MENU
klinika

“Rally Albania 2021” spektakli i makinave në Shqipëri

300 të huaj mblidhen në Vlorë, pilotët: Vend fantastik

06.06.2021 - 13:47

Kjo fundjavë do të sjellë një emocion më shumë dhe një arsye më shumë për të vizituar qytetin e Vlorës. Përveç plazhit dhe temperaturave të nxehta, çdo qytetar do ketë mundësi për të shijuar spektaklin e makinave sportive, “Rally Albania 2021”.

Një garë sportive që në fund do të finalizohet edhe më një fitues, por edhe një tregues shumë pozitiv për turizmin në vend, pas pandemisë së COVID-19.
“Rally Albania 2021”, për të 17-in vit radhazi ka zbritur në qytetin e Vlorës, ku 200 pilotë, 300 të huaj nga e gjithë Europa nga 30 shtete, do të marrin pjesë në garën e madhe, që zhvillohet edhe nën mbështetjen e Kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli.

Risia e këtij viti është pjesëmarrja e madhe e vajzave, krahasuar me edicionet e kaluara. Organizatorja e kësaj gare, Julinda Dhamo ka dhënë detaje nga aktiviteti që do të mbledhë në Vlorë fansa të garave të shpejtësisë dhe makinave sportive.

“Është një garë e rëndësishme se ka sportistë, por edhe amatorë që pëlqejnë këtë sport, makinë, fuoristrada, motor fuoristrada dhe një makinë e modifikuiar SSV. Ka shumë të huaj, flitet në të gjitha gjuhët, merremi vesh me anë të shenjave, e rëndësishme është e nisëm në këtë qytet për herë të parë pas 16 vitesh dhe donim një vend kaq të madh , me kaq shumë vendparkimi. Ka djem dhe vajza jo vetëm me makinë, por edhe motor. Kërkon një përgatitje fizike. Garë, por edhe një promovuese shumë e mirë e turizmin. Fakti që kjo garë rritet çdo vit e më shumë, tregon që ka një qasje shumë të mirë te të gjithë garuesit. Garuesit vijnë dhe me pushime këtu me familjen. Është gara më e madhe në Ballkan”, tha Dhamo.

Ajo theksoi se kjo garë shërben dhe për imazhin e Shqipërisë në sytë e të huajve, e ndërsa tha se ka tërhequr jo pak vëmendjen e pushuesve në Vlorë. “Kjo është gara me pjesëmarrjen më të madhe deti tani, janë 17 vite garë, shumë të rinj që vijnë kanë përshtypje ndryshe nga ato që kemi dëgjuar, mjafton që të kemi kapacitete hotelesh që të kenë mundësinë të flenë. Vijnë qytetarët dhe shohin mjetet dhe ka një interes shumë të madh, kemi ndihmën e të gjithë institucioneve”, shtoi ajo.
Njëzëri, pilotët thonë se Shqipëria është një vend fantastik. “Jemi italianë, kemi ‘Pandën’ makinën italiane. Është hera e parë që marrim pjesë në këtë garë dhe do të zbavitemi shumë. Do të jenë ditë të bukura. Ky është simboli Italian”.

foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri foto galeri

“Vlora është vend shumë i bukur, deti shumë i mirë dhe kam ngrënë ushqime tejet të shijshme. Nuk kam bërë shumë gara profesionistes më parë, por do të ketë çdo gjë, gara një pyll, male dhe tatëpjeta”.

“Ne garojmë me tre makina në këtë garë dhe 2 motorë. Nuk është hera ime e parë këtu, kam qenë në 2011, 2012 pastaj ka pasur të tjerë në 2013-14-15. Shqipëria po bëhet më e bukur se ne, të paktën vija bregdetare”.

“Çdo gjë shumë bukur, Vlora është një qytet shumë i bukur, pamje të jashtëzakonshme dhe ujë shumë të pastër dhe ushqim shumë të mirë. Më mirë se kaq nuk mund të ketë”.
“Është hera e parë që vij në Shqipëri në një garë Rally, garë ime e parë Rally dhe shpresojmë që çdo gjë do të shkojë mirë”.

“Unë jetoj në Francë, në Korsikë. Gara është një aktivitet, për të siguruar më shumë pikë për të arritur. Është hera e parë që vij në Shqipëri. Më pëlqen shumë Shqipëria, për shembull Vlora është shumë e bukur.
“Për të arritur këtu ne kemi ndërmarrë një udhëtim 7 ditor nëpër Evropë, kemi arritur dje në Tiranë dhe sot këtu në Vlorë, ku do të mbyllim edhe etapën e parë të garës së Rallyt.
“Është hera Ime e parë në Shqipëri dhe në Vlorë dhe vendi më duket i mrekullueshëm. Dielli shndrit shumë, jashtëzakonisht shumë dhe më pëlqen shumë”.

“Jo është për të zbuluar, është për të mësuar, por sigurisht mbetet një garë. Është hera ime e parë në Rally. Së pari vjen gjithmonë kënaqësia”, shprehen pilotët.

Gara do të nisë nga Narta dhe ditën e nesërme do të përshkojë gjithë pjesën e Karaburunit në drejtim të lumit të Vlorës, dhe më pas do t’i drejtohet Gjirokastrës. “Rally Albania 2021” do të vijojë itinerarin në Ersekë, Peshkopi dhe më pas çdo gjë do të përfundojë kryeqytet, ku do të zhvillohet dhe ceremonia për shpalljen e fituesi të garës së madhe “Rally Albania 2021”.

Rally Albania 2021 është kthyer në një nga garat më të rëndësishme dhe tërheqëse të navigacionit shqiptarë, por jo vetëm. Veçori sipas pilotëve është se në Shqipëri mund t’i shikosh të gjitha gjatë garës jashtë rrugëve të shtruara si lumenjtë, malin , baltën dhe gurët, që e bën këtë garë mjaft emocionuese. Ky nuk është vetëm event sportiv, por edhe turistik, pasi marrin pjesë shumë të huaj të cilët njihen me kulturën e Shqipërisë.