MENU
klinika

Për "Le Monde", 1990!

Kadare, mbi “demokratizimin” në Shqipëri…

21.06.2021 - 15:09

        Prestigjozja “Le Monde” ka botuar, të mërkurën e 4 prillit 1990, në faqen n°3, një intervistë të Ismail Kadaresë, që, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Shqipëri: në një intervistë të botuar në Tiranë

Shkrimtari Ismail Kadare denoncon “dogmat” që “pengojnë rrugën e mirëqenies, lirive dhe demokracisë”


Romancieri Ismail Kadare, i cili festoi 5 tetorin e kaluar, botimin e romanit me titull “Thikat” (bëhet fjalë për romanin e Neshat Tozajt, me parathënie të Ismail Kadaresë), që denoncon praktikat e “sigurisë” shqiptare (“Le Monde”, 11 dhjetor 1989), sapo dha në Tiranë, një intervistë të gjatë, të botuar më 21 mars në gazetën “Voix de la jeunesse – Zëri i rinisë”.

(FILES) This file photo taken on February 08, 2015 shows Albanian novelist Ismail Kadare gestures during an interview with AFP in Jerusalem.
The Swedish Academy stunned the world last year when it awarded the Nobel Literature Prize to US counter-culture icon and rock star Bob Dylan. This year, experts say, the laureate will be more conventional. / AFP PHOTO / GALI TIBBON

Në deklaratat e tij, ai përmend shumë shkrimtarë të së kaluarës si Faik Konicën, Ernest Koliqin, apo priftin katolik Gjergj Fishta, ende të ndaluar në Shqipëri. Ai denoncon teprimet e luftës kundër fesë, të cilat kanë dëmtuar seriozisht kulturën e vjetër kombëtare shqiptare, duke kujtuar në veçanti se sa kjo kulturë është e lidhur me historinë e krishterimit (Shqipëria u krishtërua që në shekullin e parë dhe është një peshkop i këtij vendi, i cili e kompozoi “Te Deum” në shekullin e katërt).

Ai denoncon me terma të forta, intelektualët dhe zyrtarët që heqin dorë të angazhohen në procesin e demokratizimit: “Këta njerëz, thotë ai, të cilët nuk i kuptojnë aspiratat e popullit shqiptar, vlerësojnë nevojat e tyre materiale dhe shpirtërore nëpërmjet trurit të tyre të ngushtë, mendjeve të tyre të varfëra. Për të justifikuar konceptimet e tyre qesharake, ata pickojnë aty këtu në trupat e doktrinës, koleksionet e citateve, paragrafët kushtetues, duke harruar se logjika që qëndron në themel të ekzistencës së kombit shqiptar është mbi teoritë dhe dogmat. Dogmat, teoritë dhe citatet që i kundërvihen kësaj logjike dhe pengojnë rrugën e mirëqenies, lirive dhe demokracisë janë të papranueshme për banorët e këtij vendi. (…) Ata që nuk dallojnë se mirëqenia kombëtare dhe demokratizimi janë dy objektivat kryesorë për jetën e këtij vendi nuk i kanë kuptuar aspiratat e njerëzve (banorëve) të tyre. Që procesi demokratik të jetë real dhe i pakthyeshëm, duhet që të gjithë të jenë në gjendje të marrin pjesë.”

Kadare, më pas, evokon “psikozën” që shtyn një shtet drejt krimit: “E gjeneruar nga forcat më të errëta të vendit, ajo rritet dhe shumohet në organet e tij shtypëse. Pasi të kenë filluar të mbjellin sugjerimet e tyre kriminale, këto organe qëndrojnë në gatishmëri, duke mbledhur ditë pas dite fakte dhe të dhëna që do të bindin shtetin se kupa është mbushur plot. Nëse efekti i dëshiruar vonohet, ato vetë do të shumëfishojnë provokimet për të arritur qëllimet e tyre. Të verbuar nga kjo psikozë, duke u përpjekur të demonstrojnë tezën e tyre të pafund, sipas së cilës, pa to, Shteti do të vraponte drejt shkatërrimit të tij, ato nuk e kuptojnë se është pikërisht dhuna e tyre që do të jetë fatale për shtetin, dhe në fund të fundit, për vetë ato. Si qentë besnikë të regjimit, ato përfundojnë duke u bërë varrmihës të vendit. Siç e vinte në dukje Marksi, akti i parë i një tirani është gjithmonë gërmimi i varrit të tij.”

Kadare shton: “Demokracia, kultura e drejtësisë dhe ligjit janë ndër vlerat themelore të kombeve dhe të gjithë duhet të bëjnë çmos, çdo ditë, në çdo kohë, në mënyrë që ky sistem vlerash të mbizotërojë dhe të mbretërojë kudo. Kjo kulturë duhet të punojë urgjentisht për të gjunjëzuar forcat e errëta regresive që qëndrojnë kundër saj; nuk duhet hezituar të shtypen ato (forcat e errëta), sepse mbi këtë pyetje (çështje) civilizimi fisnik shqiptar do të kthehet në përparim.”

Shkrimtari përfundon: “Për letërsinë, kjo nuk është vetëm një detyrë, por një provë dhe një shans. Demokracia, ligji, drejtësia, këto koncepte kanë mbajtur gjithnjë lidhje të thella me krijimin letrar : ato, mund të thuhet, janë të të njëjtit trung. Duke rrezikuar të përsëritem, do të kujtoj atë që thashë për Eskilin, tek i cili është e vështirë të dallosh se ku mbaron dramaturgu dhe ku fillon mbrojtësi i ligjit. Për të, mund të themi se ai ishte ministri i parë i drejtësisë, jo i ndonjë qeverie, por i mbarë njerëzimit… Nëse nuk kujdeset për problemet e demokracisë, të drejtat e njeriut, liritë, letërsia nuk është vetëm e gjymtuar: ajo shënon sensin e saj moral, me një pikëpyetje të madhe.”