MENU
klinika

Nga Mentor Nazarko

Kosovë-Greqi dhe Turqia (Serbia), në mes

06.06.2021 - 16:22

Vizita e fundit e ministrit të jashtëm grek Niko Dendias në Prishtinë krijoi një farë iluzioni se paper-i që fliste për njohjen nga Greqia mund të ishte i vërtetë. Mirpo mesazhet elokuente që dha shefi i diplomacisë greke në Prishtinë nuk lejonin mëdyshje: njohja greke mund të ndodhë në fund të dialogut. Kjo vizitë megjithatë, e paraprirë nga ajo e kryebashkiakut të Athinës, nipit të kryeministrit aktual Mitsotakis, i cili u snobua në Prishtinë, nuk ishin pa mesazhe që meritojnë vëmendje.

A mund ta njohë Greqia Kosovën, tani, para përmbylljes së dialogut me Serbinë? Mund të ketë shumë arsye pro dhe shumë arsye kundra, por ka një arsye të parë logjike dhe pragmatike.

Arsyeja e parë. Nga mosnjohja, pra nga ambiguiteti, Greqia, ashtu si dhe vendet e tjera mosnjohëse përfiton më shumë, sepse i luten të dy vendet. Serbia i lutet të mos ndryshojë pozicion, ndërsa Kosova ta njohë. Ndërsa luten, të dyja palët bëjnë dhe koncesione, kështu që Greqisë, Spanjës, Slovakisë, Qipros apo Rumanisë, i leverdis më mirë kjo gjendje.Që nga 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë e njohur automatikisht nga vendet e tjera të BE-së, u ka ecur më mirë kështu.

Arsyeja e dytë. Nëse sipas paper-it, që me gjasë është prodhuar në Serbi, Kosovës i ofrohet njohja nga Greqia në këmbim të firmës në marrëveshjen me Serbinë (pa njohje reciproke), kjo njohje para legalizimit të marrëveshjes nga BE-ja, si ndërmjetëse nuk do të kishte thuajse asnjëlloj domethënie. BE-ja, dhe vetë vendet anëtare e kanë bërë të qartë, se në përfundim të dialogut, do të përshtaten, pra do ta njohin Kosovën. Një muaj më para, apo më pas, për Kosovën nuk ka domethënie cilësore.

Arsyeja e tretë: lajmi për njohjen nga Greqia ishte pjesë e një paper-i, që me gjasë prodhohet në Beograd. Si i tillë, ai ishte pjesë e një fushate që udhëheqësit serbë po e prodhojnë në vendin e tyre, sipas lajtmotivit të viktimizimit, dhe pranimit të kompromiseve: po na bëjnë presion të madh SHBA dhe BE, por ne nuk do dorzohemi, ose do bëjmë lëshime të vogla.

Çfarë duhet të bëjë Kosova, përkundrejt Greqisë dhe vendeve të tjera mosnjohëse?
Mirpo thënë këtë, Kosova e qeverisjes Kurti, ka mundësi të bëjë hapa drejt Greqisë dhe vendeve të tjera jonjohëse. Pikërisht mbi bazën e precedentit aktual grek: Greqia vendosi të avancojë statusin e zyrës së Kosovës në Athinë, nga zyrë ekonomike, në zyrë të interesave kosovare atje, pra dhe interesave politike, etj, dhe me gjasë duke pajisur me imunitet diplomatët e saj, fakt për të cilin nuk u fol në media. E njëjta gjë mund të tentohet me Slovakinë, me Rumaninë, me Spanjën, por pse jo, të tentohet të iniciohet dicka me Qipron, ku në pushtet është një president i djathtë, me lidhje të afërta me Nea Demokracia-n.

Precedenti aktual grek mbështetet më së shumti në ekonomi, por jo vetëm. Të gjendur të trysnuar nga avancimi turk në Ballkan, madje dhe në Serbi, Greqia i dha një shah të vogël Serbisë me këtë intensifikim të marrëdhënieve me Kosovën. Dendias erdhi vetëm në Prishtinë dhe motivi ishte ekonomik në dukje: ndërlidhja e Kosovës me TAP-in, apo me një central me gaz të lëngshëm, të financuar nga SHBA-të, duke shfrytëzuar tubacionet ekzistuese të saj. Ndërmarrësit grekë trajtohen në Serbi si të dorës së dytë, për shkak të dominimit turk, marrëdhënieve të shkëlqyera Vuçiç-Erdogan dhe Greqia ka nevojë për tregje të reja në Ballkan. Në një kontekst si ky, Kosova mund të tentojë të luajë me Qipron, duke i kërkuar të vendosë atje një zyrë të interesave ekonomike. Ndihmën për këtë, mund t’ja kërkojë saktësisht Greqisë, e cila për ta sfiduar Turqinë, edhe mund ta bëjë këtë. Pse jo, mund t’ ja kërkojë dhe Izraelit, i cili ka marrëdhënie të mira me Qipron.

Sipas precedentit grek, Kosova mund të tentojë të avancojë statusin e zyrës së vet nga ekonomike në zyrë politike dhe në Slovaki, ku në krye të saj është një serb i Kosovës, Srdjan Sentic.
Kosova mund të luajë duke kërkuar çeljen e një zyre të interesave ekonomike dhe me Spanjën e udhëhequr nga e majta, në drejtim të së cilës, mund të ndihmojnë ish kryeministri italian D’Alema, mik i Kosovës dhe mik i kryeministrit aktual spanjoll, apo dhe ish numri një i NATO-s në kohën e bombardimeve, Havier Solana. Pa folur që një lobim biznesi mund të ishte efektiv, duke shfrytëzuar dinamikat interesante që krijon futbolli: u humb shansi në ndeshjen e parë në Spanjë, por mund të tentohet sërish mbështetur në atmosferën që do të krijojë ndeshja e kthimit në Prishtinë. Interesante është të kuptohet se pse nuk aktivizohet Veton Surroi, afër qeverisë Kurti i cili gjithmonë ka lënë të nënkuptohet se ka marrëdhënie të mira me Spanjën dhe botën hispanike. Mirpo që Kosova të luajë përkundrejt Greqisë, duhet të shkëputet nga inercia në gjykime që ekziston në diplomacinë kosovare, sipas të cilës Greqia është aleat i palëkundur i Serbisë.

Pse vallë kjo gjë nuk ndryshoka, kur Serbia ja ka hapur dyert Turqisë? Pse Kostas Bakojanisi, kryebashkiaku i Athinës nuk u trajtua me respekt të plotë në Prishtinë?
Së dyti, Kosova e kryeministrit Kurti duhet të tentojë të shkëputet pak nga hija e vëllait të madh Erdogan, duke ju „lutur“ atij për pak më shumë autonomi, në politikën e jashtme, ndryshe nga qeveritë paraardhëse.

Dhe së treti: qeveria Kurti, duhet të fokusohet në dialog. Përmbyllja e dialogut, zgjidh dilemat e mësipërme, dhe prodhon një zinxhir ngjarjesh në politikën e jashtme, të cilat do ja kursenin energjitë diplomatike, që harxhohen duke u marrë me njohje individuale. Në shtator 2010, kur u diskutua mendimi këshillimor i GJND-së, pro pavarësisë së Kosovës dhe nisi dialogu me ndërmjetësimin e BE-së, gjithë vendet anëtare të OKB-së jonjohëse, pra dhe Rusia, Kina, Brazili, India, etj, thanë se do të respektonin dialogun. Nëse Marrëveshja përfundimtare e dialogut në 2021, apo 2022, do të përmbante një nen, i cili s’dihet se pse është tkurrur në Marrëveshjen e Brukselit të 2013, sipas të cilit dy vendet s’do të pengonin anëtarësimin e njeri tjetrit në organizatat ndërkombëtare (pra dhe në OKB), ky nen do të sillte në mënyrë zinxhirore njohjet individuale. Ja pse dialogu duhet të jetë prioriteti numër një, edhe pse jo me njohje reciproke, sepse njohja reciproke do të nënkuptonte një Pazar, apo negociatë shumë më komplekse. Kur në negociatë i kërkon tjetrit shumë, atëherë duhet t’i japësh shumë.