MENU
klinika

Nga Alfred Peza

Zgjedhjet për kreun e PD, si portret politik për Lulzim Bashën

22.05.2021 - 20:12

Doni të dini sesa i fortë është Lulzim Basha politikisht, harrojeni si ishte ai përballë Edi Ramës në zgjedhjet e 25 prillit, por shiheni sesi po vepron brenda partisë që drejton prej 8 vjetësh. Doni të dini sesa demokrat është Lulzim Basha, mos e shihni pse humbi përballë PS për të katërtën herë radhazi, por shiheni sesi po e menaxhon garën për zgjedhjet e reja brenda partisë së tij.

Lulzim Basha është një lider që nuk di ta menaxhojë humbjen, prandaj nuk ia del dot, që të shkojë deri tek fitorja. Lulzim Basha nuk di që ti lexojë shkaqet që e kanë bërë atë një lider simbol të dështimit, ndaj nuk ngjitet dot në lartësinë e një fituesi. Lulzim Basha nuk e ka parë kurrë në sy të vërtetën që e ka sjellë në këtë situatë, ndaj nuk ka as më të voglën ambicje që ta ndryshojë realisht e thellësisht atë, për të shkuar një ditë drejt triumfit.

Duke qenë një lideri i emëruar nga Sali Berisha në krye të PD; duke qenë një lider që nuk e ka fituar kurrë një garë të vetme elektorale; duke qenë një lider humbës; duke qenë një lider hileqar dhe gjumash; duke qenë një lider jo origjinal; duke qenë një udhëheqës pa karizëm dhe pa identitet,- Lulzim Basha pret që kjo histori të përsëritet sërisht edhe në garën e sapo nisur brenda PD, që do të kulmojë me votimin “një anëtar një votë”, më 13 qershor.

Ndaj Lulzim Basha nuk mori përsipër përgjegjësitë e humbjes së opozitës në zgjedhjet e 25 prillit. E ta mendosh se hapi fillimisht edhe shampanjën e fitores dhe hëngri tortën e triumfit. “Fitorja jonë është në kutitë e votimit”,- tha ai, por të nesërmen, lexoi hartimin e refuzimit të humbjes. E më pas, tha se nuk do ti digjte mandatet e deputetëve, duke pranuar kësisoj edhe zyrtarisht, rezultatin e zgjedhjeve. Anipse fitoren e PS dhe Edi Ramës, e kanë çertifikuar jo vetëm KQZ, por edhe OSBE/ ODIHR, SHBA dhe BE.

Lulzim Basha e refuzon humbjen duke sajuar lloj lloj teorish për këtë, sepse ka hallin e garës për kreun e partisë, në mënyrë që të largojë nga vetja përgjegjësitë. Por ai po detyrohet që ta rikthehejë opozitën pas 2 vjetësh brenda Parlamentit dhe sistemit politik e demokratik të vendit, sepse procesi dhe rezultati i zgjedhjeve e legjitimuan atë. Edhe mazhoranca e dalë prej saj u legjetimua. Edhe qeveria e re e Edi Ramës dhe e PS, që do të votohet prej Parlamentit të ri në shtator, u legjetimua.

Lulzim Basha duke qenë një lider plot kontradikta dhe aspak koherent në qëndrimet e veprimet e tij në skenën e madhe politike të vendit, i reflekton më së shumti këto defekte, në garën brenda partisë së tij. Në një garë ku ai nuk e ka dhënë ende dorëheqjen qoftë edhe formale nga kreu i partisë, për të qenë “i barabartë” me sfidantët e tij direkt në garë. Lulzim Basha e ndryshoi datën e zgjedhjeve, duke e afruar nga 22 korriku, në 13 qershor. Ai e ngriti komisionin që do ta administrojë procesin, me kamikazët e tij dhe kontrollon të gjithë strukturat, listat e anëtarësisë dhe vulën e partisë.

E me gjithë këto avantazhe, Lulzim Basha ende nuk është i sigurtë për fitoren, duke reflektuar çdo ditë e më shumë frikë dhe pasigur. Këtë e dëshmon edhe fakti, se deri tani janë futur në garën për kreun e ri të Partisë Demokratike kundër tij 4 kandidatë të tjerë, nga të cilët gjysma janë sfidantë realë dhe gjysma tjetër krejt fiktivë. Është hera e parë që një parti e madhe politike në Shqipëri, regjistron kaq shumë sfidantë përballë kryetarit zyrtar në detyrë, në një garë si kjo!

Sa më shumë kandidatë alternativë që ka në këtë garë, aq më e madhe duket të jetë frika e Lulzim Bashës për fitoren, ndaj ai po kërkon që ta kompensojë këtë përmes hilesë së copëzimit sa më të madh të votës së tyre. Shenjë e sigurtë se po kërkon që të ketë në fund, një përqindje shumë më të madhe votash, krahasuar me secilin prej tyre veç e veç.

Është pikërisht kjo lojë, që e bën fitoren formale të Lulzim Bashës, edhe humbjen e tij më të madhe politike. Sepse ajo do të jetë edhe pasqyra më e pastër për të parë, sesi e do ai në të vërtetë garën elektorale, përballë Edi Ramës dhe PS.

Lulzim Basha nuk është ndër ato lloj liderësh, që nuk e zgjedh kundërshtarin, por zgjedh gjithmonë të fitojë përballë kujtdo. Lulzim Basha deri më sot e ka siguruar njëherë fitoren në tavolinë dhe vetë pas kësaj ka hyrë formalisht në garë, për ta çertifikuar atë.

Ndaj edhe për Shqipërinë, ai do dhe pranon, vetëm standardin e garës që ai po zhvillon sot formalisht brenda PD. Ky është skaneri, për të kuptuar se çfarë lloj lideri është Lulzim Basha dhe se përse ai është i dënuar që të jetë një humbës i përjetshëm!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“PS bëri atë që duhet të bënte opozita…”

Refuzoi kandidimin/ Alfred Peza: S’ka lidhje me pozicionimin në list