MENU
klinika

Pengoi me forcë makinën e pushuesve

Dinamika e plotë e ngjarjes së djeshme në Himarë

23.06.2021 - 10:47

Ndërsa sezoni turistik ka nisur dhe mijëra pushues shkojnë drejt bregdetit, një pamje aspak e denjë u përsërit në jug të vendit.

Një video e publikuar fillimisht në rrjetet sociale një ditë më parë, tregon momentin kur pronarët e një hoteli ndalojnë me forcë automjetin e një familjeje, duke mos e lejuar të largohet një ditë më herët ngase kishin rënë dakord. Pushuesit pretendojnë se largoheshin nga kushtet e papërshtatshme në hotel, ndërsa pronarët kërkojnë pagesën edhe për një ditë më shumë.

Ndryshe nga historia e vitit 2019 ku me skena të tilla u përballën disa turistë spanjollë, këtë vit, turistët janë shqiptarë.

HISTORIA

Mësohet se çifti i pushuesve ishin prenotuar hotelin në zonën e Livadhit në Himarë për tri ditë të javës që lamë pas, duke nisur nga e premtja. Por, me dakordësinë e të dyja palëve, ata kishin shkuar një ditë më herët dhe kanë tentuar të largohen të shtunën. Pikërisht, ky largim ka bërë që pronarja e hotelit t’i dalë përpara makinës së pushuesve duke mos e lejuar të largohej, ndërsa merr në telefon Policinë.

“Dolën në orën 09:00 dhe i morëm në telefon, pasi recepsioni nuk funksiononte. Erdhi një zonjë e cila na tha që nuk mund të largoheshim dhe duhet të rrinim edhe ditën e shtunë”, tregojnë ata.

Nga ana e saj, pronarja pretendon se nëse nuk paguajnë për ditën e shtunë, atëherë turistët duhet të paguajnë për një çarçaf të djegur. Gruaja që pretendohet të jetë pronarja sipas pamjeve në video, e ka ndjekur çiftin me makinë deri në rrugën kryesore në Himarë për t’i penguar të largohen. Ajo ka kërkuar ndihmën edhe të një personi tjetër, i cili siç shihet në video edhe ai tenton të ndalojë makinën e turistëve, brenda së cilës kishte fëmijë. Ajo ka pretenduar se çifti i ka shkaktuar dëme në dhomën ku kanë qëndruar dhe ka kërkuar të paguhet.

Në videon e publikuar në “Panorama Online”, dëgjohet edhe e qara e vajzës së vogël dhe zëri i gruas që tenton të qetësojë bashkëshortin duke i thënë “të lutëm se ai është zverdhur i ka ikur gjaku”. Mësohet se në përfundim, çifti ka bërë denoncim në Policinë e Sarandës.

Një rast i paprecedent u regjistrua në vitin 2019, ku pronari i një restoranti në Porto Palermo, Mihal Kokëdhima, u hodh mbi një fugon me turistë spanjollë duke qëlluar pjesën e xhamit me grushte derisa e thyen atë. Ngjarja u regjistrua më 15 gusht. Më vonë, Kokëdhima përfundoi në prangat e Policisë duke qëndruar rreth 8 muaj në qeli. Kokëdhima ka deklaruar se turistët nuk deshën të paguanin ushqimin që kishin konsumuar në restorantin e tij.

Çifti: Bëmë manovra të rrezikshme në rrugë, vajza ishte e sëmurë

Pas publikimit të pamjeve, çifti i pushuesve që u përballën me skenën e pazakontë në Himarë, thanë për “Panorama.al”, se gjithçka kishte nisur për shkak se donin të iknin një ditë më herët nga hoteli për shkak të kushteve jo të mira.

“Si fillim nuk na ofroi internet, duke na thënë nuk ju ndihmoj dot. Ditën e dytë patëm një incident me higjienën”, tregon çifti, duke shtuar se sherri mes tyre dhe pronarit të hotelit nisi ditën e shtunë. “Na kërcënonte me diçka që mund të nxirrte nga çanta e brezit dhe tentoi të na rrëmbejë telefonin”, shtuan ata. Çifti deklaron më tej se kanë bërë manovra të rrezikshme në rrugë pasi janë ndjekur me makinë.

“Pasi parakaloi, duke bërë manovra të rrezikshme ndalova për arsye sigurie, ndalon dhe zonja dhe thërret 3 persona të tjerë. Gjatë kohës që po dilnim nga Himara, në plazhin e Potamit, zonja po vinte përballë nesh. Frenon djathtas rrugës, pret timonin të rifutet në rrugë dhe në çast e godet një makinë që kujtoi se zonja do parkonte anash rrugës. Vazhduam me shpejtësi rrugën për Sarandë, ku u paraqitëm në Komisariatin e Sarandës”, tregojnë ata.

Ata tregojnë se vajza e tyre e vogël ishte me të vjella dhe se ishin ndihmuar nga Policia e Sarandës. “Sapo lajmëruam Policinë e Sarandës, u treguan shumë të mirë për situatën që kaluam dhe u munduan të ndihmonin edhe fëmijën, e cila nga frika dhe të vjellat rrugës ishte në gjendje jo të mirë”, thanë ata.

Versioni i pronares së hotelit

Pronarja e hotelit ku ndodhi incidenti me pushuesit në Livadh të Himarës akuzon se çifti i pushuesve kishte dëmtuar sendet në dhomë dhe nuk pranonin të paguanin, ndërsa nxitonin të largoheshin pa ardhur policia.

E ftuar në një lidhje telefonike në “Ftesë në 5”, Ektarina Joshi tregoi se rreth orës 09:00 ata donin të largoheshin, ndërsa tregon se vajza e recepsionit i ka kërkuar pagesën, zotëria e kanë sharë vajzën me fjalor banal.

“Që në orën 9 pa ca të mëngjesit donin të iknin. I thotë vajza në recepsion për pagesën. Ne do ikim i thotë vajzës. Zotëria e shau vajzën time me fjalët më banale. Kamerat ka ardhur policia i ka marrë.

Donin të kalonin me makinë mbi trupin tim. Zotëria që duket në video (që pengon makinën të lëvizë) i tha po pate bërë dëm, hajde ta paguash.

I kisha thënë prisni të vijnë organet përkatëse, isha ulur në mes të rrugës, ata më shtynë tre katër metra me makinë. Kishin një fëmijë 2-3 vjeç me vete që u tmerrua. Videon me çarçafët e djegur ma kanë dërguar ata duke më shantazhuar, është video e prerë, jo e plotë”, tha Ektarina Joshi.

Pronarja e hotelit thotë se ka bërë kallëzim në polici dhe kërkon dëmshpërblim.

“Policia ka ardhur pasi kishin ikur ata. Me policinë e rendit shkojmë në hotel. Bëmë kallëzim penal. Dua të më shpërblehet dëmi që më është bërë në pronën private dhe shqetësimi familjar, sepse është biznes familjar. Jam Katerina dhe jam krenare për bizneset që kam ngritur me mund. Atë mënyrën e arrogancës nuk e toleroj, unë jam grua dhe kam vajzën 33 vjeçe, nuk lejoj njeri të më injorojë dhe të më shkelë në karakterin tim. Na njeh Himara dhe gjithë Shqipëria”, tha ajo.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Revista amerikane rendit Rivierën Shqiptare si një nga destinacionet më të mira

“Mos shkoni në Santorini, por në Ksmail”

“Mos parkoni automjetet në zonat me risk të lartë”

Bashkia Vlorë paralajmëron qytetarët për përkeqësim të motit

“Thika luftarake, dokumente të falsifikuara dhe kanabis”

Detajet/ Goditet grupi kriminal që shpërndante dr*gë