MENU
klinika

Intervista

Bekim Fehmiu, pse pa përmendore në Tiranë?!

01.06.2021 - 13:57

Me rastin e 85-vjetorit të lindjes të aktorit të madh, Bekim Fehmiu

Nga: Albert Zholi

Bekim Fehmiu erdhi në jetë më 1 qershor të vitit 1936, në një familje të njohur atdhetare nga Gjakova, babai i të cilit u varros me flamur kombëtar edhe në kohën kur Flamuri Kuq e Zi, ishte i ndaluar rreptësisht nga pushtuesit serb në Kosovë. Bekimi u rrit në Prizren, aty kishte shokët e fëmijërisë dhe Prizrenin e konsideronte si vendlindjen e vet dhe të të gjithë shqiptarëve. Shkollimi dhe jeta prej aktori, e detyruan atë, të qëndronte për kohë të gjatë në Sarajevë e Beograd, ku atëbotë ishin qendrat kryesore të teatrit dhe filmit në ish Jugosllavi. Bekimi mbetet ndër artistët më të shquar, fama e të cilit arriti kudo nëpër botë, madje në të gjithë hapësirën ballkanike edhe pas vdekjes së tij, ai ende cilësohet artist me përmasa miti.

Sot ai do të mushte 85-vjeç, por thuajse është harruar në Shqipëri, si do ta komnetoni këtë heshtje?

Në Shqipëri janë lënë në harresë shumë aktorë, apo artistë. Shteti mendon vetëm për vota, ditën e votomeve të kujtohet për ta dhe aq më keq, nuk kujtohet fare për legjendat e aktrimit. Një figurë e shquar si Bekim Femiu, duhet të kishte një përmendore në Tiranë. Ai ishte një legjendë që i dha aq shumë botës së artit dhe në çdo cep të globit, filmat e tij diskutohehsin me shumë vëmendje. Ai ishte një aktor i përmasave të tilla, të cilin, çdo vend do dëshironte ta kishte si të tijin. Pandemia na ndau nga skena, nga arti, nga shesht e xhirimit dhe kjo intervistë, le të jetë një homazh i sinqertë për artistin e madh. Në këtë 85-vjetor, ai duhej të nderohej si një gjeni.

Si e kishit ideuar në memorjen tuaj aktorin e madh dhe kur e keni takuar Bekim Fehmiun?

I shihja dhe i shoh vazhdimisht rolet e tij. Një palstikë e mahnitshme. Gjithmonë kam dashur ta takoja. Dhe dita erdhi në vitin 2001. Isha me një mikun tim në Pallatin e Kongreseve, për të prerë dy bileta për Koncertin e madh ,që drejtonte Vera Grabocka. “Unë e dua Shqipërinë”. Në këto ambiente takova dhe aktorin e mirënjohur Timo Flloko. Duke ecur, Timua më thotë që kishte lënë një takim me Bekim Fehmiun, në hotel “Rogner”. Më tha, – hajde dhe ti. Për një moment hezitova. Ngela. Nuk dija ç’t’i thoja. Jo se s’doja të shkoja, por më dukej një takim i befasishëm me një aktor të madh, me imazhin e të cilit je rritur dhe me dëshirën për të qenë si ai. Pra, më kapën emocione siç kapin artistët kur luajnë role. Ky emocion erdhi vetiu, pasi gjithë ai respekt që ke akumuluar në vite, me ëndrrën se a do ta takoj, vjen një moment dhe ëndrrën e ke fare pranë. Timua e pa këtë hezitim dhe më thotë, mos ngurro, është njeri i thjeshtë dhe shumë i dashur. Mos ki mendje tjetër. Ky takim ka qenë dhe mbetet një ndër ditët më të shënuara të jetës sime. Artistët gjithmonë veçojnë takime të tilla, si pika kulmore jetësore pasi aktrimi të krijon dhe kulte në subkoshiencë pavarësisht se, thuhet, se duhet thyer formati i kulteve.

Cili është roli që ke fiksuar më shumë, nga rolet e Fehmiut?

Roli te filmi “Odiseja”. Një film i papërsëritshëm për mua. Një film që edhe sot, zor ta luajë aktor në të tilla përmasa. Kur mora vesh se ai që luante këtë rol ishte shqiptar, krenohesha, ngazëllehesha. Dhe brenda meje, figura e tij mori përmasat e një heroi. Pastaj dhe filmat e tjetër si “Aventurieri”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”, “Dezertori”, nuk kanë qenë më të pakta në mënyrën e realizimit që përbëjnë kryeveprat e roleve të tij, që tashmë njihen në gjithë botën. Këta filma të tij hollivudianë, tashmë kanë marrë përmasa epokale dhe unë ndjeja një admirim për figurën e tij, që me kalimin e kohës rritej çdo ditë.

Vendosët të shkonit ta takonit?

Pas shumë mëdyshjeve, shkova. Ishte këmbëngulja e Timos sesa vendosmëria ime. Emocionet dhe ndjenja e kompleksitetit, s’na ikin ndonjëherë ne shqiptarëve. Duhet të vish ta takosh, sepse do njohësh një njeri ndryshe,.. shumë komunikues, të hapur –  këmbëngulte Timo Fllokua. Vendosa të shkoj së bashku me mikun tim nga Vlora dhe me timon. Hymë në “Rogner” dhe që tej e pashë të ulur në një tavolinë jashtë në natyrë, te lulishtja e “Rognerit” së bashku me dy burra. Sa pa Timon, Bekimi u çua në këmbë dhe e përqafoi. Pastaj, më prezantoi mua. Ah, po, ta kam dëgjuar emrin – tha duke më përqafuar dhe mua. Kishte një përqafim shumë miqësor dhe akoma me emocion, kur më tha e kam dëgjuar emrin tuaj. Pa u ulur mirë, ai u soll si zot shtëpie, duke i folur kamerierit të na servirte. Fliste qetë. Ëmbël dhe me shumë kujdes.

Si vazhdoi biseda dhe çfarë do veçoje?

As e prisja që do të më iknin emocionet menjëherë. Bekimi i madh, u soll sikur të ishim njohur prej vitesh dhe pse s’kishim as disa sekonda që ishim njohur. Gjigant në skenë, kaq i thjeshtë në takim, s’po u besoja syve. Në sytë e tij pashë një lumturi, një qetësi. Kjo ndoshta nga fakti se, ai ndodhej në Shqipëri, që dashurinë për të s’e ka fshehur kurrë. I foluri i tij, më ka bërë shumë përshtypje. Jo i foluri si tonacion, si përzgjedhje gjuhe, por në të folurën e shqipes. Ai e ëmbëlsonte shqipen aq mirë, e artikulonte aq bukur sa dukej sikur donte të thoshte, “më dëgjoni, e flas shqipen si ju, ne jemi vëllezër dhe s’na ndan asgjë”. Në gjithë ato momente bisede, ai këtë donte të nxirrte në pah, këtë donte të evidentonte që shqipen e kishte ruajtur si visar të rrallë, se shqipja është për të, gjëja më e shenjtë në jetë, pasi dhe i ati i tij ka qenë një patriot i madh.

Po me bashkëshorten, a u takuat?

Po. Kur ne ishim në kulm të bisedës vjen bashkëshortja e tij, një grua e mbajtur, shumë fisnike. Branka Petriç, quhej bashkëshortja, me të cilën kishte dhe dy djem. Ajo na takoi me një buzëqeshje, duke treguar afinitet. Aty pashë një çift ideal, në mënyrën e komunikimit dhe në pamje. Branka u tregua shumë e dashur, sikundër gratë shqiptare në respektin e miqve. Kur shihja atë çift, s’e mendoja kurrë që si mund të ketë mllefe dhe inate mes shqiptarëve dhe serbëve. Tek ata pashë se arti është universal, është mjeti më i bukur komunikues mes njerëzve, është një vlerë e pazëvendësueshme në mirëkuptimin mes racave, besimeve fetare, kombësive, që nuk bën dallime dhe i afron shumë njerëzit. Të dy, ishin shëmbëlltyrë e mirëkuptimit dhe e bashkëjetesës harmonike.

Ku u ndjetë ngushtë në bisedë?

Kur unë i drejtohesha për diskutim, i thosha “profesor”. Ai kur më dëgjoi, më thotë me takt: Të lutem, mos më thuaj profesor, se ne jemi kolegë… Kjo fjalë, më tingëlloi kaq bukur. Më tingëlloi kaq e afërt. Dhe këtë, ta thotë vetë Fehmiu i madh, kur në jetën e përditshme njohim njerëz që duket se kanë kapur qiellin me dorë. Ishte një fjalë magjike për mua, që më stepi për një moment. Sugjestioni i figurës së tij kishte bërë efektin e vet dhe fjalët e respektit, rridhnin vetiu nga goja ime. Ai, tek unë ishte kthyer në një mit.

Ju folët për një skenar. Përse bëhej fjalë në këtë skenar?

Ah, po. Ne diskutuam për një skenar, për një film me mafien. E diskutuam të tre: Bekimi, Timua dhe unë. Në këtë skenar, ai ngulte këmbë dhe argumentonte se, nuk janë shqiptarët organizatorët e mafies, aq më tepër të mafies italiane. Kurrsesi, theksoi ai, nuk mund të jenë shqiptarët kryetarë të Mafies, kur ajo ka vite që është e organizuar dhe vepron kur shqiptarët ende ishin të rrethuar me tela me gjemba. Pashë se ishte një mbrojtës i flaktë i racës tonë, i racës së tij. Ne kemi gjynahet tona, por sot të tjerët na etiketojnë dhe na faturojnë gabime që s’i meritojmë dhe që as i kemi çuar në mend. Fliste me një dashuri të madhe, për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në atë ambient në “Rogner”, mes gjelbërimit dhe miqve shqiptarë, ai dukej i sigurt, i lumtur, i hapur. Shumë herë, ai hidhte sytë nga gruaja e vet dhe dukej sikur i thoshte “a e sheh, sa bukur është këtu!.. Shiko sa njerëz të mirë janë këta që na takojnë!”… Krenaria e tij që ishte shqiptar dhe krenar për origjinën, ishte evidente. Por, pashë dhe një tërheqje, kur fliste për rolet.

Ç’do të thotë tërheqje?..

Aty mendova dhe përforcova fjalët që ishin përhapur, se ai s’do të shkelte më në sheshet e xhirimit. Nënkuptohej qartë ky divorc i tij me skenën, tek fjalët e tij. Ishte në kontradiktë me pamjen e bukur, me qëndrimin, me vështrimin e qartë dhe fizikun që e tregonte elegant, rrinte në karrige drejt si shtizë, e theksoj si shtizë. Kishte shumë kulturë dhe informacion të madh për kinematografinë europiane dhe atë amerikane. Dinte çdo gjë të re dhe fliste me saktësi dhe me kompetencë. Ai jetonte çdo minutë, me të rejat e kinematografisë. Kujtesa e tij, më habiste. Ishte aristokrat deh, në tavolinë..

Përse në tavolinë?

Sepse njëri nga djemtë, që e gjetëm të ulur, si duket donte të ikte dhe thirri kamerierin dhe pagoi. Bekimi u vrenjt. I lëvizën nervat në fytyrë. Reagoi duke i thënë “mos më ofendo”. I dukej vetja si zot në shtëpinë e tij. Ishte tipik kavalier. Këta janë mysafirë tek unë,- i tha djalit. Ishte një gjest xhentëlmenësh, që mund ta bënte vetëm një xhentëlmen si Bekim Fehmiu. E kam ndier veten me fat që jam ulur dhe kam biseduar disa orë me aktorin e madh të gjakut të arbrit, që nuk e mohoi asnjëherë origjinën dhe që e fliste aq bukur shqipen. Unë kam ëndërruar t’i ngjaja atij, por jam ndier i lumtur që e takova. Është një ndër takimet më të bukura të jetës time, pasi me rolet e tij jam frymëzuar, ato role kanë shërbyer si katalizator në rrugën time të vështirë, por edhe të bukur të aktrimit.

Refuzimi i madh

Kur na tregoi për këtë refuzim, u ngrit dy tre herë nga vendi. Si duket, kishte siklet kur e kujtonte. Kjo ishte sinteza e bisedës. Pra, një refuzim që s’e ka bërë asnjë aktor deri më sot. Aktualisht. në Hollivud ka shumë aktorë që kanë emra artistikë, apo kanë ndërruar emrat në anglo-saksonë. Kështu ndodhi dhe me të madhin Bekim Fehmiu, kur e ftoi kompania më e madhe filmike në botë “Paramount Picture”, për të bërë kontratën më të madhe të jetës së tij artistike. Kërkesa e kësaj kompanie gjigante, ishte që Bekimi, të modifikonte emrin, apo ta ndryshonte emrin me një emër artistik me aromë anglo-saksone. Kur po thoshte këtë kërkesë, ai u ngrit në këmbë, duke na thënë: Unë ju drejtova atyre, duke ju thënë shkoqur: emri im është Be-kim Fe-hmi u, duke ua shqiptuar në rrokje. Unë do të mbaj vetëm atë emër që më ka vënë nëna dhe baba im. Kur na deklaroi këtë në mënyrë solemne, sikur u lehtësua dhe u ul i qetë, duke soditur lulishten e “Rognerit”, ku si duket, natyra shqiptare e relaksonte shumë.