“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: Cilat janë alergjitë që shfaqen në stinën e verës
Mjeku: Gjatë stinës së verës shfaqen alergji të ndryshme, të cilat janë tipike të stinës. Këto lidhen me ekspozimin ndaj diellit për shkak të temperaturave të larta, poleni për shkak të luleve dhe pickimet nga insektet të cilat kthehen në një problem të madh.
–Ekspozimi ndaj diellit Në stinën e verës alergjitë e lëkurës kanë tendencë të rriten si shkak i temperaturave të larta dhe ekspozimit në diell. Këtu përmendim ekzemën dhe shfaqjen e urtikareve. Jo vetëm personat alergjik duhet ti shmangen rrezeve të diellit, por të gjithë, pasi është një abuzim i panevojshëm për lëkurën. Dermatologët këshillojnë evitimin në orët e pikut në diell (11:00-16:00) dhe mbrojtjen e lëkurës me kremra mbrojtës, të përshtatshëm për lëkurën tuaj. Ekspozimi i shpeshtë ndaj rrezeve të diellit e rrudh dhe e ashpërson lëkurën, humb elasticitetin dhe ekziston mundësia e shfaqjes së lezioneve malinje.
-Poleni, zakonisht shfaqet nga lulet, por gjithashtu shfaqet edhe nga drithërat (gruri, misri), nga përbërës të ndryshëm të barit dhe nga luledielli. Kjo lloj alergjie shkakton lot, kruajtje të syve, rrjedhje dhe kruajtje të hundës, teshtitje të shpeshta dhe sulme të astmës. Mjekët këshillojnë të mbani dritaret mbyllur dhe të shmangni aktivitetet në natyrë gjatë periudhës maksimale të pjalmimit: gjatë orëve të fundit të mëngjesit dhe gjatë orëve të para të pasdites.
Ekzistojnë ilaçe të shumta të cilat i lehtësojnë këto simptoma, si dhe trajtime imunologjike të cilat ulin ndjeshmërinë ndaj këtyre faktorëve.
–Insektet, pickimet e mushkonjave dhe grerëzave mund të jenë shumë të rënda dhe ndonjëherë mund të shkaktojnë reaksione anafilaktike: shfaqen urtikarie, ënjtje në fyt, vështirësi në frymëmarrje, marramendje, dhimbje barku, të vjella, konvulsione.
Mushkonjat shpesh shkaktojnë reaksione të bezdisshme si ënjtje dhe kruajtje tek personat me lëkurë të ndjeshme si dhe tek fëmijët. Mjekët këshillojnë të mos përdorni parfume dhe kremra me aromë lulesh, mos përdorni veshje me ngjyra të forta, gjatë gatimit apo gjatë periudhës së ngrënies merrni masa sepse tërhiqen nga erërat.
Gjatë verës është një kënaqësi për të notuar në pishinë apo në det. Por personat me urtikarie të ftohtë duhet të tregohen të kujdesshëm gjatë zhytjes së tyre në ujë të ftohtë, pasi mund të shfaqen flluska si dhe ënjtje në buzë dhe në gjuhë.
Mjafton të merrni parasysh disa këshilla dhe personat të cilët janë alergjikë, mund ta kalojnë verën pa probleme.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.