MENU
klinika

"E kërcënoi me vrasje edhe në komisariat"

Vrasja e 53-vjeçares nga i shoqi, krim i paralajmëruar

10.06.2021 - 12:53

Vrasja makabre e Menturie Bicit, 53-vjeçe, në fshatin Dragostunjë të Librazhdit duket se ka qenë një krim i paralajmëruar. Ish-kryeplaku i fshatit, Librazhd Katund nga vinte e ndjera, ka deklaruar se çifti Bici kishin konflikte të vazhdueshme dhe kishin përfunduar edhe në Komisariatin e Policisë.

Madje shton ai, në një rast, 56-vjeçari Qemal Bici e ka kërcënuar me vrasje bashkëshorten e tij edhe në ambientet e Komisariatit lokal të Policisë.

“Unë i njoh shumë mirë si familje. Nëna e saj shpesh herë më ka thënë se bashkëshorti ushtronte dhunë fizike ndaj vajzës së saj, por që nuk ka gjetur mbështetje. Ekzekutori në komisariat ka deklaruar se do e vrasë bashkëshorten dhe nuk është marrë asnjë masë. Ai ka kryer një krim makabër dhe shteti nuk ka reaguar”, ka deklaruar ai.

Ish-kryeplaku Bujar Kojku, thotë gjithashtu se dhuna midis çiftit ishte prezente vite më parë të paktën nga 2011-ta e më pas, ndërsa shton se shqetësimet ia kishte shprehur nëna e viktimës.

“Nëna e viktimës nga 2011-ta deri në 2016-ën kur isha kryeplak, vazhdimisht më njoftonte se kishte probleme dhe ka denoncuar në Polici, por nuk ka pasur mbështetje. Policia e merrte në pyetje dhe më pas lihej i lirë. Tashmë është e dukshme se pasojat janë të hershme.

Nisur nga gangrena që ka vuajtja ka pasur në Dragostunjë dhe duke parë se fshati i saj ishte një fshat armiqësor me të ku nuk gjeti mbështetje dhe as nga mungesa e marrjes së masës nga Policia kemi sot dy viktima. Nuk ka ku të shkojë më keq familja shqiptare, duke u goditur familja goditet dhe shoqëria, në horizont nuk duken ditë më të mira, por më të këqija”, tha më tej.

Krimi i rëndë u regjistrua pasditen e së hënës, ndërsa ishte djali 20-vjeçar i çiftit ai që zbuloi gjëmën në familjen e tij, duke gjetur nënën të masakruar më sëpatë në banesë dhe babanë të varur në pemë jo shumë larg shtëpisë.

Çifti kishte rreth 30 vite martesë dhe kishin katër fëmijë, ku vetëm njëri prej tyre jetonte me ta.

Paraprakisht, dyshohet se krimi ka ndodhur për motive xhelozie, pasi dyshonte se gruaja e tradhtonte me ish-drejtorin e shkollës së fshatit, i transferuar vitet e fundit si mësues në një tjetër shkollë të Librazhdit.

Pavarësisht transferimit, konfliktet midis çiftit kishin vazhduar, pasi burri dyshonte se bashkëshortja e vazhdonte lidhjen, konflikt i cili kulmoi pasditen e së hënës që përfundoi me vdekjen e të dyve. Ende nuk dihet saktësisht se çfarë ka ndodhur në banesën e çiftit para aktit tragjik të vrasjes, pasi ata kanë qenë të vetëm në shtëpi.