Një tjetër atentat ka tronditur qytetin e Vlorës, ku u qëllua për vdekje një 35-vjeçar. Ngjarja e rëndë ndodhi pak pas mesnate.
Shkëlzen Velaj ka qenë duke hyrë për në shtëpi, kur ka vënë re se pranë pallatit ka qenë duke u ndjekur nga një makinë e dyshimtë. Velaj e ka lënë makinën e tij ndezur dhe ka ikur me vrap për t’u futur në banesë, në katin e 5 të pallatit. Kur ka qenë duke hapur derën atentatori ka lëshuar breshëri plumbash në drejtim të tij.
“BalkanWeb” mëson se plumbat në drejtim të 35-vjeçarit kanë qenë nga një distancë e afërt. Po ashtu bëhet e ditur se në trupin e Velaj është lëshuar një karikator automatiku, që i kanë kushtuar jetën 35-vjeçarit. Sipas policisë i riu ka ndërruar jetën në spital, ndërkohë që atentati dyshohet të jetë kryer nga 2 apo më shumë persona.
Po ashtu bëhet e ditur se autorët pas atentatit janë larguar në drejtim të rrugës së lumit të Vlorës, në afërsi të fshatit Risili ku kanë braktisur makinën tip BMË pa targa dhe e kanë djegur, ndërsa janë larguar në drejtim të paditur. Policia, pasi mbërriti në vendin e ka bërë grumbullimin e materialeve dhe po punon për zbardhjen e rrethanave.