MENU
klinika

Mustafa Nano

Mesazhi pas sulmit ndaj Dritan Lelit

21.06.2021 - 17:32

MUSTAFA NANO

Unë nuk e njoh Dritan Le lin. Nuk e kam takuar asnjëherë. Di vetëm atë që dinë të gjithë. Ai është kryetar i Bashkisë së Vlorës prej vitit 2015. Pasi mbylli mandatin e parë, socialistët, edhe Rama, me siguri të kënaqur nga puna që ai kishte bërë në Vlorë, e rikandiduan. Dhe Leli, me ndihmën e socialistëve, nën siglën e Partisë Socialiste, mori mandatin e dytë, me të cilin ai ka qeverisur dhe po qeveris pa bëzajtur, ashtu si në mandatin e parë. Të gjitha gjërat e mira që ka bërë në Vlorë (sepse në Vlorë, nën hyqmin e Lelit janë bërë gjëra të mira) i atribuohen Edi Ramës, i cili, përveçse Kryeministër, është edhe deputet i Vlorës.

Por meritat dhe medaljet për gjërat e mira që ka bërë nuk i ka marrë për shkak të faktit që është deputet i Vlorës, por i ka marrë sepse ai e ka zakon. I tillë është sistemi që ai ka ngritur. Një gjë e mirë, apo e supozuar si e mirë, si sukses, si arritje, i atribuohet Ramës. Dhe e kundërta. Një gjë e keqe, apo e supozuar si e keqe, si mosarritje, si dështim, ka lidhje me të tjerët.

Por për Lelin kjo nuk ka pasur aspak rëndësi, sepse Dritan Leli është një nga ata njerëz që është i çinteresuar, krejt i çinteresuar për protagonizëm publik. Unë e kam marrë një herë në telefon (dhe ky ka qenë kontakti im i parë dhe i fundit me të, nëse ky mund të quhet kontakt) dhe e kam ftuar në programin tim të mëparshëm “Provokacija”. Dhe ai ftesën time e refuzoi.

E refuzoi me shumë mirësjellje, me shumë delikatesë. Madje e refuzoi me një përulësi shembullore, me një përulësi që mua më la pa frymë. Ishte një përulësi që unë nuk e dija se ekzistonte në lagjen e politikës shqiptare. Ai tha: “Unë jam një personazh i vogël lokal. Nuk e kam qejf protagonizmin publik, nacional. Nuk më shkon. Është një ngarkesë që nuk e mbaj dot”.

Bazuar te kjo bisedë që unë kam pasur me të dhe bazuar te njohja që unë kam pasur mundësinë t’i bëj atij nga larg, nga distanca, kurrë nuk kam menduar se mund të kishte një prishje qejfi midis Ramës dhe Lelit. Lëre pastaj të ishte Leli që do t’i prishte qejfin Ramës.

Mirëpo, erdhi një ditë që ndodhi pikërisht kjo gjë. Përpara zgjedhjeve parlamentare, Edi Rama i kërkoi Dritan Lelit të linte postin e kryebashkiakut dhe të futej në garën nacionale për t’u bërë deputet. Dhe Leli i tha: “Jo. Faleminderit!”. Kaq gjë mund ta thoshte, dreqi ta hajë. Nëse robi nuk ka fuqi të refuzojë një përgjegjësi që eprorët e tij ia japin, atëherë ai nuk është i lirë.

Sepse, sipas meje, mungesa flagrante e lirisë sonë përkufizohet më së miri në rrethana, në të cilat ne nuk kemi fuqi as të refuzojmë “favorin” që të tjerët duan të na bëjnë.

Atëherë kur Leli bëri refuzimin e famshëm, që ka hyrë në arkivat e politikës tanimë, shumë njerëz filluan të thoshin se jeta e Lelit nga ai moment do të jetë vetëm malore. Atij do t’ia nxijnë jetën. Do ta përjashtojnë nga Partia Socialiste e madje do ta shkarkojnë si kryetar bashkie. Qysh atëherë, unë kam menduar se këto gjëra ishin spekulime. Unë mendoja se këto gjërat e tjera mund t’ia bënin.

Mund ta hiqnin nga Partia Socialiste (sepse kjo e fundit, ashtu si partitë e tjera, i organizon punët ashtu si duan anëtarët e saj). Por si kryetar bashkie mendoja se nuk kanë se si ta heqin. Ata mund të bien dakord që në vitin 2023 të mos e rikandidojnë më (dhe unë jam i sigurt se këtë gjë kanë për ta bërë), por deri në atë moment nuk kanë se si ta largojnë. Mirëpo, me sa duket, kam qenë i gabuar, sepse po shoh se edhe mund ta largojnë. Të paktën kjo është ajo që po shoh unë. Sulmi është shumë i fortë.

Dhe unë dëshiroj t’i them diçka Kryeministrit: Zoti Kryeministër, siç ju thashë, unë nuk e kam njohur asnjëherë Dritan Lelin. Ai mund të jetë kryebashkiaku më i keq që bën nëna. Mund të jetë kryebashkiaku më i keq i botës. Këtë nuk e diskutoj. Madje, po supozoj se është absolutisht e vërtetë. Madje, po supozoj edhe ca më shumë, që ai është djalli vetë.

E megjithatë, sulmi që ju po bëni mbi të, sulmi që po bëhet mbi të në emrin tuaj, nuk ka lidhje me dobësi, me poshtërsi, me ndyrësi që mund t’i mvishen Dritan Lelit teksa ka qenë duke ushtruar postin e kryebashkiakut. Absolutisht jo! Nuk kanë lidhje. Kanë lidhje vetëm me atë gjestin në dukje të vogël, por që rezultoi të ishte i rëndësishëm.

Pra, kanë lidhje me situatën, në të cilën Dritan Leli ju ka thënë: “Jo. Dëshiroj të rri këtu ku jam. Dua të jem kryetar bashkie dhe nuk dua të bëhem deputet”. Nëse Dritan Leli do të pranonte ftesën tuaj, ai sot do të ishte socialist si të gjithë socialistët e tjerë. Ai do të ishte deputet. Por edhe nëse nuk do të ishte deputet, do të ishte një socialist, një vlonjat, një njeri i nderuar.

Absolutisht i nderuar! Prandaj, zoti Kryeministër, unë mendoj se ju duhet t’u bëni thirrje njerëzve tuaj që të ndalojnë sulmet mbi Dritan Lelin. Me sulmet që po i bëhen atij, ju vetë (dhe unë këtë dua t’jua them nga pozitat e një këshilltari, që ju do të mirën) po i jepni ushqim dhe kuptim bindjes që kanë disa njerëz se ju nuk mund të pranoni askënd në Partinë Socialiste jo që të jetë kundër jush, por ju nuk mund të pranoni brenda Partisë Socialiste edhe njerëz që do të guxonin ta përkufizonin të mirën e tyre me metrin e vet dhe jo me metrin tuaj. Të paktën ky është mesazhi që përcillet. Dhe kjo gjë është e frikshme.