MENU
klinika

Të mahnitur nga malet shqiptare

Fotoreporterë të “National Geographic” në Kukës

26.06.2021 - 09:54

Tomasz Tomaszewski dhe Bernard Kwapinski janë fotografë të njohur polakë që bashkëpunojnë me “National Geographic Magazinë”. Ata kanë udhëtuar në shumë vende të botës, por në Shqipëri vijnë për herë të parë për turizëm. Po qëndrojnë kë Kukës e më pas do të lëvizin në zona të tjera të veriut. Tomaszewski  flet i impresionuar nga bukuritë e rralla që ofron Kukësi.

“Është hera parë që unë vij në Shqipëri dhe Kukës. Unë jam fotograf i “National Geographic Magazine” dhe kam 37 vite që punoj në këtë revistë që nuk më ka thënë asnjëherë të bëj një histori për vendin tuaj, për arsye që unë nuk e di akoma dhe jam shumë i mërzitur për këtë sepse kam zbuluar se Shqipëria është një vend fantastik dhe shumë i bukur”, tha Tomaszewski.

Edhe pse ndodhen privatisht në Shqipëri dhe jo për llogari të revistës prestigjioze amerikane, ata nuk do të lënë pa i publikuar fotot e bukura që kanë shkrepur në veri të vendit. Tomaszewski shprehet se ka në plan të botojë një libër, që e cilëson abstrakt.

 “Po punoj për një libër ku do të ketë një koleksion me foto unike të cilat nuk tregojnë se si duken në të vërtetë. Metaforë apo diçka abstrakte që do të provokojnë imagjinatën. Dhe titulli i librit mund të jetë “’Gjithçka mund të jetë gjithçka”’. Disa njerëz e pëlqejnë diellin, e dashurojnë, e disa të tjerë e urrejnë sepse I bie në kokë dhe janë të lodhur. Nuk ka thjesht një rrugë të vetme për ti kuptuar dhe gjithçka varet nga edukimi jonë. Do të bëj një libër me foto që do të dojë ca kohë të publikohet. Gjithashtu do të shkruaj gazeta lokale që janë të interesuara dhe kërkojnë shkrime dhe histori me  vende interesante për turistët. Kam kontrolluar në internet para se të vija këtu dhe pashë që nuk kishte fotografi nga malet por vetëm nga bregdeti dhe jo nga jeta e përditshme e njerëzve. Turistët duhet të shohin njerëzit e vërtetë”, u shpreh Tomaszewski.

Tomas e Bernard, prej tre ditësh kanë eksploruar Kukësin duke u ndalur kryesisht tek fotografimi i objekteve që kanë mbetur nga sistemi komunist… bunkerët janë ato qe u kane bërë me shumë përshtypje.

” Një ndërthurje fantastike mes peizazhit të mrekullueshëm, me liqen, fusha, kodrina e male të larta. Është me të vërtetë e magjishme por veçori shumë thelbësore janë objektet e së kaluarës komuniste. Një sistem që gjatë eksplorimit në terren po kuptojmë se ka investuar për mbrojtjen. Bunkerët janë të llojeve e madhësive të ndryshme e që dëshmojnë më së shumti izolimin e kësaj toke në qendër të Ballkanit dhe Europës. Unë po përpiqem të fiksoj çdo detaj e që do të jetë pjesë e librit qe kam ne proces”, shtoi Tomaszewski.

Ata kanë udhëtuar në disa zona të Kukësit,  si në Gjegjan, Shishtavec, Gostil, ku në fokus kanë  traditën, kostumografinë, natyrën e mrekullueshme të bjeshkëve shqiptare.