MENU
klinika

“Testi i parë pas masakrës zgjedhore”

Basha, tjetër mesazh: Gati të vazhdojmë betejën deri në rrëzimin e regjimit

13.06.2021 - 15:31

Kryetari në detyrë i PD-së Lulzim Basha ka dhënë një tjetër mesazh në lidhje me zgjedhjet për drejtuesin e ri të demokratëve, duke e konsideruar 13 qershorin si testin e parë pas masakrës zgjedhore.

“Sot është testi i parë pas masakrës zgjedhore. Ne sot tregojmë vlerat, forcën dhe bashkimin tonë. Partia Demokratike është gati për të vazhduar betejën deri në rrëzimin e regjimit Rama-Doshi. Demokratët janë gati të luftojnë për ndryshimin, për demokracinë, për Shqipërinë”, shkruan Basha në rrjetet sociale.

Më herët sot Basha dha një prononcim për mediat pas votimit, duke e konsideruar procesin si unik dhe të bazuar te vlerat e demokracisë, si konkurrenca dhe shprehja e lirë.

GARA

Kryetari në detyrë i PD, Basha, sfidohet në zgjedhjet brenda partisë nga tre kandidatë, Agron Shehaj, Fatbardh Kadilli dhe Edit Harxhi.

Demokratët mbajnë zgjedhjet e brendshme në parti pas humbjes në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 25 prillit ku Edi Rama siguroi mandatin e tretë qeverisës. Lulzim Basha i ka konsideruar zgjedhjet një “masakër elektorale” duke pretenduar për manipulime dhe shit-blerje të votës. Lulzim Basha drejton prej gati 8 vitesh PD-në.

Ai u zgjodh drejtues i partisë në vitin 2013 pas dorëheqjes së Sali Berishës, ndërsa u konfirmua në një mandat të dytë në vitin 2017. Kujtojmë se qendrat e votimit janë hapur në orën 08:00 dhe procesi do të përfundojë në orën 19:00. Në total në gjithë vendin janë 76 qendra votimi, ndërsa kanë të drejtë vote 75 mijë anëtarë demokratë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN