PREÇ ZOGAJ
Gjithnjë është thënë se Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, të vetmet në Europën ish-komuniste që kanë mbetur po ato që ishin kur u themeluan, dominojnë në spektrin politik shqiptar për shkak të njëra-tjetrës, në një balancë mbështetjeje që i mban si alternativat e vetme të pushtetit në Shqipëri.
Balanca është ruajtur edhe në momentet e diferencës së madhe mes tyre. Kjo, sepse diferencat në vota janë mbushur me elemente të tjerë, pa përjashtuar këtu faktin se alternativat e reja që mund t’i zëvendësonin nuk janë bërë dot popullore.
Kjo balancë duket se ka pësuar kohët e fundit një krisje apo thënë ndryshe një zhbalancim të panjohur më parë, që po të vazhdojë mund të sjellë përmbysje tektonike në spektër. E gjithë kjo pikërisht në periudhën kur diferencat mes PS dhe PD janë dukshëm më të vogla se para katër vjetësh. Ngjan si paradoks, por është kështu.
PS ka gjithë pushtetet. Si të mos i mjaftonte mbingopja me to, duke shfrytëzuar periudhën kalimtare nga Parlamenti në detyrë te Parlamenti i zgjedhur që do të konstituohet në muajin shtator, PS po shtrin duart të akaparojë edhe institucione që kanë funksionuar si bipartizane. E gjithë kjo ndërkohë që Rama i mëshon ftesës për bashkëpunim pa limite me opozitën, por në të vërtetë po vepron për të mos lënë gjë pa marrë.
Përveç pushtetit, PS ka fuqinë e stërmadhe të parasë, ka një klientelë të gjerë të sipërmarrësve të oborrit qeveritar, ka një klientelë të “çunave problematikë që marrin tendera”- shprehje e përdorur nga deputetë të PS-së në Komisionin e Ligjeve gjatë raportimit të kreut të SPAK, zotit Kraja; ka një rrjet merimange që nuk e njeh bota, rrjetin e patronazhistëve që duke mbajtur nën presing zgjedhësit, kanë një rol specifik në rrethimin socialist të zgjedhjeve.
E reja në këtë fuqizim që ka prishur rëndë balancat tridhjetëvjeçare është diçka tjetër. PS ka mundur të marrë në dorë dhe t’i ketë armë të saj në këtë periudhë dy gjëra të tjera që nuk i ka pasur. E para, është ajo që e është quajtur e drejta morale, të cilën e ka mbajtur PD, duke qenë se qoftë lindja e saj si parti, qoftë anëtarësia e saj në shumicë dërmuese, përfaqësonte dhe përfaqëson vokacionin dhe aspiratën perëndimore antidiktataturë. Personalisht, përgjatë këtyre tri dekadave, duke respektuar të drejtën morale të shtresës së ish-të përndjekurve politikë dhe të gjithë atyre që në një mënyrë a tjetër kanë kryer akte të ndryshme që kanë shkuar në llogarinë e lirisë dhe hapjes së vendit, kam qenë kundër spekulimeve në nivel politik me nocionin “e drejtë morale”. E drejta morale është një avantazh në rrafshin e vlerave, por ajo nuk justifikon në asnjë mënyrë prishjen e zgjedhjeve apo shkeljen e lirive e të drejtave të të tjerëve. Përgjatë tridhjetë vjetëve, demokratët, me një miopi që është pak të quhet naive, i kanë nxjerrë sytë dhe i kanë shkaktuar plagë thellësisht të padrejta njëri-tjetrit. Nga krahu i trashëgimtarëve të Partisë së Punës, në sinkron me negacionet, skandalet apo shmangiet e qeverive të PD-së nga aksi demokratik, ia kanë dalë ta balancojnë pa u ndjerë derisa e kanë kthyer edhe të drejtën morale në anën e tyre. Së paku në rrafshin retorik. Shembulli më madh e më i trishtë i kësaj përmbysjeje cinike dhe antihistorike është kalimi në heshtje të plotë në rrafshin zyrtar dhe investimi i përbaltjes në rrafshin informal i tridhjetëvjetorit të ngjarjes më të madhe në historinë e Shqipërisë, pas shpalljes se Pavarësisë, që është Lëvizja StudentoreIntelektuale dhe popullore e Dhjetorit 1990, krijimi i pluralizmit, i partisë së parë opozitare dhe shtypit të parë opozitar, si tri ngjarje të lidhura në një me ketë Lëvizje. E gjithë kjo, përveçse te raporti i Edi Ramës me atë lëvizje, për të cilën kam shkruar gjerë e gjatë në librin tim “Fillimet”, e gjen shpjegimin në faktin se gjatë kohës që ka qenë në pushtet, PD dhe kryetari i saj, Sali Berisha, i kanë themeluar disa prej dukurive negative themelore, siç janë ndërhyrja në zgjedhje dhe manipulimi tyre, tolerimi i korrupsionit në sferat e larta, pandëshkueshmëria e të tjera dukuri, të cilat Rama me shokë i kanë trashëguar në mënyrë krijuese duke i ngritur më lart. Në njëfarë mënyre, PD-së i është mbyllur goja, është kompleksuar për historinë e saj. Shto këtu faktin se shumë prej njerëzve që e kanë shënuar atë histori kanë përfunduar përgjatë kohës në periferi apo jashtë asaj partie, sa të mos mbetet ndokush përveç Sali Berishës që do të mund të vendoste tërheqjen nga politika pas një karriere të gjatë. Si Gramoz Ruçi në PS, fjala vjen.
Por nuk mbaron këtu. PS në këtë periudhë ka fituar një lloj ekskluziviteti të marrëdhënieve me SHBA dhe BE. Dihet se është qeveria ajo që i ushtron këto marrëdhënie. Por duket qartë se në rastin tonë kjo shkon më larg se kaq. Qeverisë i hapet krahu ngaqë ka një mbyllje ndaj opozitës. Madje, të duket se vende që deri dje kanë qenë kritike dhe skeptike me qeverinë janë të hapura, të mira e dorëlëshuara me të pikërisht për të mos armatosur opozitën brenda vendit. Shkaqet e reduktimit të aksesit të opozitës pranë SHBA dhe vendeve me peshë në BE janë komplekse. Por si shkak i dukshëm janë vendimet e saj të gabuara- djegia e mandateve, bojkotimi i zgjedhjeve vendore- me të cilat nuk mund të jetë dakord asnjë demokraci në perëndim. Që nga dita kur ngriti çadrën në shkurt 2017 PD, me lëvizjet e saj të ngarkuara me ekuivokë, ka përjetuar një distancim të vazhdueshëm me SHBA dhe me vende të ndryshme të BE-së. PD ka ushqyer iluzione sikur stafi i ish-Presidentit Tramp do të kthente kursin e ngjarjeve në favor të saj. Po ashtu, PD është mbështetur ose ka përdorur individë pa peshë për të iluduar vetveten dhe mbështetësit sikur ka mbështetje të posaçme nga kancelari me peshë në Europë.
Analiza për shkaqet e marrëdhënieve në pikatë me SHBA, por edhe me vende të tjera të BE-së dhe përcaktimi i masave për rikthimin në normalitet të këtyre marrëdhënieve, janë jetike për ringritjen e PDsë, për të ardhmen e saj. Në Shqipëri nuk fitohet pa qenë në marrëdhënie shumë të mira me SHBA. Jo se SHBA ndërhyjnë. Por perceptimi në publik se një forcë politike shqiptare është ftohur apo ka probleme me SHBA çon automatikisht në reduktimin e mbështetjes elektorale për atë forcë. Unë shkoj me larg: Jo vetëm nuk fitohet, por edhe nuk duhet fituar kundër SHBA. Edhe po të ndodhë (që nuk ndodh) që publiku të jetë i pritur për një moment të ndjekë një axhendë antiamerikane, lidershipi atdhetar, i iluminuar për historinë e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri, nuk duhet t’i mbajë anën këtij jermi.
Çështja e rikthimit të PD-së në marrëdhënie shumë të mira me institucionet amerikane, si kusht sine qua non i suksesit të saj dhe si problemi më madhor që ka aktualisht opozita shqiptare, është ndërlikuar më shumë me shpalljen non grata të ish-kryetarit të PD-së dhe deputetit të kësaj partie, Sali Berisha. Kemi shkruar më parë për këtë vendim pa precedent të Departamentit të Shtetit dhe Sekretarit Blinker. Berisha ka njoftuar fillimin e një beteje ligjore për akuzat e rënda që përmban motivacioni i vendimit. Në SHBA ka kongresmene, senatorë që kanë të drejtë të njihen, sipas ligjeve amerikane, me lëndën e këtyre akuzave.. Ndërkaq, SHBA kanë treguar se mund t’u përgjigjen pozitivisht kërkesave zyrtare nga institucionet e drejtësisë shqiptare nëse këto iniciojnë një hetim për një çështje të caktuar kundër zyrtarëve të shpallur non grata prej tyre. E gjithë kjo do të thotë se është e mundur hyrja në brendësinë e akuzave. Sado diskrete, ato nuk janë mister. Paralelisht, si një reagim ndaj vendimit amerikan, Berisha ka paralajmëruar rritjen e protagonizmit politik në PD. Përtej sentimenteve që janë evidente në radhët e mbështetësve të tij dhe përtej përjetimit personal të vendimit nga vetë zoti Berisha, këtu duhet të prevalojë interesi i PD-së, që është i vetmi interes që mund të shërbehet dhe u vlen të gjithëve. Në këtë kontekst, ngrirja në këtë fazë e marrëdhënieve me PD dhe zhvillimi i betejës ligjore për të drejtën e tij pa e implikuar partinë do të ishte një zgjedhje e zotit Berisha. Atij i takon ta bëjë vetë këtë analizë dhe ta marrë vetë këtë vendim, me vetëdijen se askush, as ai vetë, as demokratët, as publiku i gjerë nuk fitojnë gjë me një PD të penguar e të kushtëzuar në marrëdhëniet me SHBA. Përkundrazi, PD vetëm zvogëlohet në një skenar të tillë. Ndërkohë që një PD pa asnjë re në marrëdhënie me partnerin strategjik përbën premisën numër një për balancimin e politikës së zhbalancuar. Kjo kthen në skenë një PD fituese, gjë që hap perspektiva të reja në të mirë të vendit dhe të gjithëve.