MENU
klinika

“Është nisur për në Greqi të punojë”

Çfarë tha vëllai i 25-vjeçarit që u gjet i vrarë? Policia nisi kërkimet

18.06.2021 - 11:31

Të tjera detaje dalin në dritë për vrasjen e 25- vjeçarit, Fridman Xhaferraj, dhe më pas hedhjen e tij në rezervuarin e Gjancit në Korçë.

Burime nga Prokuroria lokale bëjnë me dije se i riu është vrarë në zonën e Korçës dhe më pas është lidhur nga duart dhe është hedhur në ujë.

Burimet sqaruan se Xhaferraj ishte larguar nga shtëpia më datë 22 maj, një ditë pasi ndaj tij Gjykata kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest shtëpie”, pasi ishte arrestuar për zjarrvënie në një qendër tregtare.

Një ditë më vonë, më datë 23 maj, Policia ka shkuar në shtëpinë e 25- vjeçarit, për të kontrolluar për zbatimin e masës së sigurisë, duke mos e gjetur aty. Sipas burimeve, vëllai i viktimës iu ka deklaruar para forcave të rendit se Fridmani ishte nisur për të shkuar drejt Greqisë për të punuar i shoqëruar me disa persona të tjerë. Shkak për vrasjen dyshohet te jenë konfliktet e mëparshme të viktimës.

Pas marrjes në pyetje të personave që mund të kishin dijeni mbi ngjarjen, apo edhe lëvizjet e kontaktet e viktimës jo vetëm në Korçë, por edhe në Fier, Policia ka mundur të bëjë identifikimin e autorëve dhe ngritjen e pistës hetimore. Burime zyrtare pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë bëjnë me dije se viktima i shoqëruar nga Lulëzim Spahia, person i shpallur në kërkim tashmë, dhe një person tjetër i paidentifikuar nga ana e Policisë, në datat 25-26 dhe 27 maj, janë strehuar në një prej hoteleve në periferi të qytetit të Korçës.

Policia e ka zbuluar këtë detaj pasi në xhepin e pantallonave të viktimës janë gjetur kartëvizitat e hotelit në fjalë. Ata dyshohet se kanë dhunuar për vdekje Xhaferrajn dhe më pas trupin e tij e kanë hedhur në rezervuar. Pas gjetjes së trupit të pajetë, autopsia vërtetoi se viktima kishte shenja dhune në trup dhe kokë, e si pasojë e tyre kishte ardhur edhe vdekja, ndërsa hedhja në rezervuar ishte thjesht një tentativë për të humbur gjurmët dhe për të larguar vëmendjen nga skena e vërtetë e krimit.

Sipas hetuesve, në momentin që trupi u gjet në bregun e rezervuarit, kishte duart të lidhura dhe hematoma të shumta, çka ngriti menjëherë dyshimet se kjo ngjarje ishte një krim duke përjashtuar pistat për ngjarje aksidentale apo vetëvrasje.

Ekspertiza mjekoligjore ka bërë të mundur edhe përcaktimin e kohës se kur ka ndodhur vrasja. Sipas raportit, bëhet fjalë për një krim të ndodhur rreth 10 ditë më parë, ndërsa vrasja ka ndodhur në një zonë tjetër. Vdekja ka ardhur si pasojë e goditjeve me mjete të forta dhe jo si pasojë e mbytjes. Trupi i pajetë u pikas mbi ujë në pjesën e cekët të rezervuarit nga banorët e zonës, të cilët lajmëruan më pas Policinë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


U takua me autorët e krimit në Elbasan dhe qëndruan bashkë në një hotel

U vra dhe u hodh në rezervuar, zbulohen lëvizjet e 25-vjeçarit