MENU
klinika

"Pirro i është borxhli Pavlinës"

Ahmet Pasha rrëfen: Largimi në Amerikë, humbje për teatrin

06.06.2021 - 13:10

       Vetëm pak ditë më parë, arti skenik dhe kinemaja shqiptare humbën një artist të madh, siç ishte Pirro Mani. Miq e kolegë e përcollën mjeshtrin, mes dhimbjes sa edhe vlerësimit, me fjalët nga zemra për njeriun që dha shpirtin në sheshxhirim a skenën ku drejtonte. 

Pirro Mani la gjurmë autentike, artistike dhe të pashlyeshme në kulturën e vendit të tij, që do ta braktiste më vonë, me zhvendosjen në Shtetet e Bashkuara. Në Amerikën e largët, prej ku do të përcillte gjithmonë shumë mall… Në Amerikën, ku, dha shpirt njëri prej korifejve të teatrit.

Aktori Ahmet Pasha, një prej aktorëve të preferuar të regjisorit, rrëfen në një intervistë për mediet, miqësinë me të dhe bisedat e fundit.

Nga takimi i parë në Institutin e Lartë të Arteve, deri te biseda e fundit në telefon, ku Pavlina Mani sqaronte fjalët që mezi kuptoheshin të mjeshtrit të skenës, Pasha, rrëfen edhe pengjet.

“Kush është ai artist, që ka jetuar në komunizëm e nuk ka pengje. Mjaft që vije në skenë, jo pjesët që doje, por pjesët që përzgjidhte komisioni i kontrollit.

Pirro Mani pati shkruar disa drama, që donte që t’ia vinin në skenë. Nuk ia vunë. Para se ai të ikte në SHBA, po punonim me një dramë të tijën. E kishim pothuaj në fund të provave në tavolinë dhe do ishte, siç dukej, shumë e mirë si shfaqje.

Tema ishte aktuale e vitit 1992, trajtoheshin problemet dhe ato që kishim kaluar. Unë madje, kisha disa pjesë që imitoja Enver Hoxhën. Por, Pirro Mani iku dhe Teatri shqiptar humbi shumë”, – thotë mes të tjerash, Ahmet Pasha.

Sa i takon raportit në skenë të bashkëshortëve, Pavlina dhe Pirro Mani, Ahmet Pasha thotë se, Pirro sillej me Pavlinën, si me gjithë aktorët e tjerë.

“Madje, Pirro është në borxh me Pavlinën sepse shpesh, për të shmangur fjalët, nuk i jepte rolet e vendin që meritonte dhe Pavlina ishte aktore shumë e mirë”, – thotë ai.

Mbi ideologjinë në filma dhe teatër, Pasha pranon se ishte kudo, madje kjo ndikoi në cilësinë artistike, por siç dihet, – shton ai, – duke mos e parë të nevojshme që vetë artistët të distancohen prej produkteve tyre artistike.

Mjeshtër i skenave masive dhe i ndërtimit të karaktereve, Pasha tregon se regjisori arrinte deri të zvarritej në skenë, për të shpjeguar çfarë do nga roli. Pasha ndalet te pasionet e Pirro Manit, nga peshkimi te rinia si gjimnast, çka i jepnin një forcë fizike. Gjithaq mbahet mend për thjeshtësinë e tij në komunikim. Batutat, forca, mençuria dhe arti që mundi të japë në kohë censure, krijuan mitin e Pirro Manit, i pathyeshëm në teatrin shqip.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN