MENU
klinika

Bashkë për Kombin

Lidhja Shqiptare e Prizrenit

10.06.2021 - 17:42

        Numërohen plot 143 vjet, kur zuri fill organizimi dhe themelimi i Lidhjes së Prizrenit, më 10 qershor të vitit 1878.

Është cilësuar si një ndër lidhjet më të organizuara politike gjithëkombëtare, pas Kuvendit të Lezhës, të marsit të vitit 1444, nën organizimin e Gjergj Kastriotit Skënderbeu dhe udhëheqësve të principatave, përkatësisht të princave shqiptarë në shekullin e 15-të.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit në historinë e popullit shqiptar të kohës së re, historikisht është tubimi më i rëndësishëm kombëtar.

Komiteti i Stambollit i themeluar nga elita kombëtare e kohës, më 1877, me qëllim çlirimin dhe ruajtjen e territoreve shqiptare nga hegjemonizmi sllav dhe ai grek, pasi perandoria turke pas Tanzimatit (1848) dhe luftrave ruso-turke më 1875/76, me shpejtësi po goditej e tronditej nga e ashtuquajtura “Kriza lindore”, shqiptarët, të cilët vepronin dhe punonin në kuadër të perandorisë në fjalë, me kohë kishin nuhatur rrezikun e copëtimit të trojeve të tyre dhe me shpejtësi themeluan “Komitetin e Shpëtimit” të trojeve etnike.

Komitetin e Stambollit e përbënin një plejadë intelektualësh më të shquar të kombit, në kohën e kësaj krize: Pashko Vasa, Jani vreto, Ymer Prizreni, Zia Prishtina, Sami Frashëri, Ahmet Korenica, Mihal Harito, Iljaz Dibra, Mehmet Ali Vrioni, Seid Toptani, Mustafa Nuri Vlora, Mon Tahiri etj. Këtyre intelektualëve do t`u bashkohet ideologu dhe patrioti i shquar i familjes së njohur Frashëri, Abdyl bej Frashëri.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit, pati karakter gjithëkombëtar, kurse Prizreni nuk u zgjodh rastësisht kryeqytet dhe seli, ku u mbajt Kuvendi mbarëkombëtar shqiptar, më 10 qershor 1878.

Delegatët që morën pjesë në Kuvendin e Përgjithshëm kishin për çështjen kryesore të ditës një unitet të plotë mendimi; të gjithë qenë të vendosur për të kundërshtuar me çdo kusht copëtimin e trojeve shqiptare, për të mbrojtur tërësinë tokësore të Shqipërisë.

Mendim të njëjtë shprehën delegatët që u takonin qarqeve atdhetare edhe për karakterin dhe programin politik të organizatës, që do të themelonte Kuvendi. Ata kërkuan me këmbëngulje që Kuvendi, ashtu siç ishte parashikuar prej tyre, të formonte një Lidhje Shqiptare me karakter kombëtar.

Në ditën e parë të punimeve në Kuvend folën delegatë të të gjitha grupimeve politike. Nga fjalimet që u mbajtën në këtë ditë ruhet vetëm një fragment i fjalës së Abdyl Frashërit, kryetar i Komitetit të Stambollit dhe delegat i Toskërisë, i vilajetit të Janinës. Duke mbrojtur platformën atdhetare të lëvizjes kombëtare, ai i ftoi të gjitha krahinat shqiptare që të bashkoheshin si një trup i vetëm për të mbrojtur mbarë atdheun nga rreziku i asgjësimit. Abdyli ndër të tjera tha:

“Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”.

Delegatëve të grupimit atdhetar, iu desh të përballeshin në Kuvend, si me qëndrimet e dëmshme të qarqeve pro Turqisë, ashtu autoriteteve qeveritare osmane, të përfaqësuara nga mytesarifi turk i Prizrenit, Qamil Beu, që ishte i pranishëm në këtë tubim. Ata u përpoqën të pengonin bashkimin e shqiptarëve në një lidhje kombëtare.

Megjithatë, Kuvendi i Prizrenit e përmbushi misionin e tij historik kombëtar.

Akti më i rëndësishëm i tij, ishte vendimi për themelimin e një organizate me karakter politik e ushtarak, të një Lidhjeje, me një qendër të vetme drejtuese dhe me degë të saj në të gjitha krahinat e vendit, që do të merrte përsipër detyrën për të mbrojtur me çdo mjet interesat e vendit.

Po atë ditë, Kuvendi Kombëtar miratoi tekstin e një proteste, drejtuar Kongresit të Berlinit, me anën e së cilës ngrihej zëri kundër shkëputjes së krahinave shqiptare në favor të shteteve fqinje. Sipas traditës, së bashku me formimin e Lidhjes, u shpall edhe një besë e përgjithshme, në bazë të së cilës duhej të pushonin menjëherë të gjitha veprimet e gjakmarrjes ndërmjet banorëve të krahinave që ishin përfaqësuar në Kuvendin e Prizrenit.

Vendimi i Kuvendit të Prizrenit për themelimin e Lidhjes ishte një fitore e madhe e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, pasi me anën e tij iu dha goditja e parë dhe e fuqishme përpjekjeve të Stambollit për ta veshur Lidhjen me karakter islamik dhe u hodhën themelet e një organizate kombëtare shqiptare, e cila, qysh në ditën e parë të saj, pati një karakter atdhetar.

Menjëherë pas themelimit të Lidhjes u formuan organet e saj të larta. Në krye të Lidhjes qëndronte Këshilli i Përgjithshëm me funksione legjislative dhe me seli në Prizren, nga i cili do të vareshin degët krahinore, ndërsa kryetar u zgjodh Iljaz pashë Dibra.


LISTA E PJESËMARRËSVE NË LIDHJEN E PRIZRENIT, 10 QERSHOR 1878:

Abdullah Pashë Dreni – Gjakovë
Abdyl Frashëri – Kryetar i Komisionit të Jashtëm – Përfaqësues i Lidhjes në Evropë
Ahmet Koronica – Gjakovë
Ali Shabanagaj – Guci
Jakup Ferri
Ali Bej Tirana
Ali Ibra
Ali Pashë Draga
Binak Alia
Baca-Kurti Gjokaj nga Malësia e Madhe
Çele Shabani
Filip Doda
Hasan Pashë Tetova
Mehmet Pashë Dëralla
Haxhi Shabani – Kryesues i Punëve te Brendëshme
Haxhi Zeka – Pejë
Iljaz Pashë Dibra – Kryetar i Kuvendit
Jashar Bej Shkupi
Mehmet Ali Pashë Vrioni – Përfaqësues i Lidhjes në Evropë
Omer Pashë Vrioni
Sali Jaha – Përfaqësues të Rugovës
Shaip Spahiu, Nënkryetar i Lidhjes së Prizrenit
Sulejman Vokshi – Kryetar i Komisionit për Financa – Gjakovë
Shaban Bej Peja
Shaban Bej Prizreni
Sheh Mustafa Tetova
Ymer Prizreni – Kryetar i Komisionit Organizator të Kuvendit – Prizren
Zija Bej Prishtina
Valiu Hysen Pasha i Shkodrës
Foto nga Lidhja e Dytë e Prizrenit, 16-20 shtator 1943.

LAVDI PËRJETË!

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kundër Zogut e serbomëdhenjve

Bajram Curri udhëheqësi luftëtar

Agjenti i imperializmit francez shkruante

1916: Nga Tepelena në Gjirokastër


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit