MENU
klinika

Kuvendi e shkarkoi, por VULËN e vë Kushtetuesja

Çfarë parashikon ligji dhe si mund të “shpëtojë” Ilir Meta?

09.06.2021 - 18:35

Sot në orën 15:00 në Kuvend u miratua me 104 vota pro, 7 kundër dhe 3 abstenim, shkarkimi nga detyra i Presidentit të Republikës, Ilir Meta. Mirëpo pavarësisht kësaj, fjalën e fundit e thotë Gjykata Kushtetuese, e cila duhet të votojë minimalisht 5-4 pro shkarkimit dhe t’i japë të drejtë parlamentit.

Në ligjin për shkarkimin e presidentit, në nenin 61 parashikohet se për deklarimin e shkarkimit të Presidentit të Republikës, Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje me vendimin e Kuvendit, që ka votuar shkarkimin nga detyra dhe se vendimi i Kuvendit duhet të përmbajë përshkrim të argumentuar të shkeljes së rëndë të Kushtetutës ose të krimit të rëndë, si dhe të shoqërohet me provat përkatëse.

Gjykata Kushtetuese duhet që këtë vendim dhe provat t’ia vërë në dispozicion Presidentit, i cili gëzon të drejtën të japë me shkrim argumentat që ai i konsideron të nevojshme dhe të domosdoshme për t’u mbrojtur.  Bazuar në nenin 62 të ligjit, me shumicën e anëtarëve të saj vendos kalimin e çështjes në seancë publike. Në këtë seancë ftohet të marrë pjesë Presidenti, i cili mund të përfaqësohet nga një avokat.

Sipas ligjit mungesa e Kreut të Shtetit apo avokatit të tij pa arsye nuk përbën pengesë për zhvillimin e gjykimit. Pasi shqyrton çështjen dhe arrin përfundimin se Presidenti ka shkelur kushtetutën, gjyqtarët kushtetues deklarojnë shkarkimin e tij nga detyra. Ky vendim hyn në fuqi ditën e shpalljes. Gjyqtarët kushtetues e shfuqizojnë vendimin e Kuvendit, nëse nuk arrijnë në përfundimin se ai ka bërë shkelje të rënda kushtetuese.

Vendimi i Parlamentit shkon në Gjykatë brenda 5 ditësh. Neni 47 i ligjit parashikon afatet për shqyrtimin e çështjes. Referuar këtij shqyrtimi i çështjeve nga kolegjet ose Mbledhja e Gjyqtarëve përfundon brenda tre muajve nga paraqitja e kërkesës. Në momentin që çështja shqyrtohet në seancë plenare Kushtetuesja e shpall të arsyetuar vendimin përfundimtar jo më vonë se 30 ditë nga përfundimi i seancës.