MENU
klinika

“Berisha non grata”, bëhet pjesë e debatit në Kongresin e SHBA

Kush është republikani Zeldin dhe lidhjet me Shqipërinë?

08.06.2021 - 09:56

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, është pyetur në Komisionin e Punëve të Jashtme të Kongresit amerikan për faktet mbi të cilat është bazuar shpalljen “non grata” të ish Presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha.

Ka qenë kongresmeni republikan Lee Zeldin që i ka kërkuar Blinkenit informacione specifike për vendimin e papritur, sipas tij, ndaj Berishës. Ai ka theksuar se ka bërë dhe vetë hulumtime, por s’ka gjetur se në çfarë afere korruptive mund të ishte përfshirë politikani shqiptar.

Ndërkohë, Blinken ka sqaruar se momentalisht nuk mund të ndajë asgjë me kongresmenin për këtë çështje, por nëse ai kërkon më shumë informacion, mund të paraqitet në Zyrën e Legjislacionit apo në Zyrën e Zëdhënësit për Çështjet Publike.

SEANCA E PYETJE PËRGJIGJEVE

LEE ZELDIN: Keni njoftuar për sanksione ndaj ish-Presidentit të Shqipërisë Sali Berisha dhe për shumë nga ne kjo ishte e papritur. Ai ka qenë mysafir dhe aleat i George W. Bush, gjithashtu një kundërshtar agresiv i George Soros. Sa i takon historisë së tij politike me SHBA-në, çfarë informacionesh mund të ndani për të justifikuar këtë lëvizje dramatike?

ANTONY BLINKEN: Faleminderit. Ne vijojmë të shohim përtej kufijve rreth atyre të përfshirë në korrupsion që shkelin të drejtat e njeriut, që sfidojnë parimet e demokracisë. Në këtë çështje procesi u zhvillua normalisht, përfshirë avokatët e mi. Do të isha i lumtur ta ndaja me ju nëse do të ishte e dobishme se për çfarë flitet ekzaktësisht.

LEE ZELDIN: A ka ndonjë informacion specifik që mund të ndani me Komisionin këtë radhë?

ANTONY BLINKEN: S’kam çfarë të ndaj me ju tani, por do të doja të komentoja me ju dhe me këdo që është i interesuar.

LEE ZELDIN: Kam bërë disa kërkime për të gjetur se në çfarë afere korruptive është përfshirë Sali Berisha dhe nuk arrita të gjeja asgjë. Ku duhet të shkojë një gazetar që kërkon të gjejë informacion? Pra ku duhet të shkojë një gazetar që të marrë informacion mbi korrupsionin që i referoheni ju?

ANTONY BLINKEN: E para, para se të kalojmë te media, anëtarët të vijnë në Zyrën e Legjislacionit dhe ne do të sigurohemi që të merrni informacionin, dhe e dyta, sa i takon medias, ejani në Zyrën e Zëdhënësit të Punëve të Jashtme dhe ne do të sigurohemi që në përputhje me detyrimet që kemi, ta ndajmë informacionin me ju.

LEE ZELDIN: A jeni ju në dijeni për burime të hapura informacioni që mbështesin pretendimet se ka pasur korrupsion në të cilin është përfshirë Berisha?

ANTONY BLINKEN: Jam i sigurt se çdo gazetar mund ta bëjë atë pyetje në deklaratat për media që ne mbajmë çdo ditë në DASH për të marrë çdo informacion që kemi në dispozicion për publikun.

LEE ZELDIN: Për të qartësuar diçka lidhur me mbrojtjen e z. Berisha, thjesht po përpiqem të kuptoj se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo, a keni komunikuar ju apo dikush në emrin tuaj me Sorosin?

ANTONY BLINKEN: Unë jo, s’mund të flas në emër të gjithë DASH, por unë jo.

KUSH ËSHTË REPUBLIKANI LEE ZELDIN DHE LIDHJET E TIJ ME SHQIPËRINË

Kongresisti republikan Lee Zeldin ka shprehur vazhdimisht interes për çështjet që lidhen me Shqipërinë dhe Kosovën. Në një njoftim të faqes së tij si kongresist, Zeldin është takuar në 2019-ën me ish-ministrin e në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj dhe ambasadoren shqiptare Floreta Faber.

Takimi është zhvilluar më 2 prill 2019, kongresmeni Lee Zeldin, i cili në atë kohë ishte anëtar i Komitetit të Dhomës së Komisionit të Mbikëqyrjes dhe Hetimeve të Punëve të Jashtme, ka folur me Cakajn në Kryesinë e Shqipërisë në 2020 të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë (OSBE), për mbrojtjet e nevojshme për popullatat pakicë të Shqipërisë dhe krijimin e marrëdhënieve të forta bilaterale midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Por kongresisti Lee Zeldin si pjesë e një delegacion dypartiak nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati i SHBA-së foli me Presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, në Konferencën e Sigurisë së Mynihut në Gjermani, të ndihmojë në nxjerrjen para drejtësisë të vrasësve të vëllezërve shqiptaro-amerikanë Bytyqi, të cilët u vranë në 1999-ën pasi u arrestuan nga Policia serbe.

BERISHA NGRE PADI NË GJYKATËN FRANCEZE NDAJ BLINKEN

Ish-Kryeministri dhe ish-Presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, do të hapë një proces gjyqësor ku do të padisë për shpifje Sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken, pasi ai e shpalli Berishën “person të padëshiruar” së bashku me familjen e tij dhe u ndaloi hyrjen në SHBA, për “përfshirje në korrupsion domethënës”. Në konferencën për shtyp, Berisha foli për “dinjitetin e tij të nëpërkëmbur” që e detyron të ngrejë padi për shpifje kundër Sekretarit amerikan të Shtetit, Blinken.

Ai theksoi që “në mënyrë kategorike kjo padi nuk është një akt kundër SHBA-së, për të cilat ushqej të njëjtat ndjenja, por ndaj një njeriu që pa rreshtuar as prova, fakte apo argumente, ka ngritur akuza që nuk i ka ngritur askush kurrë ndaj meje, as kundërshtarët më të egër”. Gjykata Korrektuese e Parisit është gjykatë e shkallës së parë që gjykon çështje penale për veprat të klasifikuara si kundërvajtje dhe të kryera nga të rritur.