MENU
klinika

Spartak Ngjela: Ja kush janë të përfshirë në këtë skemë! Do t’i dëgjoni bëmat e tyre!

ANALIZA/ “SHBA e ka zbuluar, korrupsionit shqiptar është 20 mld USD”

30.06.2021 - 16:44

Koha shqiptare ka ardhur, ajo nuk pret dot më. Të dy organet e gjyqësorit të posaçëm duhet të veprojnë. Pse nuk po veprojnë këta kundër korrupsionit të lartë shtetëror?!

1. Ja, përgjigjia e kësaj pyetje mbetet të jetë enigma e sotme e Shqipërisë. Por, kjo kohë nuk mund ta durojë më mpakjen tridhjetëvjeçare që i ka sjellë korrupsioni malinj shtetëror shoqërisë shqiptare.

Po politika amerikane pse nuk i bën presion Prokurorisë së Posaçme, kur dihet se zvarritja, këndej e mbrapa, dëmton ecurinë e hetimit antikrim?!

2. Vjedhje e madhe dhe abuzim permanent në mbi 25 vjet rresht mbi vlerat monetare dhe ekonomike të Shqipërisë, nga kryeministra, ministra dhe kryetarë bashkish – kjo është historia e të ashtuquajturës demokraci shqiptare .

Një gjëmë e madhe kombëtare kjo, e cila nuk ka ardhur nga rasti, por thjesht nga një skemë antishqiptare që, brenda saj, thosh: “vidhni për vete, shkatërroni ekonominë e Shqipërisë, dhe mos lejoni asnjë skemë investuese në Shqipëri!”

Brenda kësaj skeme shihet të kenë qenë të gjithë kryeministrat shqiptarë: shpejt do t’i dëgjoni bëmat e tyre, një e nga një. Një tmerr antikombëtar ka qenë ky që ka imponuar korrupsioni shtetëror në Shqipëri, i cili nuk është parë në asnjë vend tjetër: madje as në Afrikën koloniale. Dhe provat tani kanë ardhur.

E dini se çfarë është kapur?

Shuma totale që Dhoma e Thesarit amerikan në Uashington ka identifikuar pasi ka mbikëqyrur imtësisht qarkullimin e parave të korrupsionit shqiptar, është 20 miliarde USD.

Dhe ndërkohë duhet të kujtohemi se këta grabitës në stafetë kohore me njëri-tjetrin, me ndërgjegje të plotë, nuk lanë funksionimin e ligjit në Shqipëri. Dhe gjatë gjithë kohës kanë folur për një demokraci inekzistente. Demokracia pa ligj s’është tjetër veçse një frut që vjen direkt nga mungesa e rendit, krimi tërësor dhe anarkia.

E kuptoni se çfarë është bërë? Një masakër kundër popullit më të varfër të Evropës, kundër popullit më të përvuajtur të Evropës, popullit që mezi e ka ruajtur në shekuj ekzistencën e vet, dhe gjithmonë në kufirin ekstrem të mbijetesës. Këta janë keqbërësit çnjerëzore të shqiptarëve, që tani shqiptarët i njohin mirë.
Dhe shqiptarët po presin nga Uashingtoni çlirimin nga kjo zgjedhë uzurpuese dhe antinjerëzore.

Por koha ka ardhur. Prandaj sot duhet veprim i fuqishëm antikrim.