MENU
klinika

Blogu i Albana Murrës/ Scriptorium

“E bukura” ku strehohet?

28.06.2021 - 08:20

Rafael Narbona: "El siglo XXI será místico o no será" | El Cultural

Rafael Narbona/

Sipas grekëve dhe romakëve, e bukura është e pandashme. Bukuria ishte perfeksion, ekuilibër, harmoni. Platoni në një nga librat e tij, e lidh të bukurën me të mirën, duke nxjerrë në pah dimensionin moral dhe racional të tyre. Bukuria nuk është formë, por diçka që strehohet në shpirt. Bukuria është një ide, jo një trup i bukur. Estetika në vetvete është sinteza mes të bukurës dhe të mirës. Aristoteli e kundërshtoi Platonin dhe tha që nëse e mira e ka një qëllim, e bukura jo. Kanti tha se e bukura është një “qëllim që nuk mbaron”. Përpos dallimeve, triniteti: bukuri, mirësi, vërtetësi qëndroi ndër shekuj. Romantizmi solli qasjen e re duke e konsideruar art, edhe qasjen rebele jo vetëm atë që i përmbahej rregullave.

“Ligësia është liri” shprehej Baudelaire, e keqja është falas dhe nuk ke nevojë t’a justifikosh. E keqja nuk i bindet ndonjë rregulli moral dhe nuk ka qëllim të caktuar. E keqja është luks, kapriço, e padobishme. Artisti rebel nuk njeh kufij. Në librin e tij “Bodrumet e Vatikanit”, Andre Gide, thotë se dhe vrasja mund të konsiderohet vepër e bukur nëse bëhet me elegancë e zgjuarsi.

Sipas Georges Bataille, letërsia mbytet pa thyerje rregullash. Letërsia është rikuperimi i fëmijërisë dhe fëmijëria nuk është e pafajshme. Ashtu si erotizmi dhe lojërat fëmijërore janë të dhunshme e të pamoralshme. Në fëmijëri e vetmja vlerë është kënaqësia. Fëmija krijon duke shkatërruar, kënaqet duke torturuar krijesa të dobëta e të pambrojtura. Me romantizmin edhe Baudelaire e konsideron estetik edhe sakrilegjin, vjedhjen, vrasjen. Pastaj Jean Genet, është shenjtori i ri i letërsisë. Mendja e tij nuk njeh kufij, shpirti i tij zgërdhihet para së mirës e bëmave të mira.

Çfarë vendi zë Oscar Wilde në këtë aristokracinë e re? “Portreti i Dorian Grey” konfirmon dhe njëherë që nuk ka libra moralë dhe imoralë. Ka libra të shkruar mirë ose keq. Arti qëndron pikërisht në krijimin e perfektes nga copëza jo perfekte. Wilde thotë se arti është lojë. Lojë e cila në librin “Portreti i Dorian Grey” përfshin përdhosjen e pafajësisë, ndërsa për autorin përbën ndëshkim për turpin e bërë. Për fat të mirë, shkrimtarët nuk janë të detyruar të jenë koherentë. Nuk besoj që letërsia përbëhet vetëm prej thërrimesh të mira, ashtu si pretendon Bataille. “120 udhëtimet e Sodomës” është libër që të lodh e përsëritet shumë. Nuk mund t´i akuzojmë për të njëjtën gjë librat e Henry Miller apo Anais Nin që e kanë revolucionuar lirinë seksuale, megjithatë në librat e tyre seksi ndonjëherë është banal dhe tepër i parashikueshëm. “Bodrumet e Vatikanit” është roman i mrekullueshëm i Andre Gide,ku  megjithatë ekzaltimi për krimin e bën librin pak qesharak.

Simone Weil shprehu qartazi qëndrimet e saj në lidhje me librin e Gides duke e krahasuar me “Krim dhe Ndëshkim” i Dostoyevski që përshkruan fajin dhe shlyerjen ose me librin “Mali magjik” i Thomas Mann.

Kam përshtypjen se romanet e mrekullueshme, përfshijnë shpirtin njerëzor. Mos ndoshta “Lufta dhe Paqja” nuk është vetëm një luftë mes kombesh por njëkohësisht është dhe himn i vëllazërisë. Nëse dikush do të njohë portretin e vërtetë të së keqes duhet të lexojë “Demonët” e Dostoyevski, ku ligësia shfaqet me gjithë poshtërsinë e saj. Por ka dhe shkrimtarë që i janë përmbajtur këshillave të Wilde për t’a shëndrruar letërsinë në lojë. Proza e Borges-it ishte e magjishme, por vepra e tij ishte “çnjerëzore”, siç e quante dhe Vargas Llosa.

Megjithatë Oscar Wilde nuk iu përmbajt rregullave, sepse në shumë vepra të tij ai kombinon mirësinë me bukurinë.

Me siguri, ndonjërit kjo qasje i duket shumë e ndjeshme e ndoshta i duket më e vlefshme vepra “120 udhëtimet e Sodomës”. Ndoshta Platoni kishte të drejtë kur thoshte se bukuria vjen nga shpirti e kur letërsia shkruan mbi bukurinë, është thjesht magji. Pasi Oscar Wilde kaloi shumë kohë i burgosur padrejtësisht, nuk e kërkoi më lojën tek arti. Edhe pse pas kangjellave, ai rrëfeu se i mungonin dejet më të thella të letërsisë së tij. Bukuria, tanimë, nuk i dukej si diçka e padobishme por si udha drejt shenjtërimit e faljes. Tek libri “Demonët¨ i Dostoyevski-t, njëri nga personazhet thotë “E dini shumë mirë se njerëzimi mund të mbijetojë pa shkencë, pa bukë, por pa të bukurën nuk mundet të mbijetojë kurrë”. Oscar Wilde pasi e kishte përjetuar në vetën e parë ligësinë, iu bashkua qasjes së personazhit të Dostoyevski-t.

*Rafael Narbona jep mësim në universitetin e filozofisë, shkrimtar dhe kritik letrar. Misioni i tij është të analizojë veprat klasike, të cilat kanë sendërtuar dimensionet tona intelektuale e shpirtërore.

Shkrimi u përkthye në shqip nga Albana Murra.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Blogu i Albana Murrës/ Scriptorium

“A ka më rebelë?”

BLOGU I ALBANA MURRËS/ SCRIPTORIUM

“Historia e një romani”