MENU
klinika

Origjina e shqiptarëve

Kadare i përgjigjet shkrimtarit e politikanit serb, Vuk Drashkoviç

20.06.2021 - 13:51

         “Le Monde Diplomatique” ka botuar, në tetor të 1989, reagimin e shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare ndaj shkrimtarit dhe politikanit serb Vuk Drashkoviç mbi origjinën e shqiptarëve, që Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare jep disa detaje mbi origjinën e shqiptarëve pasi lexoi artikullin e z. Vuk Drashkoviç mbi “marrëdhëniet serbo-shqiptare”, i cili u botua në numrin tonë të prillit të kaluar:

Origjina e shqiptarëve

Unë, thjesht dua të ndalem në këtë fragment të z. Vuk Drashkoviç “Asnjë shkencëtar serioz në botë, nuk e mbështet pohimin e nxjerrë nga Tirana dhe Prishtina (kryeqyteti i Kosovës), pa asnjë provë mbështetëse, sipas së cilës ilirët janë paraardhësit e shqiptarëve.”

Me sa duket, z. Vuk Drashkoviç duke besuar se njohja e botës fillon dhe mbaron në këtë vepër, injoron ose mbyll sytë për të mos parë, se shqiptarët, nën emrin e shqiptarëve dhe një nga qytetet e tyre, Albanopolis, përmenden që në shekullin e dytë në shkrimet e Ptolemeut.

Aq më pak është i vetëdijshëm se autoritetet më të mëdha shkencore të botës kanë folur për autoktoninë dhe origjinën ilire të shqiptarëve.

Unë do të citoja ndër të tjerët gjermanët Gottfried Leibniz (1705), Johann Thunmann (1774), Ritter von Xilander (1835), Franz Bopp (1850), Jakob Fallmerayer (1857), J. von Hahn (1870), Paul Kretschner (1896), Norbert Jokl (shek. XX), Maximilian Lambertz (shek. XX) etj., Për të vazhduar me anglezët William Leak dhe Stewart Mann, danezin Holger Pedersen, italianin Angelo Masci, austriakët G. Mayer, H. Olberg dhe R. Solta, francezin A. Ducellier dhe shumë të tjerë, për të arritur te kroatët Milan Sufflay (Shuflaj) dhe Radoslav Katiçiç dhe jugosllavi Aleksandër Stipceviç.

Por z. Drashkoviç pretendon (mendon) se ka zbuluar në Enciklopedinë Sovjetike një studiues azerbajxhanas, R. B. Gueiouchev, i cili mbështetet në një tezë të vjetër, në asnjë mënyrë shkencore, por letrare dhe fantazuese, e hedhur poshtë prej kohësh, sipas së cilës, meqenëse ekziston në Kaukaz një vend i quajtur AIbania, thuhet se shqiptarët janë prej andej.