MENU
klinika

Euro 2020

“Makineria” Ronaldo, tre rekordet e fundit të tij

24.06.2021 - 00:06

Qëkur nisi Evropiani ai theu rekord me pjesëmarrjen në turne, i pesti radhazi për të, duke filluar nga viti 2004, ku e humbi finalen me Greqinë, natyrisht jo për fajin e tij, ashtu ndoshta ishte e shkruar.

Tashmë që përfunduan 3 ndeshjet në grup, Cristiano Ronaldo shtoi rekorde të tjera në palmaresin e tij. Me dygolëshin e shënuar ndaj Francës, CR7 jo vetëm kryeson me 5 gola te goleadorët e këtij Evropiani, por tashmë regjistron 21 gola në Botëror dhe Evropian së bashku.

Asnjë lojtar nuk e ka bërë këtë më parë dhe ajo cfarë është më kryesorja, ai mund ta thellojë këtë rekord në ndeshjen e radhës me Belgjikën në fazën e 1/8 finale.

Jo vetëm kaq, dy golat ndaj Francës erdhën me penallti, 3 të tillë në Euro 2020. Askush më parë nuk kishte shënuar 3 gola me penallti në një Evropian. Edhe në këtë rast rekordi mund të thellohet, nëse Portugalia përfiton 11-metërsh më tej dhe Ronaldo shënon.

Por rekordi më i bukur ishte barazimi me Ali Daei të Iranit, të dy me 109 gola me ekipet kombëtare. Ky rekord ishte i pritshëm, por nuk besohej që në fazën në grupe. Njësoj si edhe për dy rekordet më lart, edhe këtë sulmuesi portugez mund ta tejkalojë.

Cristiano është 36 vjec, por me këtë formë dhe fizik, do ta shohim edhe në Botërorin e pestë vitin e ardhshëm, pse jo, edhe në Evropianin e gjashtë në 2024 në moshën 39 vjecare. Me siguri deri në 40 vjec ai do të luajë.