MENU
klinika

Analizë ekonomike

Kriptomonedha, kërcënim apo oportunitet

12.06.2021 - 21:29

Dr (c). Igli Tola,

Pedagog, Fakulteti i Ekonomisë UT

Kriptomonedhat veçanërisht gjatë këtij viti janë kthyer në ‘spotlight’ jo vetëm financiar, si interneti dhe rrjetet sociale në mes-vitet 2000. Interesimi dhe kurioziteti i madh në mes popullatës po e kthen Bitcoin-in dhe Coin-at e tjera më shumë në fenomen social, se financiar.

Shumë po e ndjekin nga larg ecurinë. I kanë rezistuar ‘tundimit’ për të blera ca Coin-a çfarëdo (se Bitcoin kushton shumë tani) dhe të rrinë pastaj të fokusuar mbi to, si me ‘skedinat’ dikur: edhe një gol për 3+, apo X. Të tjerë, mendojnë se kanë aftësinë për të ‘goditur në shenjë’: blerë kripton e duhur në kohën e duhur. E në këtë ‘mesele’, si në çdo investim tjetër ka shumë që humbasin, e të tjerë që fitojnë në fund të ditës.

Sigurisht, pyetja që i mundon të gjithë, e që pak kanë aftësi ta artikulojnë është nëse gjithë ky interesi i sotëm për gjithçka lidhet e sillet rrotull Kriptomonedhave është vetëm një modë spekulative e momentit, apo Kriptoja do të arrijë të kthehet në një klasë të vlefshme të aseteve në zhvillim për investitorët. Këtë vetëm koha do ta tregojë, por një gjë mund të thuhet me siguri se sido që të shkojnë gjërat, monedhat dixhitale ka të ngjarë të bëhen përherë e më shumë prezente në transaksione e këmbime, të paktën në një formë a një tjetër (si Cryptocurrency apo Digital Currency).

Historia humane nuk ka njohur vetëm kartëmonedhat (dollar, paund, euro…, madje kjo e fundit nuk ka as 20 vite në përdorim) si të vetmen alternativë për të këmbyer, apo bërë tregti.

Përkundrazi, transaksionet njerëzore provohet se kanë ndodhur që nga Epoka e Gurit; nga këmbimi mall-me-mall, pati evoluoim nëpër forma të ndryshme gjatë shekujve: nga guaskat e detit dhe kripa, te metalet dhe letra (kartmonedha). Andaj, një mendje normale do ta shihte Kriptomonedhën dhe teknologjinë ‘Blockchain’, si një dixhitalizim të sistemit të pagesave dhe tregëtisë; proces që këto 2 dekadat e fundit ka ndodhur në pothuaj çdo aktivitet tjetër socio-ekonomik.

Kurse, stepja dhe rezistenca e agjensive (autoriteteve) për ti pranuar Kriptomonedhat, mund të krahasohet për analogji me atë që ndodhi pas rrëzimit të Marrëveshjes së Bretton Woods. Kalimi nga Standarti i Arit, në ‘paranë fiat’ që përdorim sot (pa vlerë të brendshme dhe që nuk mbështetet nga garanci ari) nuk u ‘përqafua’ që në krye të herës, sepse shumë interesa u cënuan dhe makro-ekuilibra u prishën. Fakt që ekonomistët Dejvid Orrell dhe Roman Klupati e përmbledhin shumë qartë në librin e tyre “Evolucioni i parave”: ”koncepti i monedhës është bërë gjithnjë e më abstrakt, deri në pikën që monedhat dhe kartëmonedhat aktuale, formojnë vetëm një pjesë të vogël të parave që ekzistojnë”.

Frika tjetër që ka masa në lidhje me Kriptomonedhat është e lidhur me fakti që luhatja e çmimeve të tyre është me disa-fish në intervale kohore tejet të shkurtra. Me të drejtë shumë ekspertë i cilësojnë investimet në Kripto si spekulazh apo ‘financa entuziaste’; por që po të arsyetojmë pak më thellë shohim se çdo produkt novator/risi në fillimet e tij ka luhatshmëri/dinamicitet (shpesh edhe ‘aluçinante’) në vlerësim. Shtuar këtu edhe përfshirjen dhe ndërhyrjen nga qeveri, apo opinionet-akuza të ‘influencuesve’ të shumtë (si Elon Musk, Trump etj) i bën Kriptomonedhat të humbasin/fitojnë dhjetra pikë-përqindje çdo ditë; sepse fundja çmimi ‘spot’ i një titulli e aseti nuk është tjetër gjë veçse shumatore e informacioneve që disponohen për të dhe lëshuesin e tij.

E në kushtet që Bitcoin është kthyer në ‘kryefjalën’n e ditës, ku miliona lajme/fake neës qarkullojnë për to; ‘goditjet’ dhe kolpot në çmimin janë të pritshme. Mjafton të sjellim në vëmendje deklaratën e fundit të ish-Presidentit Trump, ku ai e përshkroi Bitcoin si një ‘mashtrim/kërcënim’ që konkurron kundër dollarit amerikan, për të qenë ‘monedha e botës’. Në 7 qershor agjentët e FBI-së sekuestruan miliona dollarë në Bitcoin në posedim të botës së krimit, dhe vetëm një ditë më vonë çmimi i tij të ra me 8%. Muajin e kaluar, çmimi i Bitcoin u godit ndjeshëm pasi Elon Musk shkroi në Twitter në 13 maj se Tesla nuk do të pranonte më pagesa të Kriptovalutave për shqetësime lidhur me mjedisin dhe energjinë. Nga ana tjetër, shumë banka kanë bllokuar pagesat dhe shkëmbimet Kripto, për shembull: Starling Bank deri më 23 qershor për shqetësimet në lidhje me aktivitete kriminale që mund të kamuflohen pas tyre.

Ajo që duhet të kuptojmë është se kjo gjë nuk ndodh vetëm me Kriptomonedhat. Deklaratat për sanksione ekonomike nga ana e ShBA-ve, nën presidencën Trump përkundër Turqisë bëri që lira turke të shkonte prag falimenti, humbi mbi 20% në vlerë brenda ditës dhe mbi 50% në një vit. Njëkohësisht, i ashtu quajturi ‘paniku bankar’ mund të bëjë të falimentojnë në kohë rekord banka apo institucione të tjera financiare prestigjoze, vetëm se përhapet ‘fjala’ që Banka X ka probleme me likujditetin, apo kreditë e këqija.

Të gjithë si aktor ekonomik duhet ti pranojmë Kriptomonedhat si realitet; nuk janë vetëm kaq pak sa ‘serviret’ publikisht sot, një mjet spekulazhi në tregje financiare, por një revolucion një fushën e FinTech, drejt sofistikimit të sistemit të pagesave. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë të riskojmë gjithçka për të investuar në Kripto, për tu bërë milionerë brenda natës. Duhet njohuri dhe konsulencë për të bërë vendimarrje të zgjuar edhe në këtë sektor.

PhD(c). Ll M. Igli Tola
Pedagog, Ekspert Ekonomik