MENU
klinika

Besimtari poligam

Ndahet nga jeta… burri i 38 grave!

14.06.2021 - 13:30

         Një 76-vjeçar, i cili mendohet se është kryetari i familjes më të madhe në botë, ka ndërruar jetë. Ziona Chana, nga India, ndërroi jetë të dielën, në spita,l duke lënë pas 38 gra, 89 fëmijë dhe 36 nipër e mbesa.

Lajmet për vdekjen e 76-vjeçarit u konfirmuan nga kryeministri i Mizoram, Zoramthanga, i cili shprehu ngushëllimet në një postim në Twitter.

“Mizoram dhe fshati Baktawng Tlangnuam, u bënë një atraksion turistik i madh në vend, për shkak të familjes së Chana,”- shkroi kryeministri.

Raportohet se Chana vuante nga diabeti dhe hipertensioni. Gjendja e tij u përkeqësua ndërsa ishte në shtëpi dhe të dielën u dërgua në spital, por nuk arriti të mbijetojë.

Ai ishte udhëheqësi i një sekti të krishterë, të quajtur “Chana pawl”, që lejon poligaminë për burrat.

Të gjithë anëtarët e familjes gjigante, jetonin në një shtëpi katërkatëshe me 100 dhoma, në kodrat e fshatit të largët, Baktawng Tlangnuam.

“Ndihem si fëmija i veçantë i Zotit. Ai më ka dhënë kaq shumë njerëz, për t’u kujdesur”- ka thënë gjatë një interviste Ziona, ku shprehej se ndihej i bekuar që kishte një familje kaq të madhe. “ E konsideroj veten me fat që jam burri i 38 grave dhe kryefamiljari i familjes më të madhe.”