MENU
klinika

Mbërrijnë 25 mijë doza Sputnik

Manastirliu: Jemi gati të ulim moshën e vaksinimit te qytetarët

11.06.2021 - 12:17

Vaksinën anti-Covid do të mund ta bëjnë nga sot edhe qytetarët nën 60 vjeç, duke nisur me moshat 59-vjeçare e më tej.

Lajmin e dha sot ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu e cila bëri thirrje që qytetarët të komunikojnë me mjekun e tyre të familjes apo të aplikojnë në portalin e Albania.

“Tashmë jemi gati për të ulur fashën e vaksinimit duke e filluar nga plus 59, 58, 57, ndaj ftojmë të gjithë qytetarët të aplikojnë në portalin e Albania per t’u bere pjese e kalendarit te vaksimit dhe per te marre daten e vaksinimit”, tha ministrja.

Manastirliu ishte sot në Institutin e Shëndetit Publik ku mbërritën edhe 25 mijë doza të vaksinës Sputnik, duke çuar në mbi 936 mijë sasinë e vaksinave AntiCovid të mbërritura në vend.

Duke folur për situatën e kontrolluar epidemiologjike, Manastirliu bëri sërish apel qytetarëve për të vijuar të kenë kujdes dhe të respektojnë protokollet shëndetësore të vendosura edhe gjatë sezonit turistik.

“Edhe pse aktualisht në vend kemi rreth 190 raste pozitive aktive dhe rreth 20 pacientë të shtruar në spitalin Infektiv që po trajtohen me kujdes maksimal nga mjekët, duhet të vijojmë që të kemi sërish vigjilencë të shtuar dhe kujdes në zbatimin e protokolleve shëndetësore, edhe gjatë këtij sezoni, pra gjatë sezonit turistik”, apeloi Manastirliu.

Prej fillimit të procesit të vaksinimit janë kryer në total 823,053 doza të vaksinës antiCOVID19. Prej tyre 324,616 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës.