MENU
klinika

Nga Skënder Minxhozi

Dy mbretër të zhveshur që partia refuzon t’i shohë

18.06.2021 - 11:24

Rizgjedhja e Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike mes polemikash e dyshimesh, përkoi fatalisht me shpalljen e Sali Berishës non grata nga qeveria amerikane. Edhe kjo e dyta la pas një vazhdë mëdyshjesh serioze mbi pasojat dhe impaktin që do të ketë në anën e djathtë të spektrit politik. Dy kryetarët e fundit të PD, ai i dorëhequri dhe ky i rizgjedhuri, kanë që të dy hallet e tyre të mëdha për të zgjidhur, por që të dy duket se kanë vendosur t’i zgjidhin ato në kurrizin dhe me shpezimet e Partisë Demokratike.

Lulzim Basha u rikonfirmua siç pritej, edhe për një mandat tjetër në krye të partisë së tij. Fitoi mbyllja e syve dhe “uniteti mbi të gjitha”, ndaj nevojës urgjente për një kurs të ri politik në pultin e komandës. Lojtari plak Berisha, i vendosur formalisht në anë të fronit, preferoi edhe ai të strehohet brenda çatisë së SHQUP-it, me shumë sesa të rrijë e të presë rrufenë e radhës nga amerikanët në zyrën e tij private.

Në të hyrë të verës dhe pas një humbjeje të rëndë, PD e gjen veten kështu me dy hallexhinj që s’duan të dalin nga shtëpia e tyre politike. Dy politikanë që sot ofrojnë shumë më tepër probleme se zgjidhje. Dy mbretër lakuriqë, si në përrallën e famshme të Andersenit, që thuajse askush nga oborrtarët nuk preferon t’i shohë siç janë, të zhveshur, por vijon t’i duartrokasë për kostumet transparente që gjoja kanë veshur! Alegoria e përrallës së famshme skandinave duket e shpikur enkas për PD e sotme!

Në një deklaratë kurajoze por vetmitare, Fatbardh Kadilli shprehej dje se tashmë as Basha dhe as Berisha nuk kanë ç’ti ofrojnë më Partisë Demokratike. Ky konstatim, realisht i vetmi që mund të bëhet përballë një situate si kjo e opozitës sot, tingëllon edhe sot në vitin 2021 si një gjysëm herezie dhe guxim i çartur, në një forcë politike ku Lulzim Basha dhe Sali Berisha janë ideatorët dhe përgjegjësit e vetëm të rrokopujës ku PD është futur prej vitesh. Gara në PD dhe qëndrimi ndaj Berishës konfirmuan se edhe 29 vjet pasi nga kjo parti u përzunë disidentët e parë, aty është thuajse e pamundur të kritikosh liderin historik. Ndërkohë që kryetari tjetër bllokoi listat e anëtarëve dhe u mbyll në zyrën e tij pas 25 prillit.

Mbrojtja thuajse unanime që figurat më të spikatura të partisë i bënë Sali Berishës përballë dënimit amerikan, shënon provën më të prekshme materiale se rotacioni i vitit 2013 mes tij dhe Lulzim Bashës ka qenë një ngjizje përgjysëm, një akt i paplotë dhe i papërfunduar. Përkrahja që ish-kryeministri arriti të marrë pas shpalljes non grata nga SHBA është një dëshmi se mbreti i vjetër vijon të adhurohet në oborrin e tij. Ashtu siç vijon të votohet edhe princi i ri, megjithëse humb sa herë që zbret në një fushëbeteje. Dy shembuj konkretë dhe dëshpërues se procesi i emancipimit dhe i ndarjes së PD nga e shkuara, është larg realizimit.

Kjo parti po vijon të zgjedhë me kokëfortësi nostalgjinë për mitingjet e zhurmshme të Berishës dhe të votojë imazhin prej djali të mirë të Lulzim Bashës. Megjithëse gjithkush ka sy të shohë e të kuptojë se të dyja këto zgjedhje çojnë qartazi drejt humbjes dhe zgjatjes së agonisë në opozitë. Tamam ashtu si në përrallën e Andersenit ku të gjithë, duke nisur nga vetë mbreti, përkunden në iluzionin se janë të veshur, madje bukur e me shije, ndërkohë që s’kanë asgjë në trup.