MENU
klinika

Analiza

Gjeopolitika e ndjeshmërisë

28.06.2021 - 11:00

Nga Stephen M.Walt, Foreing Policy

Shtetet konkurrojnë për shumë arsye, dhe ndonjëherë këto arsye janë mjaft të qarta për protagonistët. Por në raste të tjera, shkaqet kryesore të mosmarrëveshjeve nuk kuptohen mirë, dhe niveli i armiqësisë është më i madh nga sa duhet të jetë.

Në rastin e fundit, shtetet e dinë se nuk bien dakord me njëri-tjetrin, por janë ose të hutuar ose e kanë gabim lidhje me burimin themelor të problemit. Në këto rrethana, rregullimi i problemit do të jetë shumë më i vështirë, dhe janw më të mundshme spiralet përshkallëzuese.

Për këtë arsye, një nga mësimet që përpiqem të jap më shumë në kurset e mia është rëndësia që ka empatia, ndjeshmëria:aftësia për t’i parë problemet nga këndvështrimi i një personi apo i një vendi tjetër.

Dhe kjo nuk kërkon dakordësi me pikëpamjen e tyre; por ka të bëjë me kuptimin se si të tjerët e shohin një situatë, dhe të kuptuarit pse ata veprojnë në atë mënyrë. Arsyeja për ta bërë këtë është tejet praktike:Është më e vështirë të bindësh një rival të ndryshojw sjelljen e tij, në rast se nuk e kupton origjinën e tij.

M’u kujtua ky problem kur lexova disa nekrologji për Lee Ross, një psikolog social që dha mësim për shumë vite në Universitetin e Stanfordit. Ross është i njohur më së shumti për punën e tij në atë që ai e quajti “gabimi themelor i atribuimit”, i cili u shndërrua në një koncept thelbësor në terren, dhe pati shumë përdorime.

Me pak fjalë, gabimi themelor i atribuimit është tendenca njerëzore për ta vënë theksin tek shpjegimet “e përkohshme”, nw kurriz të një sjelljeje në kurriz të shpjegimeve “të situatës”. Pra njerëzit kanë tendencë që ta shohin sjelljen e të tjerëve si pasqyrë të personalitetit, karakterit, dëshirave ose dispozitave themelore të këtij të fundit, sesa si përgjigje ndaj situatave në të cilat ndodhen të tjerët.

E megjithatë, ne priremi që ta shohim sjelljen tonë si një përgjigje ndaj rrethanave me të cilat përballemi, sesa vetëm si një shfaqje e “asaj që jemi”. Për shembull, në rast se na gënjen dikush, ne priremi të supozojmë se kjo ndodh për shkak se karakteri i tij është me të meta, dhe ai nuk ka integritet.

Pra ai na gënjeu, pasi atë karakter ka. Dhe ndonjëherë kjo është e vërtetë . Por nëse themi një gënjeshtër, ne jemi të prirur ta shohim atë si diçka që duhet ta bënim duke pasur parasysh situatën në të cilën ndodheshim, dhe jo ​​si dëshmi të defekteve të karakterit tonë.

Nëse dikush tjetër humbet qetësinë dhe sillet dhunshëm, ne arrijmë në përfundimin se ai duhet të jetë kokëfortë ose ka probleme me menaxhimin e zemërimit, në vend se të marrin në konsideratë mundësinë që ai të jetë i mbingarkuar me punë, apo se ka 3 vegjël të vegjël në shtëpi, të cilët e kanë lënë shpesh pa gjumë.

Një përfundim është tendenca për të besuar se njerëzit e tjerë, kanë më shumë kontroll mbi veprimet e tyre sesa ne mbi tonat. Ne mendojmë se ajo që jemi në gjendje të bëjmë është shumë e kufizuar nga rrethanat tona, por ajo që bëjnë të tjerët përcaktohet kryesisht nga kush janë dhe çfarë duan ata.

Sipas kësaj logjike, nëse na lind një problem, ne priremi të mendojmë se ata kanë shumë më shumë mundësi për zgjidhjen e tij sesa ne, dhe për këtë arsye, barra e veprimit duhet të bjerë mbi ta. Teza e Ross dhe psikologëve të tjerë socialë, mund të na ndihmojnë të kuptojmë arsyen pse lindin kaq shpesh spiralet e konfliktit, dhe pse janë kaq të vështira për t’u ndalur.

Shembuj të këtij paragjykimi në fushën e politikës së jashtme, janë të shumtë. Ai është një element kryesor i ekspertëve të politikës së jashtme, që për të shpjeguar se çfarë bëjnë shtetet, fokusohen tek udhëheqësit ose llojet e regjimit.

Pse Rusia ndërhyn në Ukrainë? Sepse presidenti rus Vladimir Putin është një bandit i trajnuar dikur nga KGB-ja, dhe që sot është i fiksuar me rikthimin e statusit të Rusisë si një fuqi e madhe. Pse Irani po përzihet në Irak, Siri ose Jemen?

Sepse drejtohet nga një tufë fetarësh fanatikësh, të cilët janë indiferentë ndaj jetës së njerëzve, dhe të etur për ta eksportuar kudo që mundin modelin iranian. Pse një Kinë në rritje po i përndjek ujgurët, ndërton ishuj artificialë  në Detin e Kinës Jugore dhe kërcënon Tajvanin? Sepse presidenti kinez, Xi Jinping, është një udhëheqës ambicioz, që dëshiron të hyjë në histori si një udhëheqës vizionar edhe më i madh se sa lideri i ndjerë kinez Mao Zedong.

E kështu me radhë. Është shumë më e rrallë që ekspertët të marrin në konsideratë nëse këto veprime pa dyshim agresive, mund të jenë një reagim mbrojtës ndaj ngjarjeve ose rrethanave që këta udhëheqës i panë (me të drejtë ose jo) si kërcënuese. Siç e kam theksuar në vitin 2015, politikat e Rusisë në Ukrainë janë shumë të ngjashme me politikat e administratës Reagan ndaj Nikaraguas në vitet 1980.

Në secilin rast, një fuqi e madhe shqetësohet se zhvillimet e brendshme në një vend afër tij, mund ta çonin atë drejt një aleance me rivalen e saj, dhe në secilin rast organizoi dhe mbështeti një ushtri rebele për të sfiduar qeverinë lokale.

Por atje ku amerikanët i panë politikat e tyre si një domosdoshmëri e imponuar nga rrethanat, ata i panë veprimet e Putinit si krejtësisht të pajustifikueshme, dhe si njw provë

e pakundërshtueshme të karakterit të tij problematik.

Kur zyrtarët dhe analistët amerikanë analizojnë sjelljen e SHBA-së, e shohin zakonisht si të më pak të nxitur nga prirjet, dëshirat ose personalitetet individuale, dhe më shumë nga nevojat imponuese strategjike. Pse Shtetet e Bashkuara kanë flota dhe trupa dhe skuadrilje ajrore në të gjithë botën, dhe pse ndërhyjnë kaq shpesh në punët e brendshme të vendeve të tjera?

Jo sepse dëshiron t’i bëjë këto gjëra, por sepse ka “përgjegjësi të veçanta”, apo sepse po përballet me kërcënime të pashmangshme, të cilave duhet t’i kundërvihet. Në këtë këndvështrim, edhe “luftërat e zgjedhura” të kohëve të fundit u nxitën nga rrethanat.

Paragjykimi i atribuimit, e përforcon impulsin e përsëritur për t’i zgjidhur problemet ndërkombëtare jo me diplomaci dhe kompromis, por përmes ndryshimit të regjimit apo hapave të tjera radikale.

Një virtyt i realizmit në politikën e jashtme, është se ndihmon gardianin global të kuptojë llojeve të gabimeve themelore të atribuimit, të identifikuara dikur nga Ross. Në vend se ta ndajnë botën në shtete të mira apo të këqija, realistët e kuptojnë se shtetet dhe udhëheqësit e të gjitha llojeve përballen me një botë të pasigurt, dhe në përpjekje për të garantuar sigurinë, ka të ngjarë të bëjnë gjëra të këqija.

Paranoja, ambiciet apo ëndrrat për lavdi të një udhëheqësi individual, mund të kenë efekte të mëdha në politikën e jashtme të një shteti. Edhe vizionet ideologjike, faktorët e brendshëm apo paaftësia, mund të luajnë gjithashtu një rol të rëndësishme.

Por kur kemi të bëjmë me një problem ndërkombëtar shqetësues, një armik të diskutueshëm, apo një vend, sjelljen e të cilit ne e cilësojmë shqetësuese ose kërcënuese, koncepti i Ross na kujton të ndalemi dhe t’i bëjmë vetes disa pyetje kryesore.

Së pari, a po vepron kundërshtari ynë ashtu siç dëshirojnë udhëheqësit e tij, apo po mendon se situata në të cilën ndodhet po i detyron të bëjnë diçka që është më mirë të shmangin?

Së dyti, nëse opsioni i fundit është një mundësi e mirëfilltë, a është gjithashtu e mundur që disa nga veprimet tona, janë duke e bërë më akute ndjenjën e nevojës së palës tjetër, duke forcuar pa dashje sjelljen që po na shqetëson?

Së treti, nëse është kështu, a ka ndonjë hap që mund ta ndërmarrim për t’i zbutur këto shqetësime, si ndryshimi i situatës në të cilën ndodhet kundërshtari ynë, pa rrezikuar interesat tona?

Përmbysja e një spirale të panevojshme nuk do të jetë në çdo rast e mundur, por Shtetet e Bashkuara (dhe të tjerët) do të bënin mirë nëse do t’i kushtonin më shumë përpjekje eksplorimit të mundësive, për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet përmes një diplomacie të mirëfilltë, në vend se t’i fajësonin keqbërësit për të gjitha të këqijat e botës, të cilat duhet të eleminohen që të triumfojë virtyti.