MENU
klinika

“Puna e KQZ dhe patronazhistët”/ Disa nga gjetjet e ndërkombëtarëve

Asambleja Parlamentare e KE harton raportin për zgjedhjet e 25 prillit

22.06.2021 - 12:50

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës ka hartuar një raport prej 9 faqesh lidhur me zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit në Shqipëri.

Duke qenë në cilësinë e vëzhguesve ndërkombëtar të të gjithë procesit, ky raport mbulon të gjitha zhvillimet që prej miratimit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor në vitin 2020 e deri në përfundimin e numërimit të votimeve dhe shpalljen e fituesve.

PUNA E KOMISIONIT SHTETËROR TË ZGJEDHJEVE

Asambleja ka evidentuar punën e bërë nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në implementimin e ndryshimeve të bëra në Kodin Zgjedhor. Sipas këtij raporti, nuk ka pasur kohë të mjaftueshme për implementimin e plotë të këtyre ndryshimeve duke përmendur futjen e identifikimit biometrik si dhe teknologjinë për numërimin elektronik.

Kjo e fundit ishte një projekt pilot i cili u vendos testua vetëm në KZAZ-në e njësisë nr. 10 në Tiranë. Për këto teknologji, Asambleja Parlamentare thotë se Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve kishte për detyrë edukimin e votuesve për përdorimin e këtyre pajisjeve.

Pavarësisht spoteve televizive, fletënjoftimeve të ndryshme dhe udhëzimeve në forma të tjera, vëzhguesit ndërkombëtar thonë se kjo fushatë informimi ishte e pamjaftueshme dhe filloi me vonesë duke krijuar dhe situate konfuzioni në ditën e zgjedhjeve.

PATRONAZHISTËT E PARTISË SOCIALISTE

Një tjetër shqetësim i ngritur nga Asambleja Parlamentare në këtë raport është dhe mbledhja dhe publikimi i të dhënave personale të mbi 900 mijë qytetarëve duke iu referuar të ashtuquajturve ‘patronazhistë’ të Partisë Socialiste.

Marrja e këtyre të dhënave konsiderohet shkelje nga ana e vëzhguesve ndërkombëtar pasi ato mund të jenë keqpërdorur për interes të partive politike.

“Gjatë fushatës zgjedhore u publikua një databazë e cila përmbante të dhëna personale të më shumë se 900 mijë qytetarëve shqiptarë, ku gjithashtu ishin shënuar dhe preferencat politike. Partitë opozitare, presidenti dhe shumë media kërkuan një investigim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) lidhur me vjedhjen e të dhënave personale. Vëzhguesit ndërkombëtar nga OSBE/ODIHR besojnë se ky incident përbën shkelje duke rezultuar në keqpërdorimin e të dhënave personale për interesa partiake” – thuhet në raport.

KONKLUZIONE DHE REKOMANDIME

Në raport thuhet se:

Në shumicën e qendrave të votimit, i gjithë procesi ka ecur normalisht. U ruajt dhe fshehtësia e votës. Masat antiCOVID në shumë prej qendrave të votimit nuk ishin marrë siç duhet dhe qytetarët thuajse nuk i respektonin fare.

Zgjedhjet parlamentare u mbajtën pas një marrëveshje të arritur në qershor 2020, e cila u pasua nga një reformë zgjedhore. Delegacioni i Asamblesë zbuloi se, pavarësisht disa paqartësive dhe mospërputhjeve, korniza ligjore përbën një bazë të përshtatshme për zhvillimin demokratik të zgjedhjeve. Ndryshimet e fundit në kornizën ligjore ofruan masa mbrojtëse shtesë dhe bazoheshin në një hapësirë ​​të gjerë konsensusi politik; ndërsa një numër rekomandimesh të Komisionit të Venecias ODIHR u adresuan gjatë këtij procesi.

Delegacioni u informua se partitë politike e ushtruan të drejtën e tyre për mitingje gjatë fushatës pavarësisht masave antiCOVID të vendosura. Mesazhet e liderëve politikë u fokusuan më së shumti në sulme politike dhe jo në adresimin dhe zgjidhjen e çështjeve kryesore në vend. Mbledhja dhe publikimi it ë dhënave personale përfshirë preferencat politike të qytetarëve janë një shqetësim serioz dhe cënojnë të drejtën e votës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN