe turqit po mendonin organizimin e brendshëm të këtij vendi krejt të rrenuar. Ata ndërtuan kështjella, rregulluan administratën dhe u munduan të konvertonin shqiptarët. Në Shpat, shqiptarët shpëtuan nga islamizmi, duke mbajtur dy identitete. Ndërsa krishtërimi, një shenjë rezistence – kishte edhe motivet e veta, që ishin një shenjë e afirmimit shpirtëror dhe mospajtimit me pushtimin turk, ndaj kuptohet lehtë vlera e punës së Onufrit.

Pak dihet, nga jeta e Onufrit. Deri ne vitin 1547, ai pikturoi në Berat. Më 1547, në Berat dhe Kostur, dhe më 1555 në Shelcan. Ai i nënshkronte punët artistike me titullin “Protopapa”, çfarë tregonte se kishte një rang të konsiderushëm në hierarkine ekleziastike të Bizantit. Onufri krijoi dhe shkollën e tij për pikturë, që u pasua nga i biri, Nikolla, nga Onufër Qiprioti dhe nga Konstandin Shpataraku.

Në kohën e Onufrit, pikturat sakrale bizantine ndiqnin kanonet e Paleologëve. Kur, ai pikturonte motivet bizantine duhet thënë se Onufri e lironte veten nga ngushtimet që i imponoheshin në artin e tij. Ai ka pikturuar peizazhe, qytete, fshatare, barinj shqiptarë dhe veçanërisht kalorës. Shën Gjergji, që ka bërë ai, mendohet si një nga kalorësit që ka luftuar në autoritetin e Skënderbeut dhe është shenjti ynë kryesor kombëtar. Nga stili i tij mund të hamendësojmë që ka elemente, qe mund ta afrojnë atë me Rilindjen Evropiane.

Si mjeshtër i portretit, Onufri depërtoi në botën e brendshme të karaktereve të tij. Nuk ndoqi ligjet e perspektivës negative në pikturë, që do të thotë:  objektet e largëta, t’i bënte më të afërta se ato që ishin në plan të parë. Tek ai, shihet dhe fillesa e pikturës realiste të peizazhit.

Por, tipari më karakteristik i tij është e kuqja, që ai e aplikoi jo vetëm në ikona, por edhe në afreske dhe sot e njohim si “E kuqja e Onufrit”. Mbetet enigmë mënyra sesi e përgatiste këtë ngjyrë dhe misteri mbetet sërish rreth figurës së tij në botën mistike, botën që i kushtoi gjithë punën në jetën e tij.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


UNESCO

Berati Unik