MENU
klinika

"Të rrezikuar dhe nga Delta”

Brataj për masat anti-covid: Nuk do të hiqen protokollet mbrojtëse

23.06.2021 - 16:31

Nuk do te ketë shfuqizime të masave anti-Covid. Pavarësisht përmirësimit të situatës dhe kërkesës së operatorëve turistikë, edhe gjatë verës nuk do të hiqen protokollet mbrojtëse.

Skënder Brataj, ekspert i Komitetit teknik, thotë se pandemia nuk ka mbaruar dhe se koronavirusi është ende në qarkullim.

“Në 1 korrik e dimë do të shtyhet orari deri në 24, dhe do të lejohen grumbullimet deri në 30% të kapaciteteve. Çdo 2 javë po lirohen masat, por nuk mund të flitet për heqje të masave”, thotë ai.

Sipas tij mund të këtë lehtësim të kufizimeve, por jo heqje totale të tyre. Edhe pse aktualisht jemi si në fillimet e pandemisë, me shifra tepër të ulta të infektimeve dhe shtrimeve në spital, Skënder Brataj i druhet varianteve te reja, veçanërisht atij indian i cili është edhe më i transmetueshëm se mutacioni britanik.

“Për fat kemi verën që është nga ana jonë, por është edhe një serbator i madh për virusin”, vijon Brataj.

Varianti indian “Delta” është konfirmuar në 92 vende të botës, së fundmi edhe shtetet fqinje me Shqipërinë në Maqedoninë e Veriut, në Itali dhe në Greqi. Ndërkohë në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik nuk është konfirmuar asnjë rast i infektuar me variantin ”Delta” apo me mutacione të tjera të COVID-19.

Ndërkohë, shefja për sëmundjet infektive në këtë institut, Silva Bino, përmes një postimi në profilin e saj, sqaron se studimet e fundit në Angli tregojnë se 2 doza të vaksinës anti-covid janë efektive ndaj rasteve të rënda që mund të shkaktojë varianti Delta. Sipas Binos pritet që ky efekt të jetë më i lartë edhe ndaj vdekshmërisë. Për këtë arsye shefja për sëmundjet infektive bën thirrje për marrjen e të dyja dozave të vaksinës.

REMOTE_ADDR:[]