Pronari i disa bizneseve të vogla në Sarandë që mbeti i vrarë mbrëmjen e së dielës pranë shtëpisë së tij, ra në pritën e organizuar nga 4 persona, të cilët e qëlluan 7 herë me armë zjarri.
Gramoz Mema, 40 vjeç, me origjinë nga Koshtani i Tepelenës, jetonte prej vitesh në Ksamil. Ai u qëllua me armë zjarri pranë banesës së tij nga persona ende të panjohur, duke ndërruar jetë pak momente më vonë ndërsa transportohej për në spital. Mësohet se Mema ka marrë 7 plumba në kraharor dhe po kaq gëzhoja janë gjetur në vendin e ngjarjes.
Një kamera sigurie në zonë ka filmuar momentin e ngjarjes, dhe sipas burimeve, dyshohet se 4 persona kanë marrë pjesë në krim. Megjithatë, pamjet nuk janë shumë të qarta për identifikimin e autorëve për shkak të errësirës.
Vrasja është kryer me armë me silenciator dhe duke përfituar nga mungesa e ndriçimit në zonë, kanë arritur të largohen. Kjo ka bërë që banorët të mos kuptojnë asgjë derisa kanë dëgjuar britmat e së ëmës që ka konstatuar djalin të mbuluar nga gjaku.
HETIMI
Sipas burimeve, Policia po heton pistën e larjes së hesapeve, por nuk përjashtohet edhe ndonjë konflikt i mundshëm. Një i afërm i viktimës tregon se Gramoz Mema ka pasur një konflikt për një faturë të papaguar pak ditë më parë.
“Brenda në lokal dhe jashtë u kapën. Ne i ndamë. Më pas më duket se u pajtuan. Ditën që ndodhi ngjarja, unë kam qenë me kushërinjtë për një birrë siç mblidheshim gjithmonë. Më pas u largua dhe morëm vesh lajmin”, thotë një i afërm i viktimës.
Si djalë i vetëm i familjes Mema, viktima ishte i pamartuar dhe jetonte me të ëmën.
Viktima para 10 vitesh kishte jetuar në Angli, më pas në Greqi dhe vitet e fundit është kthyer në Shqipëri. Sipas banorëve, Gramoz Mema, zotëronte një lokal, ndërsa ditë më parë kishte marrë 2 milionë lekë të reja kredi për të rregulluar atë.
Përveç lokalit, ai zotëronte edhe një shtëpi në Tiranë përveç asaj në Ksamil, të cilën e jepte me qira gjatë sezonit veror. Mema njihej si një person i qetë dhe pa probleme në zonë.
“Rreth orës 21:45, në Ksamil, pranë banesës, në rrethana ende të pa qarta është qëlluar me armë zjarri shtetasi G. M., i cili ka humbur jetën rrugës për në spital. Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes ku vijon puna për zbardhjen dhe dokumentin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, deklaronte Policia pas krimit.